| SHQIPJA NE FAMILJEN E GJUHEVE |
|
|
| Monday, 31 March 2008 | |||||||
|
Hidhet në qarkullim "Hyrje në Indoeuropianistikë", një vepër-traktat, zanafillë e një doktrine të re. Dhe për Çabejn vlen të thuhet: "Ai po gatitet të ketë një jetë të dytë, e cila do të gërshetohet pashmangësisht me tonën".
Hyrje në Indoeuropianistikë" ndoshta është libri më i mirë teoriko-analitik i gjuhësisë shqiptare deri me sot. Përmes tij Çabej është i pari ndër gjuhëtarët shqiptarë që e harton dhe e ofron të plotë mendimin mbi shkencën e Indoeuropianistikës. Duke e krahasuar këtë tekst me modelet e botuara në Europë në gjysmën e parë të shek. XX, vihet re se ky shkencëtar luminar, i qartë se metodikat gjuhësore sui generis po e nxirrnin shqipen jashtë interesit shkencor ndërkombëtar, i përmbahet qëllimisht strukturës së atyre modeleve të cilat kishin filluar të konsideroheshin të papërshtatshme nga "shkenca e re" shqiptare. Madje, vështruar në rrafsh të filozofisë mbi gjuhën - si produkt historiko-kulturor e social njëherësh - kjo mendësie tij paraqet dhe meritën më të madhe të opusit shkencor të Çabejt në përgjithësi. Pa këtë fushëpamje të gjerë të hartuesit, vepra në fjalë nuk do mund të kapërcente sinorët provincialë të një filologjie thjesht shqiptare, e cila, siç ndodhi më vonë, përsiati kryesisht mbi vetveten dhe me vetveten. Nuk do harruar se në kohën kur Çabej formësoi qartë teoritë albanistike, dhe i përshfaqi ato për studentë e studiues, ishin ende gjallë e aktivë indoeuropianistë të mëdhenj si Rohlfs, Kretschmer, Devoto, Tagliavini, Coseriu, Desnickaja, Pisani etj, me të cilët Çabej vijonte ta ruante komunikimin. Kësisoj, thuajse krejt i izoluar ne Atdhe, ai mori përsipër mbajtjen me çdo kusht të gjuhësisë shqiptare në hullinë e arritjeve metodike europiane. Dhe do të jetë metoda bashkëkohore e kërkimit, e gërshetuar me gjenialitetin e tij proverbial, që do formulojë kumtin filozofik të kësaj vepre: se nuk mund të studiohet historia e një gjuhe në një kontekst vijimisht të izoluar, por vetëm Historia gjuhësore e një bashkësie integrale folësish e shkruesish.
Kështu fjalët, këto unitete ende më të qëndrueshme se gurët, u shndërruan në përçuese të mesazheve të largëta, që vinin edhe nga qytetërime e popuj për të cilët deri pak kohë më parë nuk dihej kurrgjë. Duke e plotësuar atlasin e verbër fillestar me të dhëna e përfundime të pranueshme që vinin nga një sërë gjuhësh, Indoeuropianistika, nga teori hipotetike mundi te shndërrohej në shkencë të mirfilltë: nisur me skemën e thjeshtë Stammbaumen të Schleicherit, ajo kish mbritur deri te opusi madhor "L'Europe linguistique", që u botua nga A. Dauzat në vitin 1953. Më pas punimet vijuan mbi truall te qëndrueshëm dhe harta plotësohej e përsosej dora-dorës. Sikundër thotë edhe Çabej në këto leksione, shkolla e Saussurit hapi rrugë të reja në gjuhësi të përgjithshme po sidomos në Indoeuropianistikë.
Eshtë e qartë mungesa e shqipes në hartën e përditësuar të Enciklopedisë së Kulturës Indoeuropiane; gjuhësia shqiptare, edhe në vitet Nëntëdhjetë vijonte vozitjen në ujrat e amullta të metodave të saj sui generis. Dhe s'kish si të ndodhte ndryshe; Saussure thotë se "objekti e përcakton metodën". Objekti studimor i gjuhësisë shqiptare nuk ish më as "shqipja në familjen e gjuhëve", sikundër u mundua ta shqyrtonte Çabej e as shqipja e përbashkët si repertor i përdorimeve të diktuara nga bashkësia jonë social-kulturore. Periskopi i mveshur i kësaj nëndetësje që nuk lëvizte më, kish mbetur i drejtuar vetëm andej nga hamendej të ishte varieteti standard i shqipes. Për pasojë përfundimet e izoluara, e njëdrejtimëshe, të studimeve tona gjuhësore e humbën koherencën krahasuar me zhvillimet bashkëkohore, humbën atë koherencë që kish karakterizuar punën e një shkencëtari mendjehapur, objektiv e largpamës si Çabej. Mjafton të përmendet fakti se rezultatet shkencore të tij gjenden të cituara si vlera referuese ndër shumë vepra të rëndësishme të gjuhësisë së krahasuar si te "Origini delle lingue neolatine" të C. Tagliavinit, apo në punimet e G. Svanes, G. Devotos, G. Rohlfsit, të M. Bartolit etj.
Po le të kthehemi te punimi ynë që, me sot, resht së qeni vlerë arkivore e u jepet studiuesve i saktë në plotninë e tij. Ky libër do të jetë një literaturë e vlerë për gjithë studentët e shqipes, të cilëve do t'u hapë një dritësore të pamjegulluar mbi evolucionin e gjuhës sonë dhe gjendjet e saj historike e prehistorike. Po do t'u duhet gjithaq edhe antropologëve kulturorë për të deduktuar s'andejmi atë çka thamë qysh në krye të herës, pra jo thjesht historikun e shqipes, por historikun e etnisë së përdoruesve të saj. Dhe ky historik, falë sintezave krahasimtare të Çabejt, do të jetë lehtësisht i konfrontueshëm me atë të etnive që kanë dhënë e kanë marrë me tonën. Për gjuhësinë shqiptare ky libër, i lexuar drejt, mundet me pasë po atë efekt vendimtar që pati Cours de linguistique générale i Saussurit për gjuhësinë europiane të shek. XX. Kjo pasi analizat retrospektive të këtij punimi dhe përfundimet e natyrshme që Çabej nxjerr nga këto analiza, i japin gjithkujt që don të ndëlgojë, çelësat e duhur shkencorë për të kuptuar, përshkruar dhe emërtuar drejt mjaft nga dukuritë dhe prirjet që vërehen sot në repertor të shqipes. Tekembrama, kjo don të thotë me ndjekë evolucionin e shqipes dhe me ulë efektet e revolucionit që u pat ndërmarrë ndaj saj. Për këto arsye pra, për këto dhanti që ka ky libër, besojmë se energjinë më të madhe do ta çlirojë për mëkambjen e Gjuhësisë Moderne Shqiptare që po lind. Gjithë sipas kësaj logjike, duke arsyetur sipas shtegut të saj prognostik mbi disa postulate të këtij punimi, vërehet se një nga faktet sintaksore, që po rezulton mjaft i shpeshtë nga vëzhgimet e prirjeve vetëstrukturuese të Shqipes së Sotme, është fakti që përdoruesit kanë nisur të parapëlqejnë ndjeshëm ndërtimet me bashkërenditje. Kjo dukuri po vërehet sot jo vetëm te gjuha e folur dhe varietetet substandarde, por edhe te i ashtuquajturi Neostandard i shkruar i shqipes. A ka një kuptim kjo simptomë? Siç thekson Çabej, e parë në vetvete dhe për vetveten, një dukuri thjesht përshkruhet por nuk spjegohet. Për t'u spjeguar, ajo duhet parë edhe në diakroninë e saj. Duke kthyer sytë nga Hyrje në Indoeuropianistikë vërejmë se Çabej, teksa analizon sintaksën historike të gjuhëve indoeuropiane dhe ofron paralelizma me shqipen, thotë se "lidhur me bashkërenditjen edhe me nënrenditjen duhet të themi se në periodat e para mbizotëronte bashkërenditja, koordinimi, kur kemi të bëjmë me disa fjali. Fjalitë e koordinuara, të bashkërenditura, kanë mbizotëruar mbi fjalitë e subordinuara, të nënrenditura. Nënrenditja e fjalisë paravendon, presupozon një zhvillim mendor mjaft të përparuar. Që të lidhen fjalitë, domethënë një kryesore, të tjerat të varura prej asaj, kjo supozon një zhvillim mendor që ka shkuar përpara. Mentaliteti primitiv do bashkërenditje, atë që W. Haversi e quan "mënyra numëruese, enumerative". Kjo analizë hedh menjëherë dritë mbi simptomën e mësipërme. Është gjuha e folur ajo që në thelb e më së shumti nuk shtrëngohet të vendosë një rend të avancuar sintaksor, kjo për shkak edhe të aty-për-atyshmërisë së replikës. Pra ajo e ruan mentalietin primitiv, që parapëlqen bashkërenditje, qoftë për konservatorizëm ndaj rendit historik (njerëzimi më parë ka folur se ka shkruar), qoftë për shkak të spontaneitetit që e karakterizon. Kështu mbërrihet në përfundimit se tiparet e reja sintaksore që po shfaqen në Neostandardin e shkruar i përkasinmë së shumti kodit të folur, a më saktë, përdorimi po i importon ato prej këtij kodi. Po asistojmë pikërisht në procesin e pritshëm te ndikimit të anasjelltë: shkrimi, si kod më konvergjent, edukon paraprakisht gjuhën e folur, duke synuar të krijojë edhe aty një kod po aq konvergjent – shembëlltyrë të tijin. Porse shkrimi prej natyre mbetet i ngurtë e sakaq kodi i folur, i cili ka nisur ta marrë prestigjin e konvergjencës, ecën përpara duke u vetëstrukturuar. Kësisoj përdoruesit e të dyja kodeve, ku me vetëdije e ku në mënyrë mekanike, mundohen ta mbartin këtë pasurim edhe në kodin e shkruar, duke formuar kësisoj një Neostandard faktik brenda Standardit teorik.
Me rastin e 100-vjetorit te lindjes se Eqrem Çabejt, është me vend të thuhet se ç'përfaqëson ai në mendimin tonë filozofiko-gjuhësor. Ja lemë Justin Rrotës, njërit ndër kontribuesve të shquar në procesin e selitjes së gjuhës letrare shqipe, i cili në punimin e vet "Gjuha e shkrueme ase vërejtje gramatikore" kishte këtë kushtesë: "Prof. Eqrem Çabejt, Albanistit ma të madhit kombëtar, këto hulumtime nxanësësh. Gjithë motin e jetës mirënjohtës për kontriburin e vlefshëm dhe bujarisht të huajtun në favor të këtyne fletëve". E kjo kushtesë mungon në botimin që Akademia e Shkencave përgatiti për Kolanën Françeskane. Por natyrisht kjo mungesë nuk cënon aspak vetëdijen e kujt gjuhën shqipe e studion jo vetëm si trashëgim lëndor të qenies shqiptare, por edhe si rezultat të atij mendimi shkencor luminar që e tuteloi këtë gjuhë me gjithë përkujdesjen që meriton gjuha amtare; e sot figura e Çabejt përshfaqet pikërisht siç e përcaktoi J. Rrota: më i madhi albanist kombëtar. Madje më i madhi i dijes sonë. Me botimin dhe divulgimin e kësaj vepre-traktat, që nuk është një doktrinë e përfunduar, por zanafillë e një doktrine të re, për Çabejn vlen të thuhet sot pikë-për-pikë ajo çka tha Benveniste në pesëdhjetëvjetorin e botimit të Kursit të F. de Saussure: "Ai po gatitet të ketë një jetë të dytë, e cila do të gërshetohet pashmangësisht me tonën". SHEKULLI.
Powered by !JoomlaComment 3.21
3.21 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved." |
|||||||
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|



