Leksionet e Prishtinės sė Ēabejt Printoni E-mail
Vlerėsimi nga pėrdoruesit: / 0
I dobėtMė i miri 
Monday, 24 March 2008
Intervista/ Botohen për herë të parë në Shqipëri, leksionet që Eqrem Çabej ka mbajtur në Prishtinë gjatë dy viteve. Përse "Hyrje në indoeuropanistikë" pati këtë fat. Në CD edhe zëri i regjistuar i gjuhëtarit. Ledi Shamku-Shkreli: "Sot shqiptarët e çliruar kanë mundësi ta takojnë Çabejn e lirë."  

 

E para gjë që përshëndet "Vitin Çabej" në 100 vjetorin e lindjes së gjuhëtarit është botimi për së shpejti i "Hyrje në indoeuropianistikë" e njohur ndryshe si leksionet e Prishtinës. Kjo përmendet edhe si një vepër e lirë që ka dalë në një hapësirë më të lirë se Shqipëria e viteve 70. Arsyet pse, duke marrë paraysh kushtet ku u mbajtën këto leksione, i komenton në këtë intervistë gjuhëtarja Ledi Shamku-Shkreli, autore e parafjalës së botimit nga "Çabej", e cila e cilëson "si teksti më i mirë teoriko-analitik i gjuhësisë shqiptare." Efektin që kjo vepër mund të ketë në gjuhësinë shqiptare ajo e krahason me efektin që pati për gjuhësinë evropiane të shek. XX "Kursi i gjuhësisë së përgjithshme" i Saussurit.


Ndryshe nga veprat që do të botohen nga e bija, Brikena Çabej, kjo vepër postume do të ketë me vete edhe një CD ku është i regjistruar zëri i Eqrem Çabejt me leksionin e parë të ciklit prej nëntë ligjëratash.

Pas shumë vitesh botohet premierë një vepër e Çabejt, "Hyrje në indoeuropianistikë" e njohur ndryshe si leksionet e Prishtinës. Nga janë nxjerrë këto regjistrime dhe si u bë vepër e shkruar?


Po, është e vërtetë, ky libër e sheh dritën e botimit në Shqipëri pas 35 vjetësh. Bëhet fjalë për një cikël të plotë leksionesh, dhënë kursit pasuniversitar të studentëve të gjuhësisë në Universitetin e Prishtinës në periudhën 1971-1973. Ndonëse duket paradoksale, në Jugosllavinë e Titos gjuha shqipe studiohej në të gjitha rrafshet e saj, çka nuk ndodhte në Shqipëri. Një kurs i tillë, pra mbi Indoeuropianistikën, nuk u pranua kurrë në Universitetin e Tiranës. Kështu, parë në këtë largesë kohore, botimi "Hyrje në Indoeuropianistikë" i leksioneve të Prishtinës, paraqiste disa vështirësi relative. Pikësëpari ishim përballë një trashëgimie të folur dhe ajo duhej ta ruante këtë mblojë gjuhore. E morëm këtë vendim jo vetëm për të mos e çngjyrosur tekstin nga stili i vetë autorit – për ne shumë i çmuar – por edhe për të ndjekur parimet filologjike me të cilat gatitet për botim një material i tillë. Shembuj të këtillë pune ka plot, mjaft të kujtohet Kursi i F. de Saussurit, Sette lezioni sul linguaggio i T. De Mauros, botimi postum i leksioneve të Luigi Cecit etj. etj. Leksionet e regjistruara në fakt qenë zbardhur fill asokohe në Prishtinë e qenë përmbledhur në vëll. VI të "Studime gjuhësore", botim po i Prishtinës, por paraqisnin edhe ato ndërhyrje, rëndime me shembuj të paofruar nga autori e sidomos mjaft pasaktësi, edhe terminologjike. Sakaq, ajo çka ne trashëgonim si të vetmen pikë të padiskutueshme referimi ishte veç leksioni i parë në regjistrim zanor. Kështu, pasi e dëgjuam me mjaft kujdes dëshminë zanore duke e krahasur me gjendjen e tekstit të shkruar, e pasi kuptuam s'andejmi edhe tipologjitë e problemeve të këtij të fundit, së bashku me Brikena Çabejn i hymë punës së përimtë për restitutio texti.

Në zgjidhjen e nyjeve të vështira na erdhën në ndihmë qoftë rimarrja e argumentave nga vetë Çabej në studime të tjera të tij kësodore, qoftë edhe ata autorë që ai, në fund të leksioneve, i pat këshilluar si literaturë e mëtejme. Shpresojmë të kemi ndrequr për sa mundëm gabimet e bartura të kësaj vepre, e cila mund të konsiderohet ndoshta si teksti më i mirë teoriko-analitik i gjuhësisë shqiptare. Vendimi i fundit që morëm në gatitjen për shtyp të këtij teksti ishte t'i bashkangjisnim atij edhe CD me leksionin e parë të ciklit prej nëntë ligjëratash. Zgjodhëm kështu, për ta ndarë edhe me lexuesin shqiptar emocionin që na pat shkaktuar ne vetë dëgjimi i zërit të Çabejt-lektor. N'atë mënyrë aq të pastër e të prunjtë të mbajturi leksion, kushdo mundet me gjetë sot edhe një model të shkëlqyer komunikimi me studentët, si pjesëz nga visari shkencor, kulturor e didaktik që fatmirësisht kemi trashëguar nga Eqrem Çabej.

Kjo përmendet edhe si vepër e lirë që ka dalë në një hapësirë më të lirë se Shqipëria e viteve 70. Ku duket kjo, dhe a është e vërtetë që Çabejt në Shqiperinë e asaj kohe i mungonte vetëm hapësira e lirë?


Tek ne, për dekada me radhë të vërtetat shkencore në përgjithësi, e sidomos ato albanologjike, janë trysur nën peshën e ideologjisë e ndonjëherë janë shtrembëruar po prej saj. Ky tashmë është fakt i ditur. Sa për të bërë një shembull konkret, në këto leksione të Prishtinës profesori citonte se "dy janë autorët që do të konsiderohen si autorë veprash bazale, Antoine Meillet dhe Holger Pedersen", duke dhënë kësisoj me të drejtë një referim kaq vlerësues për linguistin e madh A. Meillet. "Ngatërresa" të shkencës me politikën dhe të politikave gjuhësore me ato diplomatike, përsa mund të duken sot të dëmshme, i shërbyen atbotë ideologjisë si zhgun pseudopatriotik, me të cilin mvishej një manipulim i vërtetë kulturor e gjuhësor i qenies shqiptare. Synimi? Ndërprerja e çdo lidhjeje me të kaluarën që nxirrte zbuluar këtë manipulim, krijimi i njeriut të ri, me gjuhë të re e shkencë të re. Rezultati?

Natyrisht një lavjerrje shumë e madhe e vlerave tona të qenësishme, por kam bindjen se shqiptarët do të dijnë të rivendosin në vend hierarkinë e këtyre vlerave, e të rindërtojnë të reja mbi to. E në këtë proces të rëndësishëm sa kombëtar aq integrues, ata do të ndihmohen edhe nga puna e luminarëve që ideologjia nuk mundi t'i lavjerrë – mes syresh Çabej. Ju më pyesni nëse Çabejt në Shqipërinë e asaj kohe i mungonte vetëm hapësira e lirë, e unë ju them se një shkencëtari, aq më fort një gjuhëtari, duke i hequr lirinë shkencore, i ke hequr shkencën. Parë në këtë dritë, është habi e mrekulli njëherësh si profesori ynë ia doli të mos e humbte lirinë e vyer as brenda vetes e as në raport me kolegët dhe me shkencën. Natyrisht kjo i kushtoi qilarizimin e veprës së tij, e cila sot po botohet thuajse e gjitha postume. Gjithsesi, sot shqiptarët e çliruar kanë mundësi ta takojnë Çabejn e lirë.


Kur analizon "Hyrje në ideoeuropianistikë" ti nxjerr një takim të gjuhëtarit shqiptar me Saussurin dhe Ëittgensteinin. Ku është kulmi i kësaj puqjeje?


Çabej ndoqi studimet e larta në Vjenë tamam në një kohë kur Europa po zbulonte kumtet e Kursit të F. de Saussurit. Mes tjerëve, profesor i tij ishte vetë Nikollaj Trubeckoj, njëri ndër themeluesit e Rrethit Gjuhësor të Pragës, veprimtaria e të cilit, sikundër dihet, ka meritën se i ktheu gjuhësisë Saussurin. Pra Çabej i njihte fort mirë tharmet e themeluesit të gjuhësisë moderne, sikundër njihte edhe zhvillimet bashkëkohëse të teorive të tij. Ndarja saussuriane sinkroni-diakroni themeloi Strukturalizmin në gjuhësi, dhe si çdo gjë e re dhe e pakonsumuar, nxiti mbivlerësimin e studimit të shkëputur të stadeve gjuhësore, duke e errësuar disi çështjen e evolucionit të gjuhëve. Pas kësaj vlage fillestare, gjuhëtarët, e sidomos indoeuropianistët dhe filozofët e ligjërimit, kuptuan se shtegu diakronik dhe ai sinkronik nuk përjashtojnë njëri-tjetrin, por vihen në shërbim të rezultateve të secilit. Ëittgensteini i dha një ndër formulimet më eksplicite kësaj filozofie të re pune, duke ngulmuar se"interpretimi i objektit dhe domethënia e po atij objekti janë dy gjëra të ndryshme. Duke e përshkruar objektin ne nuk mund të pandehim se po i përcaktojmë atij edhe domethënien". Pikërisht këtë lidhje të pandashme mes historisë dhe aktualitetit e nxjerr bukur mirë në pah Çabej, duke sqaruar dallimin qenësor që ka mes atyre që ai i quan Rezultate Përshkruese dhe Rezultate Spjeguese. Një dukuri gjuhësore, thekson Çabej në tekst, e parë në vetvete dhe për vetveten, thjesht përshkruhet por nuk spjegohet. Për t'u spjeguar, ajo duhet parë edhe në diakroninë e saj. Si metodë pune, kjo logjikë gjendet në të gjithë opusin çabejan; meritë e "Hyrjes" është se, duke qenë një tekst edhe didaktik (leksione), këtë shteg metodik e gjejmë të përkufizuar qartë dhe thjesht edhe teorikisht. Dua gjithashtu të shtoj se kjo metodë pune që lidh të djeshmen me të sotmen në gjuhë, e i bën ato pjesë të gjalla të një organizmi të vetëm, mbetet sot parësore për t'u zbatuar në studimet tona gjuhësore. Sot që kufizimet ideologjike po zhduken dhe shqipja ka vërtet shumë nevojë të njohë të tashmen e të rizgjohet gjithashtu së brendmi, po në emër të së tashmes.


Një pyetje do të ngrihej gjithmonë për këtë figurë: si arriti të japë rezultate përtej filologjisë shqiptare dhe të mbetet në rrjedhat europiane të metodikës shkencore?


E ceka këtë çështje edhe në pyetjen e dytë: Çabej nuk hoqi dorë kurrë as nga liria e tij për të studiuar e për të nxjerrë në pah vetëm të vërteta shkencore, pavarësisht nga "kërkesat" e ideologjisë, sikurse nuk hoqi dorë as nga koherenca e objektit dhe metodave të tij studimore. Qoftë objekti, qoftë metodat, tek ai mbetën të pashkëputura nga rrjedhat e studimeve bashkëkohore europiane, sikundër mbetën të gjalla edhe lidhjet e tij me ata mendimtarë që këtu cilësoheshin "borgezë", "fashistë" e "revizionistë". Çabej pra nuk u modifikua! Për të mund të thuhet vetëm se u tkurr në objekt studimi, pas ndërhyrjes politike në shqipen në Kongres të vitit 1972. Edhepse qysh nga vitet '30 kishte qenë bashkëhartues i të gjitha projekteve ortografike, pra kish kontribuar ndjeshëm në çështjen e drejtshkrimit të shqipes e të kulturës së saj, ai kuptoi se planifikimi gjuhësor pas Shtatëdhjetëedyshit nuk i takonte më gjuhësisë, por ideologjisë. Kështu, pasi tha mendimin e vet lidhur me këtë çështje, dhe e përsëriti publikisht edhe fill pas vendimeve të Kongresit, ai iu kushtua mandej më së shumti gjuhësisë historike. Dhe me rezultatet e këtyre studimeve, përsa qe gjallë, Çabej vijoi të mbetet pikë referimi ndërkombëtare për sistemimin e vijuar të vendit të shqipes në familjen e gjuhëve.


Dhe më pas, kur ai nuk ishte më, ku u ndje zbrazëtia që u krijua nga kjo humbje jo vetëm brenda shkencës sonë, po edhe në ato zona ku vepra e Çabejt ishte burim reference për çështjet e shqipes?


Çabej u nda nesh njëzetetetë vjetë më parë. Këto tri dekadat e fundit, për zhvillimet ndërkombëtare në limerin e gjuhësisë si shkencë, kanë qenë sikundër dihet, nga më të begatat. Shumë punë është bërë e përsosur edhe në lëmë të Indoeuropianistikës, ku falë të dhënave të modernizuara që vinin nga studimet lokale mbi secilën gjuhë, laboratoret ku përsosej harta gjuhësore fillestare e Schleicherit ndërtonin e rindërtonin skema e harta gjithnjë e më të plota. Ky dinamizëm vinte natyrisht falë përditësimit të vijuar të metodave që aplikonin në gjuhësi vendet rrotull nesh. Sa kohë që misionari ndërkombëtar i shqipes nuk iu nda as metodave bashkëkohore e as mosshtrembërimit të rezultateve, hartat e përfshinë në çdo përditësim edhe shqipen. Porse kam vërejtur jo pa trishtim se në hartat e skicuara në vitet '90, shpesh shqipja mungon. Këtu nuk kemi të bëjmë as me shovinizëm gjuhësor e as me lajthitje të hartuesve. Thjesht zëri i gjuhësisë shqiptare, që ngulmoi të mbetej sui generis, ku nga ideologjia e ku nga mosnjohja, nuk u harmonizua dot më në akordet zanore të zhvillimeve ndërkombëtare. Shoqata Gjuhësore Frënge, ajo Gjermane, Rumune, Italiane e të tjera organizma gjuhësore europiane ku Çabej, jo pa sakrifica, kish qenë vijimisht anëtar aktiv, nuk e kishin më përfaqësuesin e shqipes. Nuk ngurroj të them, e jo pa pezm, se pas viteve '80 izolimi i gjuhësisë shqiptare u bë vërtet i skajshëm, derisa u mbërrit në një pikë si kjo sotmja, ku ndër dyer institucionesh hasen më të rrallë veç studiues nga diasporat arbëreshe, apo nga Kosova e Maqedonia. Ku duhet rilidhur filli ynë kombëtar e ndërkombëtar? Ndoshta pikërisht aty ku e la Çabej...

A ka çështje për t'u riparë me sy kritik në përfundimet e shkencëtarit?

Shkenca fatmirësisht zhvillohet në trajtë stafete. E marrim aty ku e lënë pararendësit tanë më të mirë, duke ndërtuar mbi ta, pra duke i rivlerësuar ata! Kështu bëri Çabej me Meyerin, me Joklin e me të tjerë, kështu ndodh gjithkund. Pra kështu naltohen muret e shkencës, e disa, ata që koha i saktëson duke i vlerësuar, vijnë e bëhen gurë themeli. Çabej është tashmë një ndër këta gurë për ne. Shumë punë që nuk mundi t'i mbyllë do të vijojnë, shpresoj, e mjaft rezultate të tij do të përditësohen falë zhvillimit që njeh veç një kah, atë të përparimit. E pikërisht ky zhvillim që rivlerëson shkencëtarin tonë, zbeh edhe mjaft gjykime andatare (amatore) që kanë zënë e ndihen ndër ne rreth punës së tij; kanë zënë e ndihen nga individë që nuk ia kanë asfare kërçikun këtyre punëve. "Çka furfurit, pa lindun mirë, ka vdekun / e thjeshta u shkon breznive e paprekun", thotë Gëte tek Fausti.

Ç'mund të thuhet për studimet në fushën e europianistikës sot në Shqipëri?

Pak mund të thuhet, vërtet pak. Hiq ndonjë studiues aktiv e modern si B. Demiraj apo K. Topalli, mendoj se studimet në fushë të Indoeuropianistikës në Shqipëri presin ende të hedhin shtat, por të modernizuara, duke mbajtur brenda gjithë atë tharm që u dha shek. XX. Dhe veç këtij tharmi, duhet të ngëthejnë patjetër edhe frymëmarrjen e gjerë që pati mendimi shkencor i Çabejt, i cili zhvillimet e shqipes nuk i pa shkëputazi brenda caqeve të cungëta të hapësirës albanofone, por në kuadrin e marrëdhënieve të ndërsjella të kësaj gjuhe – pra të kësaj kulture – me simotrat e tjera të familjes ku kjo gjuhë gjendet qysh në krye të moteve.

Çfarë modeli gjuhëtari përfaqëson për ty Eqrem Çabej?

Eqrem Çabej është model për shumëkënd, jo veç për gjuhëtarë e filologë. Sa më takon mua, do ta ndaja këtë përgjigje në tri të ndërvarura, por po aq të bashkëlidhura. Në rrafshin etik, për mua Çabej përfaqëson njërin ndër modelet e figurave publike të prunjta, por të papërlyeme, që nuk i lanë shteg manipulimit as brenda mendjes e as brenda shpirtit. E gjithashtu, po në rrafsh etik, e rendis ndër ato modele që patën në sy çështjen e kulturës kombëtare dhe i shërbyen ndërtimit të një atdhetarie të re, europiane e larg patoseve nacionaliste, por po aq shumë shqiptare. Në rrafsh të kontributit, sot në qindvjetor të tij, është e qartë më fort se kurrë që puna, veç puna mbetet, fjalët i merr era. Puna pa pritur duartrokitjet me sy në havà. Edhe këtu ai mbetet për mua model. Në rrafsh shkencor – besoj se për këtë kam folur shpesh. Unë e konsideroj jo veç më të madhin albanist tonin, por edhe më të madhin e dijes sonë. Mbetet ende i gjithi për t'u rilexuar në një dritë të re.

U bënë dy vjet që drejton kolanën e shtëpisë botuese "Çabej" të quajtur "Excipere", fjalë e "huazuar" nga Çabej.

Po, kjo fjalë është e huazuar nga Çabej, i cili e merr si hipotezë të Meyerit e me të cilën pajtohet si burim emërtimi edhe M. Kruja (disa të tjerë jo). Siç thashë më parë, fatmirësisht shkenca zhvillohet në trajtë stafete. E kemi zgjedhur këtë emërtesë për gjerdanin tonë albanologjik, duke besuar në kontributin për rindërtimin e një gjuhësie shqiptare pa paragjykime ideologjike dhe pa komplekse ndaj historikut të shqipes dhe bashkëjetesës së saj me gjuhët dhe kulturat rrotull saj, edhe në paçin qenë ato hera-herës superiore. E po ashtu e kemi zgjedhur këtë emër edhe për t'i qëndruar bindjes tashmë të njohur se nuk ka histori të një gjuhe, por histori gjuhësore të një bashkësie që flet atë gjuhë. A nuk dëshmon për këtë edhe kontributi i Çabejt? Ky gjerdan botimesh, i orientuar si për nga nxjerrja në pah e punimeve tona albanologjike që për arsye ideologjike nuk u botuan kurrë (përmend këtu punime të G. Meyerit, N. Gazullit, M. Krujës, të cilat tashmë e kanë parë dritën e botimit, si edhe pjesë të opusit çabejan), po i orientuar edhe për nga teoritë e reja europiane në fushë të gjuhësisë, po gatitet të nxjerrë shumë shpejt në dritë edhe vlera të tjera. E kam fjalën për Fjalorin Toponomastik të Gazullit, i cili del për pak javë, apo për Lufta e gjuhëve dhe politikat gjuhësore, të Louis-Jean Calvet, profesor i Sociolinguistikës në Sorbonë. Po ashtu kam parasysh këtu edhe sjelljen në shqip që po gatitet për botim i Shkrimeve të Gjuhësisë së Përgjithshme, të F. de Saussurit, të cilat nuk njiheshin deri para pak vitesh e që u gjetën rastësisht në vitin 1996. Posë këtyre që përmenda, presin radhën për t'u gatitur për botim edhe mjaft punime të tjera, të cilat janë në fazë bocash. Tek e fundit, verbum volant, carta maneat, apo jo?

 

Për ta ndarë edhe me lexuesin shqiptar emocionin që na pat shkaktuar ne vetë dëgjimi i zërit të Çabejt-lektor. N'atë mënyrë aq të pastër e të prunjtë të mbajturi leksion, kushdo mundet me gjetë sot edhe një model të shkëlqyer komunikimi me studentët, si pjesëz nga visari shkencor, kulturor e didaktik që fatmirësisht kemi trashëguar nga Eqrem Çabej.

 

SHEKULLI. 

 

Komente
Shto Koment Kerko Komentet
Shkruaj nje Koment
Emri Juaj:
Email(opsional):
 
Titulli:
Jepni kodin e sigurise qe shikoni ne imazh.

3.21 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

 
< I mėparshmi   Tjetri >
Powered By PageCache
Generated in 0.17322 Seconds