| Kthehet dashnori i librit II |
|
|
| Tuesday, 08 April 2008 | |||||||
|
Më 23 prill, Ditë Botërore e Librit, jepet Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë. Është ndoshta e para dhe e vetmja ngjarje që Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, do të ketë për ditën ndërkombëtare e cila ka vetëm 4 vjet që përmendet në Shqipëri. Burime nga subjekti organizator, thanë që juria e çmimit "Lumo Skëndo" është mbledhur në një nga takimet e fundit para se të përzgjedhë kandidatët. E përbërë nga Aurel Plasari, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, Nasho Jorgaqi, Fatjon Dragoshi, Drita Cankja dhe Uran Butka, kryetar i shoqatës "Lumo Skëndo", ashtu siç ia pëcakton rregullorja dhe statuti i konkursit, juriaduhet të zgjedhë botimin më të mirë vlerësuar në bazë kriteresh teknike, estetike dhe legale me përparësi cilësinë. Në fakt në edicionin e parë, çmimi i Bibliofilisë është refuzuar të quhet konkurs, madje në një kuptim edhe si çmim që i jepet një bibliofili, për kontributin e të cilit flet vetë titulli që mban emrin e një dashnori të librit si Mithat Frashëri alias Lumo Skëndo. Juria me votim të fshehtë vlerëson botimin që ka një paraqitje me vlera estetike të tilla që ta klasifikojnë atë si një botim të mirëfilltë bibliofilik. Në rregulloren e këtij çmimi quhen elemente vlerësues lexueshmëria pamore, paraqitja grafike cilësore, letra dhe libërlidhje cilësore. Patjetër që mbahen parasysh edhe vlerat intelektuale të botimit. Për vitin e kaluar përzgjedhja e më të mirit botim u bë mes 1941 botimeve dhe ishte "Historia e shtetit shqiptar 1912-2005" i Kastriot Dervishit botim i Shtëpisë Botuese "55". Juria e edicionit të dytë ka mbi dy muaj që po punon me titujt që njihen legalë dhe që kanë hyrë në fondet e Bibliotekës Kombëtare. Vlera financiare e Çmimit të Bibliofilisë është 500 mijë lekë. "Lumo Skëndo" u themelua në tetor 2006 nga ish ministri i Kulturës, Bujar Leskaj. Mori këtë emër për një prej figurave më të mëdha të mendimit shqiptarë të shekullit të njëzetë, Mit'hat Frashërit i cili ka qenë vetë botues, dhe gjatë gjithë jetës ka mbledhur botime shqiptare, po dhe të huaja duke lënë pas një trashëgimi të pashoqe që sot ndodhet në Bibliotekën Kombëtare. Janë rreth 40 mijë volume, veç librave të tjerë që ndodhen në bibliotekat e institucioneve të rëndësishme si të Parlamentit, të Akademisë së Shkencave etj. Midis librave që Frashëri ka mbledhur ekzistojnë botime shumë të mira edhe nga pikëpamja e bibliofilisë. Kur në vitin 1926 Frashëri dha dorëheqjen nga detyra e ambasadorit në Greqi, sepse qëndrimet e tij nuk përputheshin me drejtimet e politikës së Ministrisë së Jashtme, u kthye në Shqipëri dhe hapi librarinë me emrin "Lumo Skëndo" që ndodhej në Rrugën e Barrikadave e cila u kthye në qendrën më të rëndësishme kulturore. Përveç botimeve shqiptare që ishin të pakta, ai ishte i abonuar në angjencitë e mëdha botuese të Evropës prej nga vinin botime të të gjitha zhanreve, sidomos ato që lidheshin me Shqipërinë, me çështjen shqiptare, sepse ajo ishte akoma e pazgjidhur dhe e shtruar në tryezat e ndërkombëtarëve. Ndaj Frashëri vlerësonte botimet e Justin Godardit, Hebertit dhe Durhamit. Kishte ardhur për herë të parë në atdhe në vitin 1912, atëherë solli me vete gjithë pasurinë librore që kishte familja Frashëri, trashëgimi nga i ati Abdyli, nga Samiu, Naimi, dhe nga vetë ai. I zbarkoi në Vlorë, i solli më pas me arka në Fier, i vendosi në familjen e Vrionasve. Në Evropë ku qëndroi disa vjet si përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes dhe në Lidhjen e Kombeve, krahas punës diplomatike në mbrojtje të çështjes shqiptare, ai merret edhe me librin, e njëkohësisht edhe me trajtimin e tij. Në periodikët e kohës ai mbajti rubrikën "Duke kënduar një libër" ku zbulohet tërësisht Mit'hat Frashëri shijehollë dhe kritik i librit. Në vitin 1929, pra shumë vjet përpara se të ndërronte jetë, ai hartoi një testament i cili nuk përfshinte asgjë tjetër vetëm pasurinë librore. Aty shpreh dëshirën që gjithë kjo pasuri të vendoset në një institut të studimeve shqiptare, i cili duhej të ngrihej nga shteti shqiptar. E la edhe pasurinë e tij peng të këtij testamenti. Një pjesë të librave Frashëri i kishte në shtëpi dhe një pjesë në Bibliotekën Kombëtare. Ajo pjesë që ishte në BK u ruajt, kurse pjesa tjetër që ishte në shtëpinë e tij u mor nga institucione të ndryshme, një pjesë e mori prapë Biblioteka Kombëtare dhe institucionet e tjera. Pjesa e antikuarit, pra gjithë veprat e letërsisë së vjetër shqipe, duke filluar nga Buzuku, Budi, Bogdani, Kristoforidhi i kemi sot falë koleksionit që ruante Frashëri. Në Paris me gjithë punën e madhe që kishte si i angazhuar për çështjen shqiptare, Frashëri do të hapte dy ekspozita me vepra të autorë të vjetër të letërsisë shqipe, mebotimet e Kristoforidhit. Po kështu edhe në Shqipëri. Mbahet mend një ekspozitë që ai ka hapur posaçërisht me botimet për Skënderbeun.
Powered by !JoomlaComment 3.21
3.21 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved." |
|||||||
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|



