Klanizimi dhe reforma nė albanologji Printoni E-mail
Vlerėsimi nga pėrdoruesit: / 0
I dobėtMė i miri 
Thursday, 13 March 2008
Pse duhej kjo reformë në kërkimin shkencor albanologjik. Për herë të parë drejtori i Qendrës së Studimeve albanologjike, Ardian Marashi, përgjigjet për iniciativën e ndërmarrë pas 17 vitesh në zemër të ish-Akademisë

Është harxhuar kohë dhe para, thotë Ardian Marashi në intervistën e tij të parë si drejtues i Qendrës së Studimeve Albanologjike e dalë nga reforma në Akademinë e Shkencave. Marashi tregon hartën e reformës dhe bën një autopsi të trupit të ish- akademisë dhe nuk nguron të jetë shumë kritik ndaj të nxitjes për dekada të asaj që e quan "klanizimin e shkencës sipas grupeve të influencës".


Qendra e Studimeve Alabanologjike u krijua në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 22 gusht 2007. Në janar 2008 u bë emërimi i drejtorit të QSA, Ardian Marashi, i cili ka kompetencat e koordinatorit shkencor dhe të përgjegjësit administrativ kompetencë e cila i lejon që të emërojë anëtarët e brendshëm të Këshillit Drejtues të QSA, ndërsa anëtarët e jashtëm janë kompetencë e Këshillit të Lartë të Arsimit dhe Shkencës. Anëtarët e brendshëm janë 7: drejtori i Qendrës, drejtorët e Instituteve dhe Kancelari, kurse anëtarët e jashtëm janë 6.

Marashi bën të ditur se është llogaritur që asnjë punonjës shkencor me titull nuk do të preket nga kjo reformë.


Në ç'fazë është krijimi i Qendrës Albanologjike dhe a mund të na bëni me dije drejtorët e parë të emëruar?

Këshilli Drejtues i QSA sapo është formuar dhe ka zhvilluar mbledhjen e tij të parë.

Përzgjedhja e drejtorëve është parë si një moment kyç, i cili përcakton orientimet e punës shkencore dhe prej të cilit do të varet në një masë të madhe krejt funksionimi i Qendrës për periudhën kalimtare e përcaktuar të zgjasë 1-2 dy vjet. Janë dashur të bëhen takime e këshillime për të evidentuar kandidatët e mundshëm dhe për të përzgjedhur, sipas specifikave të instituteve dhe sipas "ofertës", ata kandidatë që marrin përsipër të përçojnë nëpër institute frymën e reformës dhe të mobilizojnë forcat shkencore drejt hapjes dhe përballjes me problemet e mprehta para të cilave gjendet sot kultura shqiptare.

Drejtori i parë i emëruar është ai i Institutit të Historisë, prof. Beqir Meta, ish- punonjës i këtij Instituti. Nën drejtimin e tij do të punohet për dokumentimin dhe studimin e periudhave historike, ngjarjeve e personaliteteve derimëtash të anashkaluara, të paraqitura në mënyrë të deformuar ose qëllimisht të mohuara. Historia e shqiptarëve duhet të njihet me të gjitha dritë-hijet e saj, me të gjithë aktorët e saj, cilitdo orientim ideo-politik që ata t'i përkasin. Në Institutin e Arkeologjisë vjen prof. Shpresa Vangjeli, shefe departamenti në këtë Institut prej shumë vitesh. Nën kujdesin e saj arkeologjia shqiptare nuk do të vazhdojë të privilegjojë prehistorinë, por do të kërkojë të vendosë një barazpeshë koherente mes prehistorisë, antikitetit dhe mesjetës së hershme, ekuilibër ky i domosdoshëm nëse kërkojmë të dokumentohemi mbi etnogjenezën e shqiptarëve të sotëm. Kurse prof. Enver Muhametaj do të drejtojë Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Me punimet e tij të viteve të fundit prof. Muhametaj ka dëshmuar se brezi i vjetër ka grumbulluar një përvojë e cila nuk duhet nënvleftësuar: e çliruar nga ideologjia dhe e përdorur në shërbim të shkencës, kjo përvojë do të shërbejë për të riorientuar kërkuesit më të moshuar, të cilët, edhe si numër, mbajnë sotpërsot peshën e instituteve. Sigurisht, këtu është fjala për ata kërkues që kanë dëshirë dhe kapacitet për t'u riorientuar. Jo politikisht, sepse shumicës së tyre kjo nuk iu ka munguar, por profesionalisht.

Si do të fillojë reforma në institute, hapat e parë?

Hapi i parë i reformës është hedhur: ai lidhet me emërimin e drejtorëve dhe konstituimin e Këshillit Drejtues. Miratimi nga ky i fundit i organikave të QSA dhe i kritereve të seleksionimit të punonjësve, që do të vijnë nga ish-institutet për t'u organizuar në strukturën e re, çon në krijimin de facto të QSA. Qendra do të funksionojë me një total prej 112 punonjësish. Është llogaritur që asnjë punonjës shkencor me titull nuk do të preket, kurse pozicioni më delikat do të jetë ai i punonjësve të papërfshirë në shkallët e kualifikimit shkencor (për çudi, ka pasur mjaft të tillë në institutet tona shkencore), si edhe, në ndonjë rast, i asistentëve që kanë mbetur për disa vjet rresht në nivelin e masterit ose që e kanë filluar apo mbrojtur shumë vonë masterin. Administrata, sidomos, do të pësojë rrudhje të ndjeshme, meqë tani e tutje gjithçka do të funksionojë me një administratë qendrore e cilamegjithëse minimale (për t'u lënë sa më shumë poste punonjësve shkencorë), do të plotësohet me specialistë nga ish-administrata e instituteve, sa herë që kjo do të jetë e mundshme.

Mbas plotësimit të organikave dhe shkëputjes përfundimtare prej strukturave të trashëguara, QSA do të veprojë shumë shpejt për të ringjallur dhe për të riorganizuar punën shkencore nëpër institute.


Keni thënë se reforma e kërkimit shkencor është imponuar nga lart, kur duhet të kish ndodhur e kundërta.

Pikërisht kështu u shpreha në bisedën hyrëse pa mikrofon. Gjykoj se, realisht, me daljen nga periudha asfiksuese ideologjike në fillim të viteve '90, forcat më të interesuara për një reformë rrënjësore në kërkimin shkencor shqiptar duhej të kishin qenë vetë punonjësit shkencorë të instituteve. Mirëpo këta, kur janë emëruar nëpër institutet e Tiranës, janë përzgjedhur më fort në funksion të "biografisë" sesa të meritës. Ndaj reagimi i tyre kolektiv ka qenë gjithmonë ai i nëpunësit që bën gjithçka për të ruajtur vendin e punës, që bën të gjitha përpjekjet që gjërat të mos ndryshojnë. Taktika e përdorur për ruajtjen pandryshueshëm të gjendjes ka konsistuar në mbrojtjen patetike të pozicioneve shkencore të tejkaluara, të cilat janë paraqitur me rast e pa rast si arritje kombëtare fundore dhe të pacënueshme. Kështu në fillim, në mes e në fund të viteve '90, kështu edhe në krye të mijëveçarit të ri: kur bota mbarë po globalizohej, institutet tona shkencore dhe puna e tyre vazhdonin të mbeteshin të parcelizuara në do fusha e metoda aq të tejkaluara e aq pa interes për stadin aktual të zhvillimit, sa ndërhyrja nga lart u bë e detyrueshme.

Shumë gjëra kanë ndryshuar në shoqërinë shqiptare tash 18 vjet, kanë ndryshuar institucionet e mentalitetet, zakonet dhe mënyra e jetesës, ekonomia dhe ligjet, ka ndryshuar vetë Kushtetuta, po jo institutet e shkencave shoqërore. Sipas logjikës sime dhe pritjes së publikut, këto kanë qenë të parat që duhej të kishin ndryshuar orientim e metodë. Përjashto disa përpjekje individuale, në planin institucional nuk është bërë thuajse asgjë, po të kemi parasysh mundësitë e mëdha të krijuara me hapjen e Shqipërisë ndaj botës. E vetmja gjë që është bërë mirë, ka qenë pengimi sistematik i individëve të spikatur, i më të rinjve, po edhe i personaliteteve me integritet shkencor nga brezi më i vjetër.

Po thoni se kundërshtimi i reformës reflekton nivelin e deritanishëm të kërkimit shkencor shqiptar?

Si dhe nivelin e përgjegjësisë të trupës së kërkuesve shkencorë, sidomos të drejtuesve. Jo vetëm s'ka pasur dëshirë për t'i ndryshuar gjërat, por, më e rënda, është këmbëngulur me kryeneçësi në pozicionet e mëparshme, duke thënë që të gjitha janë bërë mirë. Kjo është fort e çuditshme, kur realiteti dëshmon për metoda të dyshimta pune e hulumtimi, të cilat janë shfaqur drejtpërdrejt në mënyrën e parashtrimit të argumenteve dhe kanë justifikuar keqinterpretimin e tyre.


Nëse shteti shqiptar nuk do të ndërhynte për të imponuar një reformë të thellë, institutet tona, për të cilat janë derdhur shumë para (ka persona që janë paguar me pothuaj dy milionë lekë të vjetra rrogë mujore, pa llogaritur honoraret e dietat e ndryshme), shumë shpejt do të qenë shkërmoqur nga brenda. Krejt një brez po përgatitet të dalë në pension pleqërie, kurse mjaft punonjës të moshës së mesme e të re ose kanë ikur jashtë vendit, ose kanë vajtur pranë universiteteve, ose janë shpërngulur gjetiu, aty ku puna e tyre ka qenë më e frytshme dhe më e vlerësuar. Në të tilla kushte, me ç'logjikë mund të kundërshtohej reforma në institutet shkencore? Nuk shoh tjetër logjikë përveç asaj të mbrojtjes së privilegjeve nga ana e kastës drejtuese, e cila ndihej mirë në kushtet kur ish-Akademia, prej nga vareshin institutet, nxiste klanizimin e shkencës sipas grupeve të influencës. Megjithë këto, duhet thënë se reforma, në parim, nuk është kundërshtuar nga masa e gjerë e punonjësve shkencorë, paçka se, nga ana tjetër, as është mbështetur prej tyre.

Reformat në Shqipëri janë kuptuar si shkurtime të vendeve të punës. A janë menduar pasojat sociale të këtij zhvillimi? Përse institutet shqetësohen për "hedhje kolektive në rrugë pa motivacion"?


Reformat përgjithësisht shoqërohen me shkurtime të vendeve të punës, çka pranohet si çmim që vetë shoqëria paguan për të kaluar nga një nivel zhvillimi ose efektiviteti, në një nivel tjetër. Shkurtimet janë pasojë e jo qëllim i reformës. Ju siguroj se pasojat nuk do jenë aq të rrepta sa të flitet për "hedhje kolektive në rrugë, pa motivacion". E para, nuk ka "hedhje kolektive në rrugë", meqenëse reforma i ruan tërë punonjësit shkencorë të kualifikuar, të cilët organizohen në Qendrën e re. E dyta, vetë Qendra do të punojë me një administratë minimale, duke thjeshtuar kështu personelin ndihmës të instituteve. Është një reformë administrative, si fillim. Kurse reforma shkencore do të mund të profilizohet e të bëhet e efektshme, posaqë Qendra të nisë punën me 112 punonjësit që do të bashkohen në të.

A është shkenca albanologjike monopol në duart e atyre që i quajtët nxitës të klanizimit në shkencë, përfshi këtu hartuesit e tekste të manipuluara ideologjikisht? A është i gjallë miti i dogmës në shkencë? Si do ta përkufizonit profilin e deritanishëm të punonjësit shkencor shqiptar?

Për fat të mirë, albanologjia nuk është monopol dhe as mund të trajtohet si e tillë. Institutet kanë detyrimin për të qenë në pararojë të punës studimore në fushat e albanologjisë, por albanalogët janë të shumtë në të gjithë hapësirën fizike shqiptare dhe në disa qendra shumë të rëndësishme në Europë e përtej. Edhe autorët më të moshuar, ata të "brezit ideologjik", kanë të drejtën e tyre për të kontribuar, pa qenë të paragjykuar për një cikël historik tashmë të mbyllur. Përvoja e tyre ka të bëjë me vite të tëra pune, studimesh e kërkime. Nëse kjo përvojë vihet në shërbim të shkencës, për ta pasuruar këtë me parashtrime e teorizime që burojnë prej fakteve shkencore e jo prej psikozave ideologjizuese, përfitimi do të jetë i dukshëm.

Problemi që ngrini ju lidhet me faktin se shumë nga autorët e moshuar vazhdojnë të bëjnë ligjin, ose pandehin se po bëjnë ligjin në fusha të caktuara, duke u fshehur pas terminologjisë shkencore ose pas titujve që ia kanë dhënë pa kursim vetvetes e klanit të vet. Në këtë kuptim, ju keni të drejtë: ka qenë vendosur një lloj "monopoli" fals, i cili konsistonte në lidhjen e një studiuesi me një autor ose një epokë të caktuar. Kështu, poetët shqiptarë orientalistë, të pagëzuar me keqdashje "bejtexhinj", kanë qenë për çudi monopol i dikujt që nuk i njeh fare gjuhët dhe qytetërimet e Lindjes arabe. Naimi, po kështu, ka qenë monopol i dikujt që e urrente bektashizmin dhe të cilit as që "ia ndiente" për filozofinë humane shumëplanëshe që përcjell poezia e Naimit. Çajupi, Noli e deri arbëreshët e butë kanë qenë "monopol". Në gjuhësi, çështjet e standardit, të drejtshkrimit, e kështu me radhë, kanë qenë monopol, ashtu si në histori periudhat a figurat e quajtura "kyçe", si haxhiqamilizmi, revolucioni demokratik (?) i qershorit, nacional-çlirimtarja, nacional-socialistja, etj. Nëse dikush hynte në "zonën e ndaluar", vepra e tij sanksionohej si e pabotueshme në Këshillin Shkencor të Institutit, kur mbërrinte deri aty.

Vërtet që profilizimi i ngushtë është i domosdoshëm për shkencën, por të arrihet deri aty sa të penalizohet çdo mendim alternativ, ky është një faj. Mbi këtë faj e kanë ngritur mitin e vetvetes disa nga emrat e vjetër më të lakuar të shkencave tona shoqërore: mbasi i morën të gjitha masat për të mbetur të vetëm në fushë, njëfarë publiku nisi të besojë se ata ishin të vetmit lojtarë të mëdhenj. Nën këtë presion, masa e punonjësve shkencorë u mësua të punojë sipas direktivës, e tulatur deri në nënshtrim, pa gjetur dot hapësirë për afirmimin konstant të individualiteve të spikatura dhe të personaliteteve të mirëqena. Kështu, në institutet që mbulojnë shkencat tona shoqërore ka një masë të madhe profesionistësh të tetanizuar, pa iniciativë, dhe fare pak personalitete që gëzojnë me të vërtetë respektin e të gjithë kolegëve.

Çfarë iu mungon instituteve tona?

Hapja ndaj së resë dhe ndaj të rinjve; dyshimi metodik që zëvendëson bindjet empirike; vlerësimi real i faktit dhe i dokumentit, respektimi i të vërtetës së tyre edhe nëse kjo e vërtetë kundërshton bindjet tona ideo-politike; përballimi i argumentuar i debateve të mëdha publike, orientimi i këtyre debateve në plan shkencor dhe jo mbyllja e tyre e njëanshme; dalja nga parcelizimi dhe nga klanizimi, për t'u matur me standardet europiane, çka do të siguronte rrezatim gjithëkombëtar e ndërkombëtar për studimet shqiptare. Për të ardhur tek kryesorja: transversaliteti dhe studimet ndërdisiplinore. Sepse albanologjia nuk është vetëm letërsia, vetëm gjuhësia, vetëm historia, vetëm arkeologjia shqiptare, vetëm kultura popullore e antropologjia, por janë të gjitha këto bashkë.

Deri më sot, institutet që i kanë mbuluar këto fusha kanë punuar në mënyrë krejt të pavarur nga njëri-tjetri. Ndërkohë që, paradoksalisht, të njëjtit studiues të huaj, që nga Hahn e deri tek Elsie, pa përmendur historianët latinë dhe kronistët otomanë, citohen sistematikisht edhe nga gjuhëtarët, edhe nga letrarët, edhe nga historianët, edhe nga antropologët, edhe nga etnologët, e madje edhe nga arkeologët tanë. Vepra e studiuesve të huaj përdoret si burim kryesor besueshmërie në mbrojtje të tezave të albanologjisë. Nëse qenka kështu, atëherë mungesa e ndërdisiplinaritetit mbetet e meta e madhe e studimeve tona, kurse aplikimi i tij adekuat do të jetë çelësi që do të rrisë besueshmërinë e këtyre studimeve në plan ndërkombëtar. Roli më i dukshëm i QSA do të jetë në angazhimin e specialistëve të fushave të ndryshme në projekte të përbashkëta, në mënyrë që, përmes bashkëpunimit dhe ndërlidhjes mes fushave transversale, të arrihet një stad tjetër në studimet shqiptare dhe këto të marrin një profil të qartë dhe të spikatur.

Për të mos u hyrë punonjësve në hak më tepër nga ç'e meritojnë, duhet pohuar se kushtet materiale në të cilat ata kanë punuar dhe po punojnë, janë larg nivelit të dëshirueshëm. Në ndonjë rast, si ai i ish-Institutit të Kulturës Popullore, kushtet janë katastrofike. Nëse kjo reformë nuk do të plotësohet me përmirësimin e ndjeshëm të kushteve të punës, pak shpresë ka që të jetë e suksesshme. Siç e shikoni, frontet e punës reformuese janë të shumta: do të duhet të punohet paralelisht në të gjitha këto fronte njëherësh dhe duke u dhënë të gjithave të njëjtin prioritet. Ajo që mund të them me siguri është se investimet që do të kërkojmë të na jepen, nuk do të mbeten të parealizuara. Interesi i të gjithëve është që këto investime, në këtë moment, të jenë në lartësinë e asaj që presim prej shkencave albanologjike.

Po të rinjtë, ç'do të bëhet me kërkuesit e rinj shkencorë, kur reforma është e mbyllur për potencialet jashtë instituteve aktuale?

Fillimisht, reforma do të zhvillohet brenda instituteve, me punonjësit shkencorë aktualë, domethënë me ata që do të integrohen në strukturat e QSA. Në vazhdim, kur të merren në shqyrtim puna shkencore e mirëfilltë, riorganizimi i departamenteve dhe rishpërndarja e grupeve kërkimore, do të lindë nevoja për krijim fushash specifike dhe për specialistë të tyre. Nëse nevoja për hapje postesh të reja nuk do të mbulohet nga daljet e pritshme në pension pleqërie, do të duhet të krijohen vende pune shtesë. Mirëpo, përpara këtij hapi, është e domosdoshme që të studiohen nevojat e vërteta dhe të përcaktohen profilet shkencore të domosdoshme. Mbi këtë bazë do të mund të shpallen konkurimet për profilet e kërkuara, duke privilegjuar, në etapën e parë, kthimin e të doktoruarve nga universitetet perëndimore. Ndërkaq, punonjësit e brendshëm me master do të nxiten për të mbrojtur doktoraturat, në të kundërt atyre nuk do t'iu përtërihet kontrata e punës. Reforma në një institucion shkencor nuk mund të mbyllet me një fushatë dhe as në një periudhë kohore minimale.

Si do të bëhet seleksionimi i punonjësve shkencorë? Në media shkruhet se po i fyejnë specialistët që të konkurojnë për vendin e punës me e-mail.

Për disa nga modalitetet e përzgjedhjes folëm më lart, duke theksuar se punonjësit shkencorë me tituj nuk do të preken, ashtu siç nuk do preken as masterat e angazhuar në doktoraturë brenda afateve të caktuara. Të parët kanë qenë motori i ish-instituteve: atyre do t'u duhet të dëshmojnë se motori nuk u është ndryshkur. Të dytët, të diplomuarit me mastër, janë shpresa e institucionit të ri: këtyre do t'u jepet shansi të formatohen si kërkues të mirëfilltë, po ndërkaq, për të justifikuar vendin e punës që u ofron instituti përkatës në ndërkohën e përgatitjes së tezës, këta do të mbulojnë sektorët ndihmës, si bibliotekat, arkivat, laboratoret, fondet, në postet e shkurtuara për punonjësit pa gradë.

Lidhur me problemin e dytë, atë të konkurrimit për vendin e punës nëpërmjet internetit, secili e gjykon sipas kutit të vet. Sidoqoftë, për të mos u ndier kaq të fyer sa ç'paraqiten në disa media, profesorët e vjetër le të pyesin bijtë e tyre të rinj si e kanë bërë këta aplikimin për të fituar mastera, doktorata ose thjesht kurse e specializime në universitetet dhe qendrat shkencore të huaja. Universitetet dhe krejt institucionet perëndimore, deri edhe ministritë, i përqendrojnë në faqet e tyre në internet ofertat dhe aplikimet për bursa e vende pune. Më tepër se kaq: gruas sime, fjala vjen, që punon mësuese në një lice francez, në fund të çdo semetri i duhet të regjistrojë nëpërmjet internetit notat dhe shënimet për punën individuale të nxënësve, dhe kjo është e vetmja alternativë, regjistra klasikë nuk ka. Pa dyshim, kjo lidhet me nevojën për ta trajtuar informacionin shpejt dhe saktë, njëherit në rang institucioni e në rang vendi. Askush, përveç ndonjë sedërliu të vonuar, nuk e sheh më internetin si shpikje e djallit.

Zoti Marashi keni ndonjë koment për diskutimin e emërimeve edhe për qendrën albanologjike si "katapultime të njerëzve që nuk kanë asgjë të përbashkët me albanologjinë?"

Këtu më duket se e keni fjalën indirekt për mua, sepse unë vetë emërimet e deritashme i kam bërë nga radhët e punonjësve shkencorë brenda instituteve, ose që kanë qenë aty deri para pak vitesh. Po përgjigjem, pra, vetëm për aq sa më takon mua. Jam "katapultuar" nga drejtues i seksionit të Studimeve Shqiptare në Institutin Kombëtar të Gjuhëve e Qytetërimeve Orientale në Paris, në drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë. Dikush e sheh këtë si katapultim me ngjitje, dikush tjetër me zbritje. Unë e shoh si një detyrë për të cilën ndiej përgjegjësi të shumëfishtë, detyrë që kërkon prej meje një angazhim e impenjim energjish mendore e fizike shumë më të madh se deri tani. Përfundimisht, kjo s'do me thënë se posti i drejtorit të QSA më jep titull tjetër përpos atij që unë vetë ia jap vetes: një punëtor modest në fushë të studimeve shqiptare e të letrave shqipe, që me vetëdije të plotë pranon të mbajë përgjegjësi maksimale për misionin që i është besuar.

Meqë ma dhatë rastin, po përfitoj nga pyetja juaj për të bërë promovimin e seksionit të Studimeve Shqiptare në Paris, i cili ofron formim universitar në të tre nivelet e arsimit europian: liçencë, master dhe doktoraturë. Fusha e gjerë e diplomimit emërtohet "Studime Europiane", kurse ajo e specialitetit "Studime Shqiptare". Kemi të bëjmë me një "miniqendër" të albanologjisë, ku integrohen fushat e kulturës, identitetit, gjeopolitikës, historisë, letërsisë, plotësuar me studimin e gjuhës shqipe dhe të aspekteve teorike e praktike të komunikimit në shqip, si dhe me prerje transversale në drejtim të studimeve ballkanike e europiane. Çdo student shqiptar që diplomon në shkencat shoqërore dhe që ka njohje të thelluar të gjuhës frënge, mund të aplikojë lehtësisht për t'u regjistruar në master, po kështu studentët shqiptarë me master mund të aplikojnë për doktoraturë. Nëse tezat e këtyre studentëve potencialë do të inkuadrohen në programet kërkimore të QSA, mbrojtja e masterit ose e doktoraturës do të mund të bëhet me kotutelë dhe ata do të jenë prioritarë për të përfituar nga fondi i bursave të ekselencës të MASH. Parimisht, e njëjta gjë do të mund të aplikohet për të gjitha studimet e nivelit të dytë dhe të tretë në universitetet e huaja, me kusht që fusha e zgjedhur t'u përgjigjet prioriteteve kërkimore-shkencore që do të përcaktohen nga QSA në bashkëpunim me MASH.
Komente
Shto Koment Kerko Komentet
Shkruaj nje Koment
Emri Juaj:
Email(opsional):
 
Titulli:
Jepni kodin e sigurise qe shikoni ne imazh.

3.21 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

 
< I mėparshmi   Tjetri >
Generated in 0.44147 Seconds