| Rini e zymtė |
|
|
| Thursday, 17 July 2008 | |||||||
Ja pse është e pakënaqur juria e festivalit të regjisorëve të rinj. Ajo shpalli disa fitues e megjithatë ka rezerva për veprat e pazbërthyera dhe prurjen e paktë të dramaturgjisë kombëtare.
Tendenca drejt veprave të dramaturgëve të mëdhenj, pak dramaturgji kombëtare dhe cilësi ca më pak. Është ky rezultati i parë që ka dhënë juria e ngritur pranë Teatrit Kombëtar për të shpallur fituesit e “Fondit Publik për të Rinjtë 2008”, projekt i financuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kjo e fundit, përpos fondit prej 4 milionë lekësh të reja, pra një milion më pak se viti 2007, kishte paravendosur numrin e fituesve. Vetëm pesë nga 9 në edicionin e shkuar. Nga 12 projektet e paraqitura, juria e përbërë nga Kristaq Skrami, Bujar Asqeriu, Fatjon Dragoshi dhe Herida Duro, përfaqësues të MTKRS-së si dhe Indrit Çobani (regjisor-aktor) përzgjodhën më të mirët e mundshëm: Mikel Kalemi me “Kthesën” e Tankret Dorst, Irvin Muçaj me “Pluhuri mbi parvaz” i Astrit Canit, Juli Sinani me “Over There” nga Morun Motok, Eglantina Cenoimeri me “Knepp” të Jorge Godenberg dhe Erion Hinaj me “Kamarierin memec” të Harold Pinterit. Drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, thotë se prurjet e këtij viti nuk ishin në të njëjtin nivel me edicionin e shkuar. “Të rinjtë kishin synuar autorë të vështirë, veprat e të cilëve nuk kishin arritur t’i zbërthenin si duhet” dhe që sipas tij bëhet fjalë për vepra nga Kamy, Motok, Gavran, veprat e të cilëve janë të vështira për t’u vënë në skenë edhe nga regjisorë me përvojë. “Qarkullon ideja se autorë të mëdhenj garantojnë sukses, por pikërisht këtu gabohet, sepse vështirësia në konceptimin e një vepre të tillë, është gjithashtu më e madhe”. Sa për dramaturgjinë vendase, edhe pse një nga kriteret e festivalit është lëvrimi i saj, të rinjtë vazhdojnë të mos e preferojnë. Ca sepse është e paktë, por edhe sepse nuk të jep mundësi për të bërë spektakël. Mes 12 projekteve të paraqitura vetëm dy janë dramaturgji vendase. Një prej prurjeve ishte “Kreshnikët” e Mitrush Kutelit, me regji të Adelina Muçës, platforma e së cilës nuk u përzgjodh mes fituesve. Ndërsa tjetri është drama “Pluhuri mbi parvaz”, një vepër e Astrit Canit e përzgjedhur nga Irvin Muçaj, i cili deri tani ka lëvruar vetëm regjinë filmike. Ka realizuar disa filma me metrazh të shkurtër, ku ka qenë regjisor e skenarist dhe as/regjisor në filmin “Lutje dashurie” i Artan Minarollit. “Pluhuri në parvaz” është projekti i tij i parë në teatër dhe e vetmja pjesë shqiptare në festival. Një vepër me shtatë personazhe, por që regjisori ka menduar që të interpretohen nga tre aktorë. Në platformën e Muçajt i kushtohet shumë vëmendje skenografisë e cila do të jetë e lidhur pazgjithshmërisht me personazhet që futen në skenë bashkë me kontekstin e tyre skenografik. (Platforma është e pajisur me skicat e skenografisë dhe kostumografisë, gjë që tregon për seriozitetin e projektit). Kuptohet se bëhet fjalë për një abstragim mbi jetën e njeriut, mbi paparashikueshmërinë e saj, mbi fatalitetin, por nuk është fort e qartë linja dramaturgjike, “historia”. Duket më shumë si një platformë e ngritur mbi lojën e gjuhës. (Por një vepër shqiptare duket se duhej të ishte në festival). Këtë vit kanë qenë tendencë më së shumti dramaturgjia psikologjike, madje disi e zymtë, duke shprehur në një farë mënyre edhe frymën e ditëve sot. Ankthi i pritjes dhe pasiguria e të nesërmes ngjyros veprat e përzgjedhura. E tillë është një tjetër vepër fituese, “Kamarieri memec”, shkruar nga Harold Pinter, me regji të Erion Hinajt, i cili e ka provuar veten si aktor (“Zysh e dashur”, “Erdhi policia”), ndërsa ky është projekti i tij më i madh regjisorial. Ca më i qartë Hinaj në projektin e tij. Mund të njihesh me subjektin dhe dy personazhet veprës dhe me mënyrën e konceptimit nga ana e regjisorit. Dy personazhet, Beni dhe Gasi, dy vrasës profesionistë janë në pritje të urdhrit të bosit të tyre për eleminimin e radhës. “Dilema se ç’do të bëhet me jetën tonë, ankthi dhe frika për misterin e heshtjes e të priturit pa një arsye që vë në pikëpyetje ekzistencën tonë, janë disa nga rrethanat dhe situatat që çdokush i has në jetë”, - shkruan Hinaj në platformën e tij. E duket se kjo është situata që përjetojnë sot artistët e rinj, të cilët shohin si të vetmen mundësi promovimi vetëm këtë festival, i cili nuk po arrin të marrë një fytyrë të vetën. Nga njëra anë është MTKRS, e cila çdo vit rrudh fondet, edhe pse propagandon mbështetjen e të rinjve. Nga ana tjetër, është Teatri Kombëtar i cili menaxhon këtë festival, nuk ka ditur të ndërtojë një strategji të qartë për aktivitetin. Ndoshta kjo është arsyeja pse të rinjtë orientohen keq në përzgjedhjen e veprave. Në gjithë historinë e festivalit, shumë pak janë të rinjtë që kanë përfituar prej tij. Ndër të paktët, për të mos thënë i vetmi, është Indrit Çobani, i cili u shfaq fillimisht si regjisor me veprën “Ndaj të ngrysuri” dhe dy herë të tjera si aktor që i dhanë mundësinë të angazhohet me profesionistët tek “Pamje nga Ura” dhe “Zysh e dashur”, madje është vlerësuar edhe me çmime. Ka qenë as/regjisorit në “Franku V”. Ndërsa të tjerët i ka rrëmbyer prapë rrjedha e përditshmërisë. Fituesit e çmimeve nuk i kemi parë më në skenë, që do të thotë se ky festival nuk po e çon dot deri në fund misionin e nisur për prezantimin e të rinjve, por po zhvillohet thjesht një festival për festival në muajin tetor. Shekulli.
Powered by !JoomlaComment 3.21
3.21 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved." |
|||||||
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|



