| Bakalli i rri fort Formės |
|
|
| Monday, 09 June 2008 | |||||||
Nëse nuk gaboj, do t’u largohem me dashje temave të pikturës së Naxhi Bakallit. Kjo ka një arsye plus, e cila lidhet me elementin më të fortë të krijimtarisë së tij që është forma. Ky arsyetim lidhet me njohjen e gjurmëve të një pjese të krijimtarisë së tij në disa periudha.
A mundi Bakalli ta përdorte ngjyrën me gjithë forcën në periudhën socialiste? Mendoj se jo. Krijimtaria më e fundit e Naxhi Bakallit është përfaqësuese e artit abstrakt Nëse nuk gaboj, do t’u largohem me dashje temave të pikturës së Naxhi Bakallit. Kjo ka një arsye plus, e cila lidhet me elementin më të fortë të krijimtarisë së tij që është forma. Ky arsyetim lidhet me njohjen e gjurmëve të një pjese të krijimtarisë së tij në disa periudha. Duke lexuar më së fundi, nga të tjerë, për një marramendje të tij figurative mbi epikën, lirikën, motivin dhe figurat e trashëguara nga populli e të tjera shprehi të ardhura nga vlerësuesit tanë të nderuar të së shkuarës, të cilët nuk kishte sesi t’i shmangeshin retorikës perifrazeologjike dhe të njëtrajtshme që e vendos në vend të parë rëndësinë e temave dhe të subjekteve dhe në vend të dytë kryesoren e kryesoreve, formën, mendoj të jap disa shpjegime vetjake mbi pyetjen: Pse Bakalli i është ngjeshur fort Formës? Nuk mund të mos i referohem individualitetit mendimtar të Dhimitër Paskos të brendashkruar tek prozatori i madh i cili që në vitet ‘30 e vlerësoi drejt fenomenin formë duke na lënë trashëgim fjalë të mënçura si këto: “Në ierarkinë e elementëve që përbëjnë vleftën e një vepre poetike, (e një vepre arti) forma ose trajta zë vendin e parë. Kuptimi ose përmbajtja nuk vijnë përçse në radhën e dytë…sepse, sa e sa nuk mundin të kenë mendime të nalta e mbase hyjnore, sa e sa nuk mundin të kenë ndjenja të thella e të këthjellta, sa e sa nuk mundin të ndjejnë e të shijojnë shpirtërisht bukuritë e jetës dhe të natyrës, gazin e ditës, magjinë e mbrëmjes ose misterin e natës…po të gjithë këta duke mos patur mundësinë e brëndshme t’i shprehin këto ndjenja e mendime të veshura me veshjen e poezisë (me veshjen e veprës së artit), pra të formës si…përfytyrimet, rimën, rithmin, fonologjinë e stilin nuk janë vjershëtorë (nuk janë artistë, piktorë…). I veçova në këtë shkrim idetë e vlera të Kutelit për të vijuar, gjithmonë sipas meje, me tri arsye mbi pyetjen e mësipërme për pikturën e Naxhi Bakallit. Së pari ai jeton me linjën. Duke shkuar pas në kohë, vepra e tij na jep përgjigjen e parë, e cila lidhet plotësisht me rëndësinë e linjës vizatuese. Për çdo artist të fushës së arteve vizive, linja është fillesa, është origjina, është burimi i formimit të fizionomisë së artistit, është njohja me të tjerët, është krahasimi me ta. Me rritjen e artistit ajo kthehet në biografinë e ndjesive të tij, bëhet fushë konkrete e transmetimit të së brendshmes, dhe në fundin e vet kalcifikohet në anatominë e përfytyrimeve mbi botën e ndryshme të sendeve dhe të emocioneve, që piktori lë trashëgim në krijimin e tij për artin dhe për të tjerët. Askush në njohjet e veta nuk do të mund të përjashtonte linjën e Naxhi Bakallit, i cili e përdorte dhe e përdor në perfeksion për të na dhënë emocionin e tij mbi objektin që vizaton apo konturon. Linja vizatuese e piktorit është forca më e madhe që ka ai në brendashkrimin e fenomenit të thënë rëndom talentit. Do ta barazvlerësoja talentin e tij me goditjen që të jep një linjë vizatuese, e cila e nderon Bakallin deri në veprën më të fundit të tij, ekspozuar dhe në ekspozitën “Enigmë e pezullt”. Pikërisht linja vizatuese nuk e ndan veprën e Bakallit në dy periudha, siçe ndan krijimtarinë e shumë artistëve të tjerë. Së dyti ai e do ngjyrën. Për çdo kënd që i afrohet pikturës për të ditur, se ç’është ajo, do të vendosë ngjyrën si të parën gjë, që di për të dhe, si të parin element që e lidh me pikturën. Në kohën kur Bakalli u rrit dhe u edukua me pikturën, ngjyra ishte potencial figurativ i respektuar ndër piktorët shqiptarë dhe bisedat rreth saj përfshinin jo thjesht studimet në shkollat e artit, po dhe diskutimet rreth ndjeshmërisë së secilit piktor ndaj përdorimit të ngjyrave. Studiuesit e Kandinskit shkruajnë për të se “Magjepsja ndaj simbolikës së ngjyrave dhe psikologjisë vazhduan ta rrisin atë”. Ngjyra për piktorin Bakalli ishte element i çmuar në duart e tij dhe ai donte ta përdorte mirë. Por a mundi Bakalli ta përdorte ngjyrën me gjithë forcën në periudhën socialiste? Unë mendoj se jo dhe në këtë kuptim ngjyra e ndan krijimtarinë e Bakallit në dy periudha. Në periudhën e parë, ai nuk e ka shpërthyer ngjyrën, edhe pse e ndiente atë, nuk e ka nxjerrë të gjithë shtresëzimin e saj jashtë ndërgjegjes së tij, por e konservoi njohjen mbi të. Ndërsa pas viteve `90 Bakalli, deri tek kjo ekspozitë e fundit, tregoi se ngjyra është një nga qenësitë vendimtare të ndërgjegjes së tij krijuese. Ajo është pjesë figurative e shtresëzuar e emocioneve dhe ndjesive të piktorit ndaj botës së objekteve dhe të ideve. Ngjyra në vetvete ka elemente të fshehta të cilat zbulohen nga piktori në çastin më fillestar. Ai lidhet me kapacitetin dhe dendësinë e ndjesisë së tij shpirtërore ndaj saj, lidhet me aftësinë e shqisave për të vëzhguar mbi përbërjen e saj, lidhet me nivelin e elementeve psikologjike të mbarsura në anën e brendshme të psikikës së vet. Në këtë ekspozitë ai e ka zbuluar ngjyrën si një çast jetik të veprës. Së treti ai ka dëshirë të abstragojë. Krijimtaria më e fundit e Bakallit ka një informacion të qartë e të pastër. Në gjuhën më të shpejtë dhe në pamje të parë çdokush mund ta quante një informacion të plotë dekorativ, dhe dekorativiteti i tij, nuk mund të mohohet, është një element tregues, por thelbësisht kemi të bëjmë me artin abstrakt dhe veçanërisht kemi të bëjmë me abstraksionizmin gjeometrik si një nga format e artit abstrakt. Ndërmjet shekullit XX diskutimet ekritikëve dhe artistëve, rreth kësaj forme arti, tregojnë se veprat e tij ishin burim i reduktimit ose i llojeve të pastra të abstraksionit, të cilat shpeshherë sugjeroheshin nga abstragimet gjeometrike, të cilat paraqisnin domosdoshmerinë e theksimit të lartësive dhe gjërësive, që tërhiqnin vemendjen rrënjëve të plastikës dhe dydimensionalit të pikturës si një medium artistik. Pikërisht Bakalli ka përdorur së pari dydimesionalin e pikturës, të cilin e respekton si një medium “fanatik dhe tradicional” për të renditur enigmat rreth asaj që e rrethon. Dhe enigmat tashmë janë plane bazë, katrorë ose drejtkëndëshe, kënde, kulme, linja të bashkuara, rrathë, dimensione të ndryshme dhe theksime të ndryshme, të cilat kanë buruar nga çasti krijues, nga vlera e së panjohurës, nga trysnia që ajo ushtron çdo herë, nga dëshira e nevojshme për ta njohur, nga ankthi për ta ndalur të panjohurën atje ku ajo shfaqet. Dhe piktori mund ta bëjë këtë. Krijoi simbolikën e ngjyrës, i dha sinjifikim gjeometrizmit dhe e pranoi të panjohurën si brenda vetes ashtu dhe jashtë saj. Gjatë zbulimit e quan fenomen në vazhdim, e brumton me fenomenin e vetvetes dhe më pas e ndal mbi një dydimensional, duke i dhënë fizionomi të qarta vizionare dhe disa herë hipervizionare. Nëse ma lejon një fjali e vetme mund të them: krijimtaria më e fundit e Naxhi Bakallit është përfaqësuese e artit abstrakt, rrethshkruar në artin modern, e pasur me elemente gjeometrike që përfaqësojnë enigmat njerëzore mbi fenomenin njeri dhe botën që e rrethon, e konkretizuar nga planet koncize, njollat e ngjyrës dhe tonalitetet e saj, që nuk janë abstragim matematikor, por pronësi e madhe e formës, e lindur nga linja vizatuese si prodhim i forcës emocionale që i ka dhënë drejtimin lapsit dhe penelit nga dora dhe vetëdija e piktorit. Shekulli.
Powered by !JoomlaComment 3.21
3.21 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved." |
|||||||
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|



