|
Aktori dhe regjisori Rikard Ljarja festoi dje 65-vjetorin e lindjes. Si edhe herë të tjera, rrëfimi mbi veten është i tepërt. Modeli i artistit shqiptar: i kam thënë të gjitha. Njohja e më të rinjve me aktorin dhe regjisorin e kinemasë së realizmit socialist mbyllet me një gotë verë.
Nuk e ka festuar asnjëherë ditëlindjen më 1 prill. Arsyeja është që priste ditën e rrogës çdo datë 3, por ndoshta në mënyrë të pandërgjegjshme i është larguar ditës së gënjeshtrave. Përkundër "vip-ave" të sotëm që kanë zgjedhur si rrugën më të mirë për t'i bërë publicitet vetes, të tregojnë gjithçka, pse jo edhe gënjeshtra, Rikard Ljarja, ka vite që bën tërësisht të kundërtën. Është tërhequr prej kohësh nga skena dhe ekrani dhe nuk ka treguar ndonjë interes karshi mediave. Kështu pra, kur kanë kaluar 10 ditë nga "festa e rrenave", dje, në ambjentet e Arkivit të Filmit, Rikard Ljarja festoi 65-vjetorin e lindjes. Për shumë ishte surprizë kjo "rishfaqje" e tij. Një rast për të thyer heshtjen, për të treguar për jetën, për punën, për pengjet… Por edhe këtë herë Ljarja, ashtu si edhe kolegë të tjerë të tij, regjisorë me emër, që nuk pëlqejnë të flasin për veten, nuk pranoi të "zbërthehet". Një shkodran nuk e ka të vështirë t'i kalojë të gjitha situatat me nga një batutë humori, madje edhe me xhentilesë t'i bëjë bisht pyetjeve. Siç e donte zakoni, dollibashi tha nja dy fjalë. Falenderoi të pranishmit, kolegët e ish-Kinostudios me të cilët ka punuar vite të tëra, Arkivin e Filmit, që organizonte ditëlindjen… "Të gjithë ne jemi nga pak arshiva dhe mendoj se brezi im duhet t'ia lërë vendin brezit të ri, që është shumë i talentuar, por që nuk ka shumë mundësira", - tha ai. Takimit i mungoi moderatori i zakonshmën Piro Milkani, kështu që hyrja nuk ishte shumë e gjatë. U ulën dritat dhe në ekranin e madh u shfaq një kolazh me pjesë filmash ku Rikard Ljarja ka bërë aktorin, regjisorin apo skenaristin. Një montazh i thjeshtë. Duket se njerëzve të Arkivit nuk u ishte dashur shumë kohë të shkëpusin ca pjesë nga fimat më të njohur, e aq më pak për të treguar ndonjë mjeshtëri në montim. Të paktën të kishte ndonjë lidhje organike mes karaktereve, apo tematikave, batutave.
Në ekran shfaqet Dritan Shkaba, mësuesi që vritet pas shpine sepse u mësonte shkrim e këndim fëmijëve në malësi, pastaj Deda, fillërojtësi hero, që vdes në krye të detyrës për të lidhur njerëzit (edhe pse nuk u shfaq në qëndrimin "mitik" majë shtyllës elektrike). Pastaj shfaqet komisari tek "Radiostacioni", intelektuali tek "Plagë të vjetra" e "Në pyjet me borë ka jetë", agjenti i SIM-it, që "gëlltit një herë një lugë çorbë të prishur e pastaj vjell për gjithë jetën"… Pamje të pashfaqura më parë ato të filmit "Skëterrë 43", me skenar të Bashkim Shehut, ku krahas vetë Ljarjes që bën edhe rolin e regjisorit, luan edhe Xhevdet Feri, në fillimet e veta asokohe. Filmi i realizuar në vitin 1980 u ndalua të shfaqej një vit më vonë. Ishte e kuptueshme. Vetëvrasja e Mehmet Shehut ishte ende e freskët.
Rolet ndjekin njëri-tjetrin.. Një jetë e tërë. Në fund të kolazhit, askush nuk u çua të ndante diçka mes miqsh, një regjisor, apo një koleg. Thua se ajo është një periudhë së cilës nuk ke më ç'i komenton. Se është diçka e paprekshme, e cila i ka thënë të gjitha dhe na mbetet veçse ta adhurojmë, si diçka të largët, të pakapshme. Ndërkohë që janë pikërisht këto rastet ideale, për të folur, pa qefmbetje për atë çka është bërë, që ishte e bukur, ose jo, për atë çka ishte e vështirë, që mund të ishte bërë më mirë, për atë që është bërë me kompromise duke shkelur mbi parimet e artit, mbi pasionin, madje dhe mi veten. Po qoftë edhe një kujtim. Mjafton një dolli me një gotë verë.
Veç kolazhit filmik nuk u shpërnda ndonjë album, qoftë edhe modest, për ta bërë të pranishme atë periudhë krijimtarie, e cila është e njohur vetëm për publikun e një farë moshe. Të rinjtë e sotshëm njohin nga Deda ndonjë batutë që i rezistoi kohës, por asgjë më shumë. Dhe Ljarja nuk ka se ç'thotë më për të. "E ç'të themi më për Dedën!", - thotë ai, edhe pse preferon që këtë rol ta nxjerrë jashtë atyre skematikëve. "Ai nuk është Hero i Partisë. Është njeri i thjeshtë dhe ka një mision të jashtëzakonshëm simbolik. Ai lidh njerëzit. Kjo është shumë njerëzore. Ato figura skematike, që krijoheshin atëherë, të gjithë jemi munduar t'i japim mish e gjak", - vëren Ljarja. Ndërsa nuk preferon të shtojë asgjë për "Skëterrë '43", filmin e ndaluar. Thotë se ashtu ishte koha dhe se tani mund ta gjesh me DVD në treg. Është i rezervuar edhe për faktin që shkruan. Nuk do t'u hyjë "në hise" atyre që e kanë zanat. Por nuk e fsheh që së shpejti do të botojë një libër të ri. Me ngurimin që ka për të folur, duket se i druhet asaj shprehjes së përdorur dikur, në vitet '70-'80, ku personazhet e tij ishin të pranishëm thuajse çdo natë në ekranet e shqiptarëve: "Në shtëpi bëhemi pesë vetë, bashkë me Rikard Ljarjen". Një shprehje që ia kujtoi dje, Xhevdet Feri, ndërsa gazetarët mundoheshin t'i "vidhnin" ndonjë fjalë. Thua se ajo është një periudhë së cilës nuk ke më ç'i komenton. Se është diçka e paprekshme, e cila i ka thënë të gjitha dhe na mbetet veçse ta adhurojmë, si diçka të largët, të pakapshme
|