| Shqipėrimi i pakohė i Sotir Cacit |
|
|
| Sunday, 23 March 2008 | |||||||
|
“Ti je si gjarpri. Gjarpri ha dhé se kujton se do t’i mbarohet, ndërsa ti ha libra”. Kështu i tha dikur duke qeshur një miku i tij, teksa shihte të punonte me një ritëm të marrë. Ndoshta ishte një parandjenjë se do të ikte para kohe dhe nuk do të mundte të mbaronte gjithë çka donte të bënte. Këtë vit mbushen plot 25 vjet nga vdekja e përkthyesit Sotir Caci. I konsideruar si një nga shqipëruesit më të mirë të shkollës së përkthimit shqip, në krah të Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit, Vedat Kokokës, Skënder Luarasit, Robert Shvarcit, etj. Emri i Sotir Cacit lidhet ngushtësisht me ardhjen në shqip të veprave të mëdha të Letërsisë Botërore, si epopeja “Lufta e Paqja” e Leon Tolstoit, “Doni i qetë” i Shollohovit, “Çoçarja” e Alberto Moravisë”, “Nëna” e Gorkit, për të vazhduar me vepra të Stendalit, Balzakut, Molierit, Zolasë. Por më së shumti Caci do të kujtohet për shqipërimin e poezisë franceze, prej së cilës i ofroi publikut shqiptar krijime të Hygoit, Rembosë, Bodlerit, Elyarit, Verlenit, Bualosë, etj, etj. Miqtë e familjarët tregojnë se poezia ishte shpirti i tij, dashuria më e madhe, së cilës i kushtoi gjithë jetën. Kur kujton të atin, i cili u nda nga jeta më herët se ç’duhej, Zana, e bija, nuk mund të mos emocionohet, madje t’i rrëmbushen edhe sytë. Ishte ende e vogël, kur ai kalonte orë të tëra mbi libra e fletë. “Puna për të nuk kishte kohë. Punonte natën, ditën… Madje edhe kur i duhej të mbante ndonjë radhë (radhat e famshme të kohës së diktaturës), me vete mbante një bllok të vogël shënimesh, për të hedhur gjithçka i vinte në mendje”, - kujton Zana. Për të nuk kishte orare dhe shpesh herë i duhej të grindej me “shefat” e “Naim Frashërit”, pasi nuk mundej t’i nënshtrohej orareve zyrtare. Çdo moment ishte i përshtatshëm për përkthim. Ndaj dhe drejtuesit e “Naim Frashërit” i bënë një lëshim që ai të punonte në kushtet e shtëpisë. Punonte me një makinë shtypi të vjetër, “si ato të muzeut të luftës”, siç thotë bashkëshorti i Zanës, Maksim Cikuli. Me të radhiste gjatë gjithë natës edhe libra, të cilët i kishte huazuar për pakë kohë dhe nuk do të mund t’i mbante më në duar. “Ishte një njeri shumë i përkushtuar dhe merrte gjithnjë edhe mendimin tonë. Pavarësisht se atëherë unë isha vogël, atij i interesonte mendimi i të gjithëve. Për një varg kishte tre variante. “Cila ju tingëllon më mirë?”, na pyeste”, - vazhdon të tregojë Zana. Një fjalë e pashqipëruar siç duhej i mbetej për një kohë të gjatë në mendje dhe hante inat me veten.(Caci ishte autodidakt në frëngjisht dhe sipas familjarëve, një nga pengjet më të mëdha, që mori me vete ishte që nuk mundi të shohë dot kurrë Francën).Kështu i kishte ndodhur me romanin e famshëm “Ura e psherëtimave”, ndër përkthimet e para të tij, që u bë i modës aso kohe. Kishte ngatërruar emrin e një luleje. Në vend të karajfilit përktheu lulesyçkë. Por tingëllonte aq bukur ajo fjalë, saqë në të gjitha botimet e romanit, ai emër mbeti ashtu. Nuk kënaqej me një përkthim korrekt të vargut. Në aktivitetin e organizuar nga Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, “Të mbajmë gjallë qiririn e përjetshëm të artit poetik” me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së Sotir Cacit, përkthyesja Donika Omari, thotë se në shumë raste shqipërimet e Cacit kishin doza emocionale edhe më të forta se origjinali. Ajo sjell shembuj nga vargjet e Hygoit dhe Bodlerit, të cilat emocionojnë me madhështinë e vargut, ritmin dhe rimën e pasforcuar. Sipas saj, shqipëruesi diti të ruajë ekuilibrat mes dy dashurive, mes asaj për gjuhën shqipe, të cilën e njihte thellësisht dhe respektimin e origjinalit. Shqipërimet e realizuara prej tij konsiderohen si ndër më të mirat dhe të paarritshmet. “Kur e shihnim që mundohej. I thoshim, hajt mo se 3 lekë vargu kushton, por ai na e kthente se edhe falas, sërish do t’i përkthente ato vargje”, - kujton Maksim Cikuli. Sotir Caci guxoi të sillte në shqip edhe krijimtarinë e autorëve të “ndaluar”, siç ishte pjesa më e mirë e poetëve francezë. Një pjesë e të cilave u botuan shumë vite më vonë. “Poezinë e kishte pasion. Nën atë çensurë që ishte në ato vite, ato poezi, nuk do të kishin parë kurrë dritën e botimit, megjithatë ai vetëm përkthente”, - thotë e bija, teksa kujton se ai e vinte përkthimin mbi të gjitha dhe nuk merrte parasysh rrezikun që përbënte aso kohe një veprim i tillë. Edhe familjarët ia hidhnin fjalën si anës e anës. Sipas saj një pjesë e këtyre poezive të pabotuara u përzgjodhën nga Nasho Jorgaqi dhe Ilia Lëngu dhe u botuan disa vite më parë si “Antologjia e Poezisë franceze”. “Por ka edhe të tjera që do t’i rishikojmë më vonë. Kanë mbetur të pa botuara nga Viktor Hygoi, “Legjenda e Shekujve” dhe një pjesë e “Ndëshkimeve””, - thotë Zana. Sotir Caci lindi në Borovë të Kolonjës në vitin 1917. Shkollën fillore e kreu në Ersekë, ndërsa Liceun në Korçë. Kreu “Normalen” e Elbasanit ku kishte si pedagog Aleksandër Xhuvanin. Më pas punoi si mësues në disa fshatra. Ndërkohë nisi të shkruante poezi, të cilat u botuan në shtypin e kohës si “Iliria”, “Java”, “Rilindja”. Poezitë e tij u botuan në të parën antologji të letrarëve të rinj, të asaj kohe, se bashku me Migjenin, Petro Markon, Dhimitër Shuteriqin, etj. Po atë kohë filloi të përkthente prozë e poezi franceze. Vepra e parë e rëndësishme ishte “Ura e psherëtimave”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore humbet dy prindërit dhe i prekur nga kjo ngjarje shkruan poemën “Borova”, një nga krijimet më të mira të tij, e cila më vonë u muzikua nga Kristo Kono. Punoi në redaksinë e gazetës “Bashkimi”, në kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe shef redaksie në entin botues “Naim Frashëri”. U nda nga jeta në moshën 66-vjeçare në vitin 1983, duke lënë pas mijëra faqe përkthime.
Powered by !JoomlaComment 3.21
3.21 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved." |
|||||||
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|



