| Burg dhe liri |
|
|
| Friday, 14 March 2008 | |||||||
|
"Antidota më e mirë kundër zbrazëtisë dhe mërzitjes. Libri", quhej ceremonia e dorëzimit të librave nga 7 shtëpi botuese, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ishte ceremoni mediatike, në qendër të Tiranës, me një koktejil ku shërbehej edhe verë. Destinatorët e këtyre librave, të burgosurit, do të kishin qenë vërtetë të gëzuar sikur të ishin pjesëmarrës në këtë ceremoni, për t'u ndier ashtu "të integruar" siç pretendohet nga shoqatat që propagandojnë dhe mbikëqyrin gjendjen e të drejtave të njeriut edhe në burgjet shqiptare. Por… mjafton mendimi i mirë. Shtëpitë Botuese, "Max", "Scanderbeg books", "Ombra GVG", "Toena", "Gjergj Fishta" dhe "Dita 2000" kanë dhuruar libra përata që vuajnë dënimin në burgjet e Shqipërisë. Nuk mund të thuash që janë titujt më të fundit të shtëpive botuese, megjithatë për të izoluarit, çdo gjë që hyn brenda katër mureve mund të duket e re. Edhe vetë Avokati i Popullit, Emir Dobjani, thotë se për këtë rast u është bërë thirrje shtëpive botuese që nga fondet dhe nga magazinat e tyre të nxjerrin të paktën edhe "ata libra që konsiderohen edhe si të pashitshëm". Kjo është sipas Dobjanit një iniciativë e nisur para një viti kur Komiteti i Helsinkit në bashkëpunim me Avokatin e Popullit organizoi mbledhjen e librave për bibliotekën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, por në të vërtetë ka qenë Shtëpia Botuese "Max" që dy vjet para ka dhuruar libra për burgun e grave në Tiranë.
Një psikologe e burgjeve në Tiranë, ishte tepër e druajtur për të folur për këtë çështje me mediat, por sigurisht profesioni nuk ia lejon që të jetë e tillë edhe në komunikimin me të burgosurit (!)
Të gjithë të pranishmit e quajtën hap pozitiv nismën e Drejtorisë së Burgjeve, të mbështetur nga Shtëpitë Botuese, por në të njëjtën kohë pranuan se burgjet tona kanë edhe shumë probleme të tjera. "Kemi ende probleme. Kemi ende dhunë në burgje, kushte të papërshtatshme, një numër mbi 100 mijë vetë mbi kapacitetin e burgjeve tona", - thotë Dobjani, ndërsa shton se kushtet nuk mund të përmirësohen brenda pak muajsh. Por ai bën krahasim në vite dhe që nga viti 2000 thotë se ka një progres të mirë në përmirësimin e kushteve të burgjeve. Ai solli edhe shembullin e kushteve në ambientet e paraburgimit në Vlorë që kanë ndryshuar shumë së fundmi. "Ju e dini që është një aksiomë se nëse doni të shikoni se sa një shtet respekton liritë dhe të drejtat e njeriut, duhet të shikojë se si respektohen këto për të burgosurit. Kështu që të gjitha hapat që bëhen drejt përmirësimit të gjendjes së të burgosurve është gjë shumë e mirë", - thotë Emir Dobjani. Avokati i Popullit i bën thirrje shtëpive të tjera botuese, shoqërisë civile, universiteteve e bibliotekave, të dhurojnë libra për këta njerëz, që më shumë se kushdo tjetër ka nevojë për të mbushur zbrazëtinë dhe mërzitjen. Që kanë nevojë për një mik në qeli.
Powered by !JoomlaComment 3.21
3.21 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved." |
|||||||
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|



