Kontrata kolektive? S'jemi fabrikė kėpucėsh Printoni E-mail
Vlerėsimi nga pėrdoruesit: / 0
I dobėtMė i miri 
Sunday, 18 May 2008

Sindikata e Pavarur e Artistëve, ankesë të hapur Bashkisë dhe Ministrisë së Punës për drejtorin e Qendrës Kulturore "Tirana", Kiço Londo, që nuk pranon të nënshkruajë kontratat kolektive të punës. Londo: Nuk jemi fabrikë këpucësh.

 

Sindikata e Pavarur e Artistëve, ankesë të hapur Bashkisë dhe Ministrisë së Punës për drejtorin e Qendrës Kulturore "Tirana", Kiço Londo, që nuk pranon të nënshkruajë kontratat kolektive të punës. Londo: Nuk jemi fabrikë këpucësh

Alma Mile

Nëse as autoritetet nuk do të mund ta detyrojnë që të nënshkruajë kontratën kolektive, zgjidhje është dorëheqja. Artistët sindikalistë kërkojnë dorëheqjen e drejtorit të Qendrës Kulturore "Tirana", Kiço Londo, ndërkohë që ky i fundit është i vendosur t'i shkojë deri në fund nismës për të nxjerrë institucionin nga "gjendja moçalore e krijuar". Pas tentativash të dështuara në gjetje të një gjuhe të përbashkët dhe mirëkuptim, Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë, iu drejtua dje me një ankesë të hapur kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, kryetarit të Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj dhe ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Koço Barka. Në ankesën dërguar drejtuesve të këtyre institucioneve nga edhe varet Qendra "Tirana", sindikalistët shpjegojnë ecurinë e bisedimeve me London për nënshkrimin e kontratave kolektive, duke filluar që nga data 13 nëntor e vitit që shkoi, ku në përputhje me ligjin në fuqi, i paraqiti drejtorit kërkesën përkatëse. "Në fillim na premtoi se do ta realizonte këtë detyrim ligjor, por fatkeqësisht koha vërtetoi se z. Kiço Londo nuk e njeh sindikatën, nuk do të bashkëpunojë me të dhe nuk zbaton ligjet e këtij shteti. Ky zotëri është i detyruar të ndërtojë marrëdhëniet e punës nëpërmjet kontratës kolektive", - thuhet në ankesë. Sipas sindikalistëve, edhe pse në bazë të Kodit të Punës (neni 163) drejtori është i detyruar të ulet në bisedime me sindikatën për këtë çështje, ai nuk e ka përfillur këtë insitucion, duke filluar nënshkrimin e kontratave individuale "nëpërmjet presioneve nga më të ndryshmet, saqë anëtarë të sindikatës janë të frikësuar se i pushon nga puna po qe se do të merren me sindikatën". Ata thonë se i kanë përdorur të gjitha rrugët demokratike për të zgjidhur problemin, por duket se një gjë e tillë është e pamundur. Ata tregojnë se madje janë nxjerrë forcërisht nga zyra e drejtorit. "Ne kemi besim se do ta detyroni drejtorin antisindikatë që të zbatojë ligjin, ndryshe ne jemi të vendosur në rrugën tonë, që të kërkojmë dorëheqjen e një njeriu që nuk do të bashkëpunojë", - mbyllet letra e hapur e nënshkruar nga presidenti i sindikatës, Reshat Ibrahimi, dhe sekretarja e përgjithshme, Irini Qiriako.

Për drejtorin Londo, nuk ka asgjë të çuditshme në këtë mes. Që në ardhjen e tij në krye të Qendrës Kulturore "Tirana", ka deklaruar se do të ndryshojë gjithë organigramën e qendrës, mënyrën se si ajo funksionon dhe mënyrën e pagesës. Në të parën intervistë si drejtor i QKT-së, Londo është shprehur për "Shekullin" se "nuk do të ketë njerëz që hyjnë ditën e parë dhe presin të dalin në pension, duke u bërë pengesë për të tjerët që vijnë nga pas". Ide të cilën e ka mbrojtur edhe dje, i pyetur në lidhje me problemin që ngrenë sindikalistët. "Duke respektuar kontributin real të sindikatave kam kënaqësinë të njoftoj Sindikatën e Pavarur të Artistëve se ne jemi një hap më përpara se ajo që kërkon sindikata, kontrata kolektive. Kemi lidhur kontrata ndividuale me çdo artist, praktikë që ndiqet në gjithë botën e qytetëruar, ku dëshirojmë të inkuadrohemi. Nuk jemi fabrikë këpucësh që të lidhim kontrata kolektive. Kontrata indidividuale që kemi lidhur i jep fund gjendjes moçalore të krijuar në institucion dhe krijon mundësira të mëdha për aktivizimin e të rinjve", tha Londo për "Shekullin". Ai bën të ditur se janë marrë në punë 3 artistë të rinj në cirk dhe brenda majit do të merren edhe 3 të tjerë, duke e çuar në 6 numrin e punonjësve të rinj brenda një periudhe 5-mujore. Ai premton se ky numër do të shkojë në 10 në fund të vitit. Londo kujton se tashmë QKT ka një strukturë dhe një rregullore të re, mbi të cilën janë lidhur dhe kontratat. Me ngritjen e Teatrit të Metropolit organika e QKT-së numëron 30 njerëz më shumë, ndërkohë që në një shfaqje cirku aktivizohen 50-60 vetë. "Në qoftë se ky është gabim të na falin sindikalistët". Drejtori Londo informon gjithashtu edhe për rritjen e shpërblimeve të punonjësve në masën 20% dhe shpërblimin e punonjëseve femra me një shumë prej 20 mijë lekësh, me rastin e 8 marsit, gjë që sipas tij nuk e ka bërë asnjë institucion tjetër. "Mbetem i hapur për bisedime me sindikatën, por për probleme reale, siç është punësimi", - përfundon ai duke shtuar që është i gatshëm të dëgjojë sindikatën dhe të marrë vërejtje për përmirësimin e punës.

Shekulli. 

 

Komente
Shto Koment Kerko Komentet
Shkruaj nje Koment
Emri Juaj:
Email(opsional):
 
Titulli:
Jepni kodin e sigurise qe shikoni ne imazh.

3.21 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

 
< I mėparshmi   Tjetri >
Generated in 0.51636 Seconds