| A due nė Venecia |
|
|
| Thursday, 08 May 2008 | |||||||
Vepra më e re ekompozitorit Thoma Simaku, “A due” jep premierën në Venecia. Në fillim të majit hidhet në treg dhe CD-ja me 6 vepra të kompozitorit.
Dikur ndante dy botë, ndërsa tani ka formën e një kufiri imagjinar. Gjurmët e “Murit të Berlinit” u bënë shtysë që në muajt e fundit kompozitori shqiptar Thoma Simaku të krijonte një vepër të re. Ato gjurmë që sot i përkasin historisë i kujtuan “Rrugën e vdekjes” në një qytet jugor të Shqipërisë. “A due”, është vepra më e re e Simakut e cila do të ekzekutohet në Venecia, në datën 3 maj në Auditorium “Candiani”. Një ngjarje që lidhet me Festivalin e Muzikës Bashkëkohore “Intrasonus”. Kompozuar në vjeshtën e vitit 2007 në Berlin ku kompozitori shqiptar ishte i ftuar nga Instituti Gjerman i Shkëmbimeve Akademike (DAAD), vepra intrepretohet në Venecia nga instrumentistët me famë ndërkombëtare Garth Knox (Paris) dhe Rohan de Saram (Londër). “Është kënaqësi e veçantë që mu dha rasti të kompozoj për këta instrumentistë. Garth Knox dhe Rohan de Saram kanë një përvojë shumëvjeçare në interpretimin e muzikës moderne dhe janë konsideruar si “musicians of our time” (muzikantët e kohës sonë)”, - thotë për “Shekullin”, Simaku. Sipas tij gjenia interpretuese e këtyre instrumentistëve ka rrezatuar në mbarë Evropën. Kanë ekzekutuar në pothuajse të gjitha festivalet kryesore të muzikës bashkëkohore, kanë regjistruar në CD veprat e kompozitorëve më të shquar të shek. XX dhe për shumë vite kanë qenë anëtarë të kuartetit të famshëm të Londrës, “Arditti Quartet”, i cili zë një vend kryesor në interpretimin e muzikës moderne. Por ngjarja e vërtetë është vetë vepra. Në programin e premierës, Simaku shpjegon kompleksitetin e kësaj vepre virtuoze, si dhe lidhjet me Berlinin. “Nëse do të më duhej që ta përshkruaj këtë vepër me një fjali të vetme, do të thoja që muzika e saj mbështetet në idenë që dy “objekte” të shihen apo të dëgjohen si një fenomen i vetëm. “A due” (a2) është një term i njohur në muzikë. Gjendet shpesh në partiturat orkestrale dhe nënkupton që një linjë e vetme muzikore ekzekutohet nga dy instrumente të së njëjtës familje. Viola dhe violonçeli mund të konsiderohen si “kushërinj të parë” të familjes së harqeve, por në këtë vepër ata asnjëherë nuk “bashkohen”. Jo vetëm kaq, por secili instrument ekzekuton dy linja të veçanta. Kjo përbën dhe një nga aspektet virtuoze të veprës”, - shpjegon Simaku, duke shtuar se ky përshkrim muzikor mund të japë një ide të shkallës së kompleksitetit të muzikës. “Por gjatë krijimit të kësaj vepre, ky aspekt nuk ishte “preokupimi” im i vetëm kompozicional. Berlini të krijon një përshtypje mjaft dramatike. Rrënojat e murit në rrugën e famshme “Bernauer Straße”, apo gjurmët e themeleve të tij, që tani, në sipërfaqen e tokës, kanë pamjen e një linje të vetme të përbërë nga dy rreshta gurësh të vegjël, janë një shprehje e gjallë e asaj që dikur, jo shumë kohë më parë, një qytet i vetëm ishte i ndarë në dy botë aq të kundërta. Kufiri, vrasjet, arratisjet … më krijuan një rezonancë mjaft evokuese, sidomos të kohës, kur punoja në një qytet të vogël të Shqipërisë së Jugut, fare pranë kufirit me Greqinë. Atje, ndodhej një rrugë pa emër, destinacionin e së cilës autoritetet nuk donin që ta tregonin, por njerëzit e quanin “rruga e vdekjes””. Sipas kompozitorit “A due” nuk është vepër programatike, me fjalë të tjera, nuk mbështetet në ndonjë subjekt të veçantë letrar, por nëse mund të flitet për ndonjë “program”, ai është thjesht imagjinar. Në këtë kuptim interpretimi muzikor nuk mund të ndahet nga ai ekstra-muzikor. Ato janë si dy anë të së njëjtës medalje “a2”. Dhe vetëm pak ditë pas këtij prezantimi, një tjetër ngjarje për kompozitorin, që prej vitesh jeton në York të Anglisë. Veprat e tij përmblidhen në një CD. Është shtëpia diskografike “NAXOS”, më e madhja në botë për muzikën klasike, që hedh në treg CD-në me 6 vepra të kompozitorit, interpretuar nga kuarteti “Kreutzer” i Londrës. Ceremonia e hedhjes në treg të kësaj CD-je do të bëhet në 8 maj. Simaku do të zhvillojë një bisedë me spektatorët dhe më pas mendohet të ekzekutohen tre vepra. Kjo ngjarje lidhet edhe me një moment tjetër të jetës së kompozitorit, me 50- vjetorin e lindjes. Kufiri, vrasjet, arratisjet … më krijuan një rezonancë mjaft evokuese, sidomos të kohës, kur punoja në një qytet të vogël të Shqipërisë së Jugut, fare pranë kufirit me Greqinë. Atje, ndodhej një rrugë pa emër, destinacionin e së cilës autoritetet nuk donin që ta tregonin, por njerëzit e quanin “rruga e vdekjes””. Burimi : Shekulli.
Powered by !JoomlaComment 3.21
3.21 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved." |
|||||||
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|



