|
Piktorët italianë ndërmjet dy luftërave. Kuratorja Morelli zbulon ata që u arratisën nga Italia e kohës.
Pa dashur ta shohin realitetin në sy, kërkuan prehje në format e përkryera të antikitetit. Ishin kohë të tensionuara po nuk mbajtën asnjë pozicion, ndërkohë qëhapësirat e krijuara nga regjimi i Mussolinit, u "përdorën" për propagandën fashiste. Kjo është fabula e ekspozitës "Shkolla romane. Artistët mes dy luftërash" që u hap dje në Galerinë Kombëtare të Arteve. Prezantohen mbi 40 punë të autorëve të shquar italianë, si Mafai, Trombadori, Scipione, Donghi, etj. Karakteristikat e kësaj shkolle i gjejmë edhe tek artistët shqiptarë Qamil Grezda, Zef Kolombi e Kristina Koljaka, që zbulohet të kenë pasur një marrëdhënie të ngushtë me piktorët e Shkollës së Romës, në periudhën mes Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore. Kuratorja e ekspozitës, Francesca Morelli flet mes të tjerash për gazetën, edhe për izolimin e artistëve dhe praninë e dokumentuar në fotografi të krerëve fashistë si Mussolini e mbreti Viktor Emanueli III, në kulturën e kohës. Çfarë ofron Shkolla romane për historinë e artit?
Është një periudhë që ka shoqëruar nga pak gjithë historinë e artit. Në periudhën e parë që shkon deri më 1926, u ndje nevoja të gjendej një qendër e re ekuilibri për njeriun pas luftës. Pas Luftës së Parë njeriu u bë i ndërgjegjshëm, se ishte e nevojshme të ndërtonte botën, që duhet të gjente një tjetër gjuhë ekspresive të përshtatshme për njeriun kontemporan. Ndaj hodhën sytë tek klasikja. Artistë si Mafai, Scipione, Donghi, studiuan në galeritë më të mëdha të Romës, madje dhe në Vatikan, atë që bënë artistët në të shkuarën, si Rafaelo, Mikelanxhelo etj. Morën antiken për ta vendosur brenda artit të tyre, si një element që i jep forcë gjuhës bashkëkohore. Mund të quhet një "Rilindje" e dytë?
Po, është një lloj "rilindjeje" sepse avantgardat historike, si kubizmi, spostuan vëmendjen nga njeriu tek "natura morta", peizazhet, për të gjetur një gjuhë të re. Ndërsa ky brez punoi shumë mbi natyrën njerëzore, që mbetet gjithsesi me një vështrim pezull në kohë dhe në hapësirë, jashtë realitetit. Janë shumë të lidhur me metafizikën që është një gjuhë karakteristike italiane. Po hap pas hapi duke zhvilluar çështje që nuk janë vetëm italiane, po dhe ndërkombëtare i hapet rrugë ekspresionizmit që përfaqësohet nga piktorët e "Rrugës Cavour", si Mafai apo Scipione. Një periudhë që zgjati shumë pak, pasi përfaqësuesi kryesor, Scipione vdiq 29 vjeç nga tuberkulozi. Duke qenë në dijeni të vdekjes së tij, në vepër ndihet tepër prania e vdekjes, shkëputja e frikshme nga jeta. Na ka lënë vetëm 30 punë, por disa prej tyre janë kryevepra të '900-ës evropiane.
Edhe pse një periudhë plot tensione, duket se piktorët italianë nuk kanë dashur të përfshihen në të, por arratisen… Artisti italian, në përgjithësi, nga '800-a e këtej nuk preferon të marrë një pozicion ideologjik në raport me realitetin, apo pushtetin, si artistët francezë e gjermanë. Dhe kjo nuk është shumë pozitive sipas meje. Kemi bërë një studim mbi artistët e kësaj periudhe që na kanë lënë punë të bukura, që mund të rrinë në nivelin e Picasos (De Cirico është ana metafizike e Picasos). Në një situatë kaq të vështirë, ata nuk e kuptuan tragjedinë drejt së cilës po shkonte vendi. Nuk u përfshinë. Por jo vetëm artistët, por edhe intelektualët dhe një pjesë e mirë e Italisë, që fillimisht mendonte se fashizmi ishte një periudhë e rëndësishme, një revolucion i së majtës, që do të sillte një jetë të re, një mundësi të re për vendin. Dhe arti që ata zhvilluan duke u mbështetur në antikitet, u ndërtua në mënyrë të tillë, që krijon përshtypjen e një tensioni të madh. Si në rastin e një nudoje të Mafait, që duket si një britmë e brendshme, ku mishi ndjen tragjedinë e luftës.
Ju po ekspozoni fotografi të kohës ku dallohet Mussolini apo Viktor Emanueli III. Sa ka ndikuar politika në artin e kësaj periudhe?
Musolini ndoqi një politikë shumë inteligjente. Për të pasur mbështetjen e intelektualëve dhe artistëve në veçanti, nuk i pengoi ata. Përkundrazi ngriti një sistem të tërë në këtë drejtim. Zgjodhi një piktor si këshilltar, si njeri i besuar dhe ngriti një sistem qeveritar, që shpërndante çmime e organizonte ekspozita, që artistët të mund të fitonin. Musolini u dha mundësinë që të shprehen, të udhëtojnë, sepse e kuptoi menjëherë se sa i rëndësishëm ishte arti si biletë vizite, si mjet propagandistik për jashtë. U vendosën raporte të rëndësishme edhe me Ballkanin. Në Arkivin Qendror të Shtetit kemi gjetur dokumente të papublikuara më parë në lidhje me ekspozita në Bukuresht, Pragë, Budapest. Artistë shqiptarë vinin në Romë, sepse praktikisht arti ishte mjeti më i mirë për të komunikuar dhe për të bashkëpunuar. U ngritën pavione në Bienalen e Venezias për vendet e Ballkanit, si Rumania, Çekosllovakia. Qëllimi ishte që binarët politikë të ecnin paralelisht me ata të ndërtuar nga arti. Zbulohet se artistët italianë nuk kanë pasur lidhje vetëm me artistët francezë. Piktorë shqiptarë kanë qenë të pranishëm vazhdimisht në ekspozitat e hapura në Romë. Përmenden edhe lidhjet që piktori Mario Mafai kishte me këta artistë. Nuk i njihja më parë, por në punët e artistit Qamil Grezda, Zef Kolombi e Kristina Koljaka, vërejmë të njëjtat karakteristika me shkollën e Romës, raporte ngjyrash, kompozicion dhe vëmendje drejt njerëzores.
|