| Gottfried Benn, madhėsi pėr tu njohur |
|
|
| Sunday, 16 March 2008 | |||||||
|
Gottfried Benn është pa dyshim njëri prej tyre, për nga rëndësia dhe ndikimi që ushtroi mbi breza të tërë poetësh, i krahasueshëm ndoshta me Rimbaud-në e Apolliniare-in në Francë ose Yeatsin, Owenin e Elliotin në letërsinë angleze. Fakti që në letrat tona ka mbetur i panjohur deri më tani, shpjegohet më së pari, me arsyen e përgjithshme që poetët e Europës Qendrore e nordike shumë pak janë përkthyer e shijuar në gjuhën tonë, së dyti me historinë e veçantë të Bennit nën regjimin nazist, si ndër të paktit në mos i vetmi shkrimtar i të tilla përmasave që e përshëndeti së pari këtë regjim, pastaj u tërhoq në të ashtuquajturin emigracion të brendshëm. Për të kapërcyer deri-diku këtë zbrazëti, Shoqata gjermano-shqiptare e kulturës “Robert Schwartz” ka shpallur një konkurs për përkthyes profesionistë e të rinj me poezi nga Gottfried Benn. Konkursi mbyllet në 13 prill, informacioni dhe poezitë për t’u shqipëruar gjenden në faqen e Internetit www.dtalkuge-rs.com. Qëllimi veç popullarizimit, është identifikimi i përkthyesve të rinj të poezisë, mungesa e të cilëve sidomos për poezi nga gjuha gjermane po ndihet gjithmonë e më shumë. Po kush ishte Gottfried Benni dhe ç’përfaqësoi ai në letërsinë dhe shoqërinë gjermane të gjysmës së parë të shekullit 20? Pati lindur më 1886 në një fshat të vogël të Gjermanisë verilindore, nga një nënë zvicerane e baba prift protestant. Të tillë kishin qenë edhe gjyshi e stërgjyshi, kështu edhe Gottfriedi do të studionte më së pari teologji. Por shpejt ndërroi degë dhe u regjistrua për mjekësi në Universitetin Perandori Wilhelm në Berlin, ku u diplomua më 1911. Praktikat e para i bëri në fushën e psikiatrisë dhe të autopsive. Për një periudhë të shkurtër kreu afër 300 të tilla që i dhanë edhe lëndën për vëllimin e parë me poezi “Morgu“ (1912). Ishte një libër që shokoi publikun por edhe i dha famë të shpejtë Bennit si poetit kryesor ekspresionist gjerman. Poezitë janë shumë provokuese: me detajet e pamëshirshme të shpërbërjes së trupit njerëzor, çmontohen edhe strukturat e fundit romantike-religjioze, siç i kishte trashëguar poezia nga shek. 19. Po japim ndonjë shembull të shkurtër: “Qerthulli“ – “Dhëmballa e një prostitute,/ që kishte vdekur anonime,/kishte një mbushje floriri./ Të tjerët kishin rënë të gjithë/ si të ishin marrë vesh njëri me tjetrin./ Atë e hoqi bartësi i kufomave,/ e futi në xhep dhe shkoi në kërcim./ Sepse, tha, vetëm dheu duhet të bëhet dhe.” “Spastrimi që kryen Benni është funksional, shkruan kritiku Bruno Hillebrand. Dëbohen ajri tropikal i psikologjisë dhe ajri prej sere i erotikës së kohës të mëparshme. Ndërkaq Freudi kishte shkruar traktatin e tij për seksualitetin. Iluminizmi kishte përparuar edhe më shumë. Illuzionet e mbetura Benni i bën pluhur me goditjet e tij, por jo që të merret me zbrazëtinë. Këtë ai e mbush dalëngadalë me përjetime psikosomatike e të nënndërgjegjes...” Më 1913 martohet me aktoren Edith Osterloh, ndërsa nga viti 1914-1917 gjatë Luftës së Parë Botërore shërben si mjek ushtarak në Bruksel. Punon gjatë këtu në një spital për prostituta. Më 1917 hap një klinikë të vetën në Berlin për sëmundje të lëkurës dhe veneriane. Në këtë klinikë do të punojë deri në vitin 1935. Më 1917 boton vëllimin “Mish“. “Benni hedh majtas e djathtas mbeturina dhe masë yjore, shkruan një gazetë e kohës. Ai belbëzon, rënkon, bërtet. Ke dëshirë ndonjëherë ta tallësh në ethet e tij të forta, por kur kërkon ta prekësh me dorë të ftohtë, të zë rryma”. Shkruan edhe prozë. Sidoqoftë deri më sot tregimet më të famshme mbeten ato të kohës së ekspresionizmit, të botuara më 1916 nën titullin “Gehirne/Tru”. Pasi boton më 1927 “Poezitë e plota” dhe më 1928 “Prozë e plotë” merret në vitet e mëpasme më shumë me eseistikë. Shumë nga esetë e tij i lexon në radio. Është nga shkrimtarët më të vlerësuar të kohës. Më 1932 zgjidhet në Akademinë Prusiane të Arteve, ku bënin pjesë shkrimtarë të famshëm si Thomas e Heinrich Mann, Alfred Doeblin, Rikarda Huch etj. Më parë i kishte shpotitur akademikët romancierë, “kjo masë përfituesish, këta epikë me diarre, gromësitësit e jargëve anekdodike” etj., tani po ndihej shumë i nderuar. Më 1950 në librin “Jetë e dyzuar” shkruan: “Zgjedhja në Akademi atë kohë ishte një nder i jashtëzakonshëm, më i madhi që mund t’i bëhej një shkrimtari gjerman”. Por me ardhjen në pushtet të Hitlerit në janar 1933, Benni zgjedh një pozicion të ndryshëm nga shumica e shkrimtarëve dhe artistëve të njohur të kohës, që ikin së pari fizikisht, më mbas edhe u digjen veprat publikisht. Në fillim kërkon që Akademia të qëndrojë jashtë luftës politike. Kundërshton ashpër Heinrich Mannin që bën thirrje për një bashkim të frontit të majtë kundër Hitlerit, madje propozon përjashtimin e tij nga akademia, sepse i ka shpallur luftë “një qeverie të zgjedhur në mënyrë të ligjshme dhe kushtetuese“. Ndërsa pas djegies së Reichstagut, u drejtohet kështu kolegëve të majtë: “Në letërsi njerëzit janë tmerruar... Ç’fëmijë! Çfarë shurdhësh! Këtu po ndodh një revolucion, këtu po flet historia! Kush nuk e shikon, është trutharë. Individualizmi i formës së vjetër, socializmi i dikurshëm nuk do të kthehen më kurrë. Kjo është epoka e re e qenies historike“ etj. Në letërsinë gjermane Gottfried Benni, përsa i takon qëndrimit ndaj pushtetit fashist është një rast i ngjashëm me amerikanin Ezra Pound, norvegjezin Knut Hamsun ose italianin Marinetti, shkrimtarë të magjepsur prej diktatorëve si Mussolini, me ndryshimin që entuziazmi i tij mbajti pak. Më 1934, kur Hitleri likuidoi gati 200 oficerë pas të ashtuquajturit puç të Roehmit, Benni shkruan: “Nuk ka më fjalë për këtë tragjedi. Një ëndërr gjermane merr fund edhe një herë... Me sa madhështi filloi, sa e ndyrë duket sot“. Natyrisht në një shkrim si ky, nuk mund të shpjegojmë me hollësi arsyet përse Benni u tërhoq fillimisht prej ideologjisë dhe fanfarave naziste. Mund të kufizohemi vetëm në faktet. Tërhiqet dalëngadalë krejt nga jeta letrare, kërkon të shërbejë si mjek ushtarak dhe vërtet këtë profesion kryen “si emigrant i brendshëm“ deri më 1943, në një kazermë të qytetit të vogël Landsberg. Ndonjë poezi e tij që botohet aty-këtu, merr kritikën e duhur nga shtypi nazist: “Zoti Benn jo vetëm që e ngjyen penën e tij në plagë kutërbuese, por edhe në erotikë nuk mbetet më pas atyre që, për shkak të fëlliqësive që botuan, i dëbuan nga shtëpia. Dorëzohu, poeti Benn, kohët e këtyre qelbësirllëqeve kanë kaluar një herë e mirë. Është për t’u habitur guximi i shtëpisë botuese që arrin të botojë sot, më 1936, një trutredhje të tillë për popullin“ (në gazetën e SS-ve “Korpusi i zi“). Në vitin 1938 i heqin të drejtën e botimit. Më 1943 rihap klinikën e tij në Berlin, e cila si për çudi shpëton nga bombardimet që thuajse e rrafshojnë krejt kryeqytetin gjerman deri në mbarim të luftës. Në prill 1945 gruaja e tij e dytë Herta Wedemayer vret veten për të mos rënë në duar të ushtarëve sovjetikë. I kushtohet mbijetesës dhe profesionit si mjek, netëve si përherë letërsisë. Ndalimi i botimit i diktohet edhe nga aleatët – është pikërisht një shkrimtar i madh emigrant që është kthyer, ai që vendos: Alfred Doeblin. Por më 1948 del në Zyrih vëllimi “Poezi statike“ që përmbledh krijimtarinë e Bennit në një dhjetëvjeçar 1935-1945. Janë poezi të një melankolie të thellë e mjeshtërie të lartë; ky vëllim, bashkë me “Fragmente“ (1951), “Distilime“ (1953) dhe “Apreslude“ (1955) e konfirmojnë Bennin si poetin më të mirë gjerman të kohës. Kritika dhe bashkëkohësit janë entuziaztë. Më 1951 merr çmimin më të rëndësishëm letrar të Gjermanisë, “Georg Buechner“. Benni e pranon nderimin, ndonëse është i rezervuar ndaj asaj që shpallet në publik: “Kur ndodh si me mua në pesëmbëdhjetë vjetët e fundit që publikisht më kanë quajtur nazistët fëlliqësirë, komunistët gdhë, demokratët prostitutë shpirtërore, emigrantët renegat, fetarët nihilist patologjik, atëherë nuk ke ndonjë dëshirë të madhe të dalësh përsëri para këtij publiku“ (në një letër të vitit 1948). Shpresojmë që konkursi i shpallur, të mund të sjellë në shqip, pas Goethes, Heines, Brechtit, në nivelin e mirë të këtyre shqipërimeve, edhe një poet që është i kësaj peshe dhe ka shumë ç’t’u thotë lexuesve tanë.
Powered by !JoomlaComment 3.21
3.21 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved." |
|||||||
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|



