|
Përgjigje dy drejtuesve të albanologjisë, Ardian Marashit dhe Beqir Metës mbi reformën në kërkimin shkencor, pas intervistave dhënë në "Shekulli". Duket se kriteri i biografisë është ndjekur në emërimin e atyre që i prezantohen publikut më shumë si politikanë të veshur me pushtet se si studiues.
Përmbajtja e intervistave të këtyre kohëve të fundit të drejtorit të sapoemëruar të Qendrës së Studimeve Albanologjike, dr. Adrian Marashit, dhe të drejtorit të porsacaktuar të Institutit të Historisë prof. dr. Beqir Metës, më nxitën të hedh në letër disa vëzhgime kritike. E mora këtë guxim si studiues që i njeh pak a shumë zhvillimet e studimeve shqiptare meqë kam punuar mbi gjysmë shekulli në fushën e historisë kombëtare dhe që, edhe pse pensionist prej shumë vitesh, nuk jam shkëputur nga ecuria e historiografisë shqiptare. Nga leximi i vëmendshëm i intervistave dalin fare qartë për këdo mendimet e të intervistuarve për mjaft probleme të ecurisë së shkencave shqiptare. Që të dy, veçanërisht Drejtori i Qendrës, përpiqet të bindë lexuesit për rrethanat që e detyruan Qeverinë Berisha të ngrinte Qendrën e Studimeve Albanologjike, si e vetmja mundësi për të shtyrëpërpara punën kërkimore në institutet e studimeve kombëtare. Sipas A. Marashit ndërhyrjen nga lart e bëri të domosdoshme qëndrimi kundërshtues i punonjësve shkencorë të instituteve për ta bërë vetë reformimin në këto fusha studimesh. Ja sesi shprehet për këtë problem drejtori i Qendrës: "Pas ndryshimeve politike që ndodhën në vend në vitet 1990-91, me vendosjen pra të qeverisjes pluraliste,"forcat më të interesuara për një reformë rrënjësore në kërkimin shkencor shqiptar duhej të kishin qënë vetë punonjësit shkencorë të instituteve. Mirëpo këta, kur janë emëruar nëpër institutet e Tiranës, janë përzgjedhur më fort në funksion të "biografisë"". Dhe më tej ai vijon të pohojë se: "Ndaj reagimi i tyre kolektiv ka qënë gjithmonë ai i nëpunësit, që bën të gjitha përpjekjet për të ruajtur vendin e punës, dhe që gjërat të mos ndryshojnë". Në këto rrethana "ndërhyrja nga lart [për ndryshimin e gjëndjes] u bë e detyrueshme", konkludon z. Marashi.("Shekulli", 10 mars 2008), i cili nuk e pati të vështirë të ofendojë publikisht me pohime të tilla arrogante dhe pa dallim, masën e madhe të studiuesve. Për më tepër kur e vërteta për reagimin e tyre kundërshtues ndaj ndryshimeve, ishte krejt tjetër nga ajo që z.Marashi i paraqet publikut. Reagimi lidhej me mbrojtjen e statusit të autonomisë të fituar më 1998 nga Akademia e Shkencave, nën drejtimin e së cilës bënin pjesë institutet e studimeve albanologjike. Ky status ishte më i pranueshëm nga kolektivi i punonjësve shkencorë për disa arsye. Në radhë të parë institutet kishin fituar një farë autonomie në raport me pushtetin politik. E ardhmja e shkencës nuk varej dhe nuk lidhej shumë me atë të pushtetit ekzekutiv që zakonisht ndryshon sipas zgjedhjeve politike, në krye të katër viteve. Së dyti ngase punonjësit shkencorë e ndjenin veten më të lirë në punën e tyre e kërkimore, jashtë trysnisë së politikës dhe të politikanëve. Trysnisë i trembeshin dhe i tremben veçanërisht historianët në marrëdhënie pune, meqë koha ka treguar se pushtetarët janë të interesuar për vlerësimin e së kaluarës nga historiografët. Rrjedhimisht duan t'i kenë nën kontroll studimet historike më shumë se çdo sektor tjetër. Në këtë kuadër, zhvillimi i ngjarjeve ka dëshmuar po ashtu se kur politikanët e forcave të ndryshme politike vijnë në pushtet, lakmojnë të shtien në dorë dhe të komandojnë gjithçka. Në rastin tonë konkret të ndikojnë mbi segmentet e politikës dhe të ideologjisë, që këto t'u thurin lavde veprimtarisë së tyre dhe asaj të forcave të tjera pranë tyre. Dhe ecuria e punëve po tregon se me parullën e reformimit të shkencave në përgjithësi dhe të atyre albanologjike të veçanti, qeveritarët e sotëm po përdorin pushtetin duke bërë ndryshime në organet drejtuese të Akademisë dhe të instituteve albanologjike për t'i shtënë këto nën kthetrat e tyre. Vrullin e pushtetarëve nuk e penguan as shkelja e normave të vendosura në vitin 1998, që bazoheshin në zgjedhjet e organeve drejtuese nga vetë punonjësit, sipas aftësive dhe meritave. Ky kriter po zëvendesohet tani me emërime nga lart, d.m.th. me përzgjedhje sipas biografive, si në kohën e qeverisjes njëpartiake dhe në vitet e para të pluralizmit, nga 1993-shi e deri në vitin 1998.
Duket se kriteri i biografisë është ndjekur në emërimin e vetë Drejtorit të Qendrës dhe të zëvendësit të tij, i caktuar njëherazi Drejtor i Institutit të Historisë. Ky faktdëshmohet nga vetë përmbajtja e intervistave. Ata i prezantohen aty publikut më shumë si politikanë të veshur me pushtet se si studiues. Këtu të shpien pohimet e tyre për të mbështetur legjitimitetin e ngritjes së Qendrës. Që të dy nuk bëjnë një vlerësim kritik, me të mirat dhe të metat e instituteve, por hedhin baltë mbi tërë punën dhe arritjet e shkencave shqiptare, më shumë prof. Meta. Goditjet e tij janë përqëndruar në fushën e historiografisë. Për të historia e shkruar e popullit shqiptar ka kaq të meta, boshllëqe dhe gabime sa ajo duhet rishkruar gati e tëra, duke filluar nga historia e lashtë (arkeologjia) e deri te ajo e ditëve tona. Për të duhen rishkruar veçanërisht ngjarjet e Revolucionit të Qershorit 1924 si dhe periudha e Luftës II Botërore dhe ajo e pasluftës, e komunizmit.(Shih "Shekulli", 12 mars). Në këtë rast mund të thuhet se një studiues serioz tregohet modest. Ai nuk hedh poshtë arritjet dhe djersën e të tjerëve, aq më pak të paraardhësve të tij, profesorë të nderuar të vendit të tij, siç po bën prof. Meta në intervistën e vet. Punonjësi i shkencës tregohet zakonisht modest edhe kur është fjala për vlerësimin e punës së tij, ndërsa B. Meta tregohet si njeriu që është në gjëndje të vejë në rrugë të mbarë të gjitha punët e Intitutit, që do të drejtojë! Ai na paraqitet kështu jo me thjeshtësinë e shkencëtarit por me mburrjet e politikanit në pushtet në shërbim të propagandës partiake të ditës. Euforia e Prof. B. Metës arrin deri aty sa t'i vejë vetes për detyrë të "flakë tej [nga Intituti i Historisë] çdo lloj mbeturine ideologjike dhe të respektojë maksimalisht lirinë akademike" (Po aty). Në këtë rast drejtori i ri Institutit të Historisë harron se në sistemin e sotëm të qeverisjes pluraliste qarkullojnë apo bashkëjetojnë shumë ideologji, ndërsa thirrja për "lirinë akademike" mbetet thjesht një sllogan propagandistik kur vetë ai kërkoi të fshinte Mozaikun nga ballina e Muzeut Historik Kombëtar, sikurse është bërë tanimë e njohur publikisht. Më në fund më duhet të them se Drejtori i ri i Institutit të Historisë i ka ngarkuar vetes aq shumë detyra sa ka harruar nëse mund t'i kryejë ato gjatë kohës së qëndrimit të tij në atë post. Sepse sipas procedurave të ndjekura për gjatë periudhës së fundit 17-vjeçare, prof. Meta atë vend e ka të sigurtë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2009-ës. Paskëtaj e ardhmja do të varet nga rezultati i votimeve. Pikërisht mënjanimin e kësaj tutele të pushtetarëve dëshironte shumica e albanologëve, kur nuk u bashkua me të ashtuquajturën reformë, synimi kryesor i së cilës ishte, siç po vërtetohet nga ecuria e gjërave, t'i fuste studimet albanologjike në kthetrat e pushtetit politik. Prof. Meta atë vend e ka të sigurtë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2009-ës. Paskëtaj e ardhmja do të varet nga rezultati i votimeve. Qeveritarët e sotëm po përdorin pushtetin duke bërë ndryshime në organet drejtuese të Akademisë dhe të instituteve albanologjike për t'i shtënë këto nën kontroll.
|