Gėrdeci i Pashallėqeve tė Mėdha Printoni E-mail
Vlerėsimi nga pėrdoruesit: / 0
I dobėtMė i miri 
Saturday, 22 March 2008

Politika e qytetarit

Intervista / Gërdeci i Pashallëqeve të Mëdha

Ngjarjet në Gërdec duhet t'i kthejnë njerëzve vetëdijen për një ndërgjegje qytetare. Ky është mesazhi i qytetarit Maks Velo në intervistën që analizon tragjedinë me syrin e thjeshtë të qytetarit.

 

Gërdeci, ky fshat deri dje anonim ka mbajtur në bark një shpërthim që shkaktoi një nga tragjeditë e mëdha në Shqipëri. Ju e keni njohur më parë këtë vend?


Gërdecin e njoh mirë sepse kam bërë zborin atje. Mbaj mend që në tunele ishin vendosur tanket dhe unë isha caktuar komandant tanku. Ishte koha pas prishjes me Traktatin e Varshavës dhe Enveri nuk besonte më. Besonte vetëm në armatimet si çdo Sulltan që njerëzit i ka kokrra rëre, vetëm çadra e tij të shpëtojë.


Në shtëpi ktheheshim me gjithë armatime, madje kisha dhe pistoletë. Bënim marshime natën kodër më kodër. Binte shi, balta ishte në gju, flinim jashtë. Pastaj u bë loja e Belshit. Ishte dimër, tanket ngecnin në baltë, tankistët ishin të pamësuar, një tank ra në kanal. Arritëm në vend-betejën. Një avion ia ngjeshi kodrave të Lushnjës.

U ktheva i dërrmuar në shtëpi. Po çuditërisht të nesërmen po vizatoja forma abstrakte. Ishte periudha më pjellore e imja. Kisha filluar që më 1964.


Kështu kanë bërë dhe futuristët më 1908 para Luftës së Parë Botërore.

Në çmenduritë kolektive ngjizen forma të reja arti. Por çmenduritë kolektive popujt e formuar i analizojnë dhe nxjerrin mësime.

Shkak i tragjedisë u quajt shumë herë një gabim njerëzor.


Në Shqipëri katastrofat përsëriten sepse nuk nxirret asnjë përgjegjësi, sepse nuk penalizohet kurrkush, sepse tek ne nuk ekziston respekti, mëshira, kërkimi i pardonit. Çdo gjë është falsitet dhe rrëmbim. Vjedhja dhe vetëm vjedhja është në nënshtresën e secilit. Jo puna, por rehatllëku. Një popull që i shmanget punës ka vetën katastrofa.


Kush do jetë ajo e radhës?


A është momenti t'i mëshohet katastrofës së ndërtimeve pa leje në zonat me municione, duke folur për një tragjedi të tranzicionit në të njëjtën kohë?

Gjithë fatkeqësitë që na ngjasin ndodhin për shkak të lëvizjes së pakontrolluar të popullsisë. Edhe nëntëdhjeteshtata për këtë ndodhi. Kjo zhvendosje solli disekuilibër, zhvedosje gravitacionale që shkakton shpërthime dhe konflikte qoftë me natyrën, qoftë me faktorë artificialë që në këtë rast ishte depoja me municione. Mbipopullimi në zonën Tiranë-Durrës është një kolaps jetësor që rrezikon herë pas herë të krijojë tragjedi të pakontrolluara.

Deri tani ne nuk kemi asnjë informacion sa banesa ishin me leje apo leje në fshatin Gërdec. Nuk është qëllimi që këta familjarë të mbeten jashtë dëmshpërblimit, por për të analizuar fenomenin.


Është tragjedia e radhës e tranzicionit?


Është tragjedia e radhës që nga viti 1912.

Padyshim që në këtë histori dorëheqja ministrit të Mbrojtjes, dorëheqje që ai e quajti "akt i përgjegjshëm", nuk ka për t'u harruar lehtë për frymën jashtë kohe të një ministri dhe për fryrjen nga falenderimet deri tek bashkëshortja që e kish pasur pranë në këtë moment të vështirë.

Më bëri shumë përshtypje mënyra dhe formulimi i dorëheqjes së ish- ministrit të Mbrojtjes. Po lotohej dhe emocionohej si një adoleshent, duke na mallëngjyer edhe ne, se si ai nuk u dha dorën oficerëve dhe ushtarakëve që nuk i takoi dot e më së fundi përmendi mirënjohjen për familjen e tij.

E krahasova pa dashur me dorëheqjen e kryebashkiakut të Nju Jorkut, i cili realisht nuk i bëri keq asnjë qytetari, por vetëm se harxhoi disa mijëra dollarë me një femër, formuloi një dorëheqje disa sekondëshe. Fare thjesht. Mediu nuk ndjen asnjë përgjegjësi dhe në atë mënyrë na thotë neve që ju jeni fajtorë që po largohem unë gjeniali dhe i papërsëritshmi.

Mu kujtua që disa ditë përpara kur ishte për vizitë zyrtare në Londër dhe u prit nga ministri i Mbrojtjes i Anglisë. Mediu ynë sillej me të sikur ai të ishte ministri i Shqipërisë dhe Mediu ministër i Anglisë. Shihen nga larg që u mungon kultura, thjeshtësia, përgjegjësia (se në çdo moment mund të ngjasë një katastrofë), por vetëm flasin pa fund për FITORE të kabinetit.

Dua të shtoj edhe diçka. Ka shumë ngjashmëri midis drejtimit të dikastereve të Mbrojtjes nga Zhulali dhe Mediu. Të dy sollën katastrofa dhe duhet të mbajnë përgjegjësi. Të dy ishin jo ekspertë të fushës, të dy sa kalonte koha ngrefoseshin dhe bëheshin të papërballueshëm, të dy servilë ndaj Berishës, të dy sollën katastrofa. Anglezët gjykuan mbretin George pas 500 vjetësh, ne duhet të gjykojmë këta dy ministra, megjithëse njëri është i vdekur.



Së fundi qytetarë dhe opozita bashkë kërkojnë dorëheqjen e Berishës. Cila është përgjegjësia e qeverisë?


Në vitin 2008, unë për herë të parë mësova se flemë në një tokë të minuar. Afërsisht kisha njohuri, por tani kuptoj se isha shumë larg së vërtetës. Kemi 100.000 ton municione. Shqipëria fle dhe gdhihet mbi barut. Dhe kjo na thuhet mbas 19 vjetësh. Dhe kjo na thuhet vetëm në këtë rast. Kur duhet të ish gjëja e parë që duhet të dinte çdo qytetar. Çdo qytetar ka të drejtë të dijë sa është e garantuar jeta e tij. Për këtë gjë duhet që partitë politike të raportonin në fushatat zgjedhore. Asnjëri nuk e ka përmendur. Si është e mundur që një komb të degjenerojë në këtë mënyrë? Të dojë armatimin mbi punën? Të duash vrasjen mbi jetën?

Sa më tepër kalon koha ridimensionohet figura e përbindshme e Enver Hoxhës. Ashtu si Sulltanët që sundonin Evropën e kulturës dhe të shkencës, edhe Enveri urrente Evropën dhe Amerikën. Dhe u arrit në çmendurinë më të lartë, tek besimi se do të mundnin gjithë fuqitë imperialiste dhe revizioniste së bashku. Për këtë duhet të ishim shtet kamikaz. Dhe u bëmë shtet kamikaz.

Shpërthimi i Gërdecit ish mishërimi i politikës kamikaze. Bile atë ditë që shpërtheu ky fshat, një grua kamikaze hodhi veten në erë në Irak duke vrarë 33 vetë. Lajmi i Gërdecit jepej midis shpërthimit në Afganistan dhe shpërthimit në Irak. Tre shpërthime në një ditë, dhe që ne ishim në mes.

Gjatë shekujve të pushtimit osman jemi ushqyer me urrejtjen ndaj Evropës, urrejtje e kthyer në armatim, nga i cili po vrasim veten. Urrejtja e fundit e madhe ndaj Europës, ish komunizmi. Vendi është mbushur me tunele dhe tunelet janë mbushur me armatime. Duhet urgjentisht të botohet lista e gjithë municionit dhe çdo bëhet me to. Kjo duhet të jetë parësorja e çdo partie dhe e parlamentit. Çdo bashki e ka për detyrë të ndjekë çarmatimin në prefekturën e saj. Të gjithë të bëhemi koshiente. Sa për qeveritarët i pamë se sa janë koshiente, dhe të përgjegjshëm.


Media është sulmuar keqas nga qeveria. Ju si e keni ndjerë rolin e saj?


Gjithë zhvillimet e ngjarjes i kam marrë vesh nga media në mënyrë të detajuar dhe precize. Por ndjenja që më pushtoi kur shihja BBC-në, CNN-in, SKY-in, ishte turpi.

Mbulohem nga turpi. Më vjen turp para qytetarëve të Ballkanit, të Evropës, të Botës. Ne bëjmë vetëm lajme turpi. Vetëm bëma turpi. Ne jepemi si lajm ose për vrasje, ose për drogë, ose për shitje armësh, ose për prostitucion, ose për shpërthime, për piramida financiare dhe piramida korrupsioni. Më vjen turp nga qeveritarët e mi, nga parlamenti im. Si nuk arrijmë të kuptojmë se jemi bërë turpi i Ballkanit, turpi i Europës. I kemi gënjyer, u kemi luajtur teatër para syve, u kemi vjedhur ndihmat, por tani ata naivët na i kanë mësuar HILETË ORIENTALE, na njohin mirë, dhe tani luajnë ata me ne, kur bëjnë sikur na besojnë.

Sillen me ne sikur të ishim fëmijë të prapë, që meritojnë shkollën e riedukimit. Dhe na mbajnë afër që të na kenë nën kontroll, sepse nuk kanë se si të na shkulin që këtu. Po të mundnin do na hiqnin dhe do të na ankoronin te BABA.


Kjo ngjarje është nga ato që e bjerrin besimin e qytetarit. Njerëzit i dëgjon tek thonë se Shqipëria është një vend i mallkuar.

Besimin duhej ta kishim humbur që në 97-ën, e cila nuk u analizua si duhet, dhe kjo do të na ndihmonte. Nëntëdhjetë e shtata është e vetmja gjë që kemi bërë.

Shekulli. 

 

Komente
Shto Koment Kerko Komentet
Shkruaj nje Koment
Emri Juaj:
Email(opsional):
 
Titulli:
Jepni kodin e sigurise qe shikoni ne imazh.

3.21 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

 
< I mėparshmi   Tjetri >
Generated in 0.43372 Seconds