Spanjollët janë të pandalshëm. Shpartallojnë Rusinë 3-0 dhe janë më pranë se kurrë titullit kampion europe.Spanja kualifikohet për në finale, duke fituar pastër ndaj skuadrës ruse, e konsideruar si surpriza e Euro 2008-ës. Të besuarit e Aragonesit kanë arritur mbrëmë fitoren e 5-të në po kaq ndeshje të luajtura. Ata shkojnë në finale pas 24 vjetësh. Në këtë mënyrë, Spanja, që shpesh është etiketuar si një skuadër e pafatë në kompeticionet europiane, është fare pranë titullit të dytë kampion europe. Iberikët kanë luajtur një pjesë të dytë shumë të mirë, duke shënuar 3 gola të bukur, me autorë Ksavi Hernandesin, Gizën dhe David Silvën. Spanja do të përballet në finalen e Vjenës me Gjermaninë, ditën e diel.
Trajneri Aragones i ka bësuar 11-shes që ka eleminuar Italinë kampione bote, por golashënuesi më i mirë i europianit, David Vila, ka pësuar një dëmtim dhe në minutën e 35-të është zëvendësuar nga Fabregasi. Edhe holandezi Hidink ka hedhur në fushë formacionin e ndeshjes me Holandën, me përjashtim të qendërmbrojtësit Kolodin, i zëvendësuar dje nga Vasili Bjerezutski. 45 minutat e para ishin të qeta, me ndonjë rast sporadik në portat respektive, por jo të rrezikshëm. Përpjekjet e Torresit, Vilës dhe Pavliçenkos nuk janë konkretizuar, kështu që rrjetat kanë mbetur të paprekura. Me fillimin e pjesës së dytë, dyshja e Barcelonës, Injesta-Ksavi, ka zhbllokuar rezultatin, me finalizimin e të dytit. Trajneri Aragones ka hedhur në fushë edhe Ksavi Alonson dhe Gizën, në vend të Ksavi Hernandezit dhe Torresit. Golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll, Giza, e ka shpërblyer më së miri, duke shënuar golin e dytë, në minutën e 73-të. Pas 10 minutash, David Silva i jep goditjen përfundimtare Rusisë, duke vulosur rezultatin në 3-0. Rusia nuk dha asgjë në gjysmëfinale, ndërsa Spanja e ka merituar suksesin plotësisht.
|