Kur kurbani kėrkon tablonė Printoni E-mail
Vlerėsimi nga pėrdoruesit: / 0
I dobėtMė i miri 
Sunday, 20 April 2008

"Safo" - quhet ekspozita personale e piktores Safo Marko që prezantohet në "Zenit" nga 15 deri 30 prill, në bashkëpunim me emisionin "Më shumë dashuri"

Nga Krenar Zejno

 

"Safo" - quhet ekspozita personale e piktores Safo Marko që prezantohet në "Zenit" nga 15 deri 30 prill, në bashkëpunim me emisionin "Më shumë dashuri"

 

Safo: se kjo ekspozitë meriton të thirret veçse shkurt, në emër.

"Rastësisht me dashje" - titulli i vëllimit me poezi të Jamarbër Markos, djalit të saj të vetëm – do mund të shërbente edhe si emërtesa për shtysën e kësaj ekspozite, që po e sjellim pas 45 vjetësh nga ajo e para. Le ta themi shpejt e shpejt dhe ku e ku më mirë, përmes një vargu të tij:

I lë vendin një zogu në pemë/ Dhe fluturoj/

I lë vendin një trëndafili në shtëpi/ Dhe dal/

I lë vendin një shoku në rrugë/ Dhe mungoj/

I lë vendin një plaku që mundohet/ Dhe ulem/

I lë vendin një meteori që bie/ Dhe rrëzohem

40 tablo vaji ndër vite, ndërsa rrinë pas tyre mbi 200 vepra për t'u vajtuar. Të murosura nën njëra tjetrën, pse piktorja Safo kur s'kishte beze, i kryente pastaj i shkatërronte; dhe sërish i rikrijonte ngaqë i vinte afshi të pikturonte. Ja pra: se artistja me emër poeteshe dhe vulë poezie, Safo, nuk mund të jetonte pa artin e penelit të vet. E ndërsa fati s'u tregua i mëshirshëm dhe ja pati ngarkuar dhimbjen në kurriz, artistja bënte të pikturonte dhe vetë këtë barrrë dhimbjeje si paradigma kaligramash në formën e enëve qeramike dhe shportave me portokalle. Vizaton e pikturon Venuset që i shfaqen, herë vetmitare e herë bashkarisht, sikur të donte të strukej e prehej veç në shoqërinë e tyre. Dhe fati vijonte për kohë të tëra të mos i lejonte që ta kishte kollaj, qoftë edhe një copë pëlhure. Atëhere artistja shtrëngohej përsëri të punonte një tablo të re, por tanimë mbi pikturën e sosur dhe të përfunduar, mbi veprën e kryer e të bërë, deri sa t'i vinte radha për kurban, si dashit të kopesë, edhe veprës që ndonëse e adhuronte më shumë.


Piktura është jeta dhe pa pikturën ajo jetë, plot e përplot me derte, do t'ishte e pamundur. Dhe vijonte të shtresëzonte njëra mbi tjetrën artistja nevojën vitale për të krijuar, duke mohuar kësisoj të mëparshmen, edhe fizikisht. Sa do ta kishte pataksur dhe artin e filozofinë e Zhorzh Bataille-it kjo marrëdhënie kaq e veçantë kurbani tablosh e veprash, si të erosit - mit i krijimit me thanatosin dhe shkatërrimin. Kjo ngjizje e haresë me tmerrin dhe vetë jetës me vdekjen. E asaj bukurie femërore në bregdetin e Jonit të Petro Markos, të hijeshisë së vajzave që i shfaqeshin veçse një herë përpara, sikur t'ishin prej një bote hyjnish, vetëm një ditë, a thua bëhet fjalë për fluturat që jetojnë një ditë. Kështu, peneli do të duhej ta fiksonte çastin, ngase kur t'i shihte përsëdyti këto femra tanimë do të ishin gra shamizeza e mandej plaka. E gjitha kjo si brenda një grushti ditësh, nën peshën e barrës ngarkuar monopateve.

Asnjë Apollon i pranishëm në tablonë apo kurbanin e Safos. Me sa duket ajo s'e sheh Apollonin sipas Pindarit, tek dhuron kitharën dhe u fal Muzën të frymëzuarve, por siç e rrëfen Aristofani: edhe zot të therorisë dhe kurbanit të njerëzisë së Delfit, që mëton edhe shërbëtorët e vet me zanatin e thertorit. Sidoqoftë, a nuk kemi të shkruar qysh prej hymnit të Vedave ngjizjen e kurbanit e riteve të sakrifikimit me poetikën e artin?


Opus heroik - do të meritonte të shpallej tërësia e veprës së Safo Markos. Një pafundësi me vizatime e ilustrime që na mbajnë aq të lidhur me fëmijërinë, revistat dhe qindra kopertina e libra. Linja lakonike moderniteti e ngjyrash fauves por të buta, në një kohë zotërimi monokromik, gati absolut, të së pangjyrës gri.

Dhe mbeti i njëjti lajtmotiv në veprën e Safo Markos - degëza e paqme e ullirit dhe ena e baltës ndër krahë vashash, si për t'i kumtuar shikuesit përballë tablosë, pikërisht, se poshtë asaj që duket është një legjendë e tërë e murosjes, nga e cila duhen lënë në pah objektet kult – degët dhe qeramikat - sikur t'ishin reperte arkeologjike.

Po i vendosim pranë një varg nga gurgullima e freskët e një poezie prej Jamarbri:

Kërkoj/ Në këto gjethe të thara/ Ca liri. /Kërkoj/ Te këto dete të tmerrshëm/ Ca liri.

Pranë meje kalonin gjurmët e mia.


Femër, gjithandej dhe vetëm femër në tablonë aq egërsisht të brishtë të Safos. Në peizazhe sa të njohur, aq dhe prej ëndrrash të murrme, nëpër kodrina ngjyrë elefanti ku deti hapet, krejt befasisht, pas hullive e honeve të thekshme dhe të thepisur si një kokë poeti e krisur. Si një e prerë thike në mishin verbal a piktorik. Dhe femra që shpërfaqet në mes si një totem, në një tribu ku njerëzia rrallë vritet për të, ndonjëherë edhe e vret por, si çdo totem, nuk e ha gjysmën e vet. E varros duke i vënë pranë një degë ulliri, një frut dhe një bucelë me ujë.


Marre nga Shekulli.com.al

 

Komente
Shto Koment Kerko Komentet
valentina  - tina   |80.80.167.xxx |2008-05-21 13:36:11
tung a je mir qa po ban najsen te re ka ti ok qao te pershendet tina
Shkruaj nje Koment
Emri Juaj:
Email(opsional):
 
Titulli:
Jepni kodin e sigurise qe shikoni ne imazh.

3.21 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

 
< I mėparshmi   Tjetri >
Generated in 0.45371 Seconds