Integrimi i Shqipërisë në BE do të jetë shumë më i gjatë se në shumë prej ish-vendeve komuniste dhe pengesë për këtë do të jetë mungesa e reformave në vend, veçanërisht në ato që kanë të bëjnë me territorin.
Integrimi i Shqipërisë në BE do të jetë shumë më i gjatë se në shumë prej ish-vendeve komuniste dhe pengesë për këtë do të jetë mungesa e reformave në vend, veçanërisht në ato që kanë të bëjnë me territorin dhe pronësinë private, si dhe publike. Prognozën tejet pesimiste e bën Besnik Aliaj, ish-drejtues i CO-PLAN, dy vite këshilltar i qeverisë Berisha për territorin ."Ne mund të integrohemi në NATO dhe në BE me letra, por do të vazhdojë pastaj integrimi me standarde dhe për t'i arritur ato ne duhet të marrim një sërë reformash, mungesa e të cilave do ta shtyjë aderimin real të vendit 3-4 dekada", thotë Aliaj. I larguar prej gati një viti nga stafi i kryeministrit Berisha, z.Aliaj konfirmoi edhe njëherë raportin tronditës të ekonomisë ekstraligjore në Shqipëri të publikuar në muajin nëntor 2007 dhe fajësoi disa ministra të qeverisë për mungesën e reformave kyçe për pronësinë dhe territorin.
Duke folur për integrimin evropian të Shqipërisë, ju keni paraqitur në librin tuaj një grafik dëshpërues të evropianizimit të vendit. Thoni që Çekia u integrua në BE më 2004, Rumania dhe Bullgaria më 2007, Kroacia që mendohet të hyjë në BE më 2010, Turqia ndoshta më 2020, ndërsa për Shqipërinë keni disa pikëpyetje të mëdha.
Ky është njëri prej ilustrimeve, që nuk janë piktoreske dhe sipërfaqësore. Për hir të së vërtetës, duhet të them se kjo është një skemë që është produkt i një pune të bërë nga qeveria shqiptare, nga ILD-ja, Instituti për Liri dhe Demokraci, i Hernando de Sotos si konsulencë, nga asistenca e UNDP-së, dhe ky është konceptimi i disa prej gjetjeve, si dhe produkti i Shqipërisë pas dy dekadave tranzicion. Pas ftesës sonë për në NATO u tha se Shqipëria rreth vitit 2018 do të fitojë aderimin në BE. Ne urojmë që ky aderim të jetë sa më i shpejtë, por ka dy lloj aderimesh, ai me letra dhe ai me standarde. Pikëpyetjet që vihen nga ana jonë, duke shfrytëzuar këtë material zyrtar, ku unë kam pasur rolin dhe pjesën time, pa mohuar edhe punën e të tjerëve, del se Shqipëria për të arritur nivelin mesatar të BE-së, duhet të kemi kurajën të themi, duhet të kalojnë 3-4 dekada po të ecë me ritmin aktual dhe me ato të dekadave të kaluara. Ne mund të nënshkruajmë letrat e aderimit që vitin tjetër, për ndonjë arsye politike që mund të ndërmarrë bashkësia evropiane dhe futemi në BE.
Kemi shembullin e Italisë, që pranoi BE-në, monedhën e saj dhe vijon të vuajë edhe sot për reformat që po kryen dhe koston e paguajnë njerëzit e thjeshtë me rritjen e çmimeve. Këtë po përpiqem të them edhe unë. Nuk është problem momenti i futjes në BE me letra, po sa kohë, sa energji dhe sa reforma do të na duhen për të kapur standardet evropiane. Nëse duam ta shkurtojnë këtë kohë, duhet të bëjmë reforma. Pikësëpari duhet reforma mbi territorin, mbi pronësinë, mbi kthimin e pronave. Deri më sot kësaj çështjeje politika i ka ardhur rrotull, ka mbyllur sytë, sepse është një temë komplekse, dhe ne duam të dimë se cila është fatura për këto reforma, sepse ato para do të dalin nga xhepat e shqiptarëve. Ne duam të themi se nuk mund të vazhdohet me ritmin aktual të reformave.
Kush është përgjegjëse për reformat, qeveria?
Do doja të thosha se një nga problemet më të mëdha është një lloj aliazhi mes biznesit, politikës dhe medias. Janë krijuar sfera që sot kontrollojnë vendimmarrjen, e kanë influencuar këtë dhe ajo nuk është bërë në mënyrë transparente. Mbas dy dekadash tranzicioni nuk mund të themi se nuk kemi bërë progres, por nga ana tjetër kemi përshkallëzime dhe radikalizime të zhvillimeve. Trekëndëshi gati masonik i krijuar mes biznesit, medias dhe politikës, i lidhur me përpjekjet për të marrë pronësinë nën kontroll, ka krijuar një sistem kleptokratik dhe masonik, dhe nuk është i qartë për publikun kush fiton dhe kush humbet. Publiku megjithatë është i qartë se çmimet vazhdimisht janë rritur, dhe gjendja, megjithëse në disa raste është përmirësuar, në shumë raste të tjera është përkeqësuar. Çdo qeveri prej fillimvitit '90 ka përgjegjësinë e vet.
Desha t'i rikthehem formalizimit të ekonomisë, dhe raportit të zotit De Soto. Ju ishit pjesë e ngushtë e këtij stafi që bëri diagnozën në terren. Sa i rëndë është fenomeni shqiptar i ekonomisë ekstraligjore?
Unë kam qenë partner, sepse përfaqësoja politikisht qeverinë dhe shtetin shqiptar, në rolin e koordinatorit politik. Nga puna jonë doli se sot rreth tre të katërtat e ekonomisë shqiptare është ekstraligjore, qoftë në aspektin e pronësisë dhe të biznesit. Ekonomia shqiptare sot ka katër kolona: Kolona e parë është ekonomia informale që shkon te ekonomia kriminale, e ngritur nga krimi i organizuar, e cila ke ekzistuar që në periudhën komuniste, që është thelluar pas hapjes së ekonomisë së tregut, ka ardhur duke u ngushtuar pas luftës që i kanë bërë qeveritë. Kolona e dytë është ekonomia informale, ku futen njerëzit dhe komunitetet që janë të detyruar të futen te ekonomia informale, pjesërisht ose plotësisht joligjore, dhe këtu futen ata njerëz që nuk kanë pasur përkrahjen e qeverisë për punësim, strehim dhe për të jetuar kanë qenë të shtyrë drejt zgjidhjeve jozyrtare, jo të ligjshme, joformale, dhe kanë gjetur si të thuash një zgjidhje "dy duar për një kokë". Tipike është një qytetar që vjen në Tiranë, i cili kërkon një tokë apo një banesë dhe askush nuk ia ofron, sepse gjithçka i është lënë në dorë sektorit privat dhe këtë mund ta pranojnë vetëm një pjesë e shoqërisë, ndërsa 60 për qind nuk ka mundësi financiare. Këto nuk janë kriminale, nuk janë të zeza, por që e kanë bërë këtë duke mos respektuar ligjin dhe shtetin. Kolona e tretë është ekonomia ekstraligjore, ku përfshihen ilegalja dhe informalja.
Këtu futen biznese dhe ndërtime që janë të ligjshme, por për një arsye ose tjetër figurojnë jo plotësisht të regjistruara dhe nuk kontribuojnë në aspektin fiskal për shoqërinë. P.sh. një pronësi që mund të jetë e juaja. Ju keni bërë marrëveshje dhe keni marrë një apartament me një kontratë sipërmarrjeje. Ju keni paguar paratë që janë të pastra, jo të zeza, firma është e rregullt, pra paguan detyrimet, por pallati është i paregjistruar në hipotekë. Për faktin se ju nuk keni certifikatë pronësie, ju nuk paguani taksa, dhe jeni në periudhë tranzitore, sepse firma mund të ketë bërë disa gabime në zbatimin e ndërtimit dhe bashkia nuk i jep leje për regjistrimin në hipotekë.
Në librin tuaj të fundit "Misteri i gjashtë" ju e ndani kështu Shqipërinë: një pjesë që jetojnë në vila dhe kështjella dhe në anën tjetër një shumicë që jeton në pronat e palegalizuara dhe asnjë qeveri nuk ka pasur guxim ta shohë këtë shtresë që ka kaq shumë asete, që llogariten në miliarda dollarë.
Sot jemi në një fazë ku nuk ka një ndarje horizontale të shoqërisë, por ndarje vertikale. Nga njëra anë ndodhen asetet dhe përfitimet nga qeverisja, politikanë, parlamentarë, biznesmenë të fuqishëm, që kanë lidhje farefisnore me këto kategori, që paguajnë në mënyrë korruptive për të pasur këto asete. Këta janë njëri krah dhe kanë akses te qeverisja, te vendimmarrja dhe ndikojnë duke përfituar shërbimet që duan. Pjesa tjetër e shoqërisë nuk e ka mundësinë që të kenë akses fare te qeverisja dhe përfitimet e saj, por ndjehen të përjashtuar. Përjashtimi i këtyre njerëzve krijon tension social, që mund të krijojë problematikë, e cila është vërtetuar në Shqipëri, si në 1992, 1997-1999, që kanë zbuluar këtë pabarazi dhe hendek të madh që ekziston. Ajo klasë politike që do të t'i hyjë kësaj pune, do të jenë njerëzit e vërtetë që do të lënë gjurmë nëse e transformojnë këtë shoqëri. P.sh. politika është shumë vonë me kthimin e kompensimin e pronave, e kanë shtyrë dhe injoruar këtë problem. Kjo është një faturë që sa vjen dhe rritet. Vetë politikanët në parlament, kanë folur për një faturë 3-4 miliardë euro, ndërsa grupet e interesit të pronarëve flasin për rreth 30 miliardë euro. Sepse duhet zgjidhur se nga do të dalin këto para. Ju punuat për dy vite si këshilltar për çështjet e territorit në qeverinë shqiptare. Sa e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme ka qenë ajo për masakrën urbane që është bërë dhe vijon të bëhet? Idetë tona ne i prezantuam dhe ishte kjo mazhorancë që u tregua e gatshme t'i merrte përsipër.
Disa prej ideve tona u implementuan, shumë të tjera jo. Fatkeqësisht ai vullnet politik i treguar gjatë fushatës, pjesërisht nuk është marrë në konsideratë nga qeveria. Mua m'u ofrua pozicioni i nderuar i këshilltarit, të cilin e pranova me një objektiv të qartë. Por mua nuk m'u ofrua mundësia për ta zbatuar platformën në rrafshin teknik dhe politik. Për dy vjet bëra këtë dhe them se nuk gjeta mirëkuptim, por shkova me ide të qarta, për të kontribuar me një produkt të qartë. Unë jam krenar që isha pjesëmarrës në ekipin që bëri ekspertizën për ekstralegalitetin. Ky raport është tani objekt i analizave të ndryshme dhe mendoj se do të ketë një fazë të dytë. Pjesa e ekzekutimit të reformës nuk ishte as Besnik Aliaj, as kolegët e CO-PLAN-it, as universiteti "Polis". Në këto dy vjet nuk është se nuk është bërë punë, por idetë që hodhëm ne për reformën, veçanërisht ajo e planifikimit të territorit, sot e tre vjet nuk është i plotësuar. Nuk e kuptoj pse, pasi nuk ka munguar asistenca dhe për mua është e qartë se përgjegjësia është e institucioneve që kanë pasur detyrën për të zbatuar reformën. Tre vite të humbura për këtë mazhorancë janë shumë.
Intervistoi: Arben Rrozhani
|