| Si mund tė rikthehet Leari |
|
|
| Thursday, 15 May 2008 | |||||||
Biografja e jetës së Edward Leari në gjurmët e piktorit viktorian në Shqipëri. Një sugjerim nga Vivien Noakes për veprat që ndonjë ditë mund të vinin tek ne.
Vivien Noakes ka dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë kur nisi të interesohet për udhëtimet e Lear-it. Kur u tha të vetëve se po shkonte të vizitonte këtë vend, disa pranuan se e dinë ku bie, dhe vetëm njëri i tha që bie në Afrikë. “Është turp i madh që ne në Angli nuk dimë shumë për vendin tuaj”, -thotë Vivien biografe e jetës së Edward Lear-it, piktorit viktorian që ka realizuar rreth 100 tablo, grafika dhe akuarele për Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe ka shkruar “Journals of a Landscape Painter in Albania”. Pas simpoziumit që u mbajt për 160- vjetorin e ardhjes për herë të parë në Shqipëri; 120- vjetorin e vdekjes dhe 10-vjetori i krijimit të shoqatës “Miqtë e Edward Learit” në vendin tonë, Vivien Noakes po udhëton në ato qyetete ku ka shkelur Lear-i. Pas udhëtimit në Berat ku në ambientet e galerisë së artit që mban emrin e E. Learit u bë anëtare nderi e shoqatës, zonja Noakes dha këtë intervistë. Ju e njihni paraprakisht këtë vend falë veprave të Lear-it, jo? Po, por Shqipërinë e vjetër ama, ndërsa Shqipërinë e djeshme ne në Angli e kemi menduar si një vend të mbyllur, krejtësisht të mbyllur. Kontaktin e parë me vendin tuaj e kam pasur njëzet vjet më parë kur jemi nisur me një anije nga Korfuzi, por për shkak të motit të keq nuk mund të udhëtonim drejt bregut shqiptar sepse ishte e rrezikshme. Kështu pra ky qëlloi që të ishte edhe imazhi i parë që kisha: nuk mund të shkosh atje, është një vend komunist që s’ka lidhje me botën. Këtë kisha fiksuar për vite në mendjen time. Qyteti i parë që vizituat ishte Berati, atë që Leari ka dashur më shumë. Ishte kaq bukur në Berat. Duket një qytet i ruajtur mirë me gjurmët e Shqipërisë së vjetër në arkitekturë, shtëpitë dhe sigurisht tek peizazhi që duket sikur nuk ka ndryshuar nga ajo që shohim tek veprat e Lear-it. Është aq e trishtueshme të shkosh më përtej dhe të shohësh që është shkatërruar kaq shumë nga ajo Shqipëri e vjetër. Sigurisht që nga varfëria e një vendi lind nevoja për të ndërtuar në anët më të bukura të vendit. Nuk është çudi që shumë shpejt të shkatërrohen edhe këto bukuri. Më vjen t’i them “ndal” ndërtimit, hapni sytë, kujtoni çfarë ndodhi me Spanjën ku u shkatërrua krejt vija bregdetare. Do ishte fatkeqësi e madhe që këtu të ndodhte e njëjta gjë. A ka shanse që një ditë kemi për të parë këtu veprat e Lear-it? Vështirë të ndodhë, shumica e veprave për Shqipërinë janë në Amerikë në koleksione permanente dhe që nuk do donin t’i shisnin. Disa nga veprat e Lear-t kanë dalë nga tregu, akuarelet nga Greqia për shembull. Edhe akuarelet me temë shqiptare kanë mbetur në grupin e atyre që janë blerë nga një koleksionist amerikan më 1920-n i cili më vonë ia dha Universitetit të Harvardit. Nuk duan që të dalin në shitje që të blihen nga shqiptarët, çka është një turp i madh, sepse ka shumë prej tyre. Ju keni ndonjë nga këto? Unë kam disa vepra nga Lear-it, ndërsa nga Shqipëria vetëm një. Është një vizatim i një kostumi shqiptar. Ndoshta kjo do të vijë një ditë në Shqipëri. Çfarë do të veçonit nga jeta e tij jo e zakontë? Në jetën e tij më bëjnë përshtypje problemet me të cilat iu desh të përballet. Ka vuajtur shumë nga epilepsia, ka refuzuar gjithçka që do ta ndalonte në rrugën e tij dhe ka çarë përpara. Një njeri bujar e zemërmadh. Nuk u martua kurrë për shkak të epilepsisë, nuk donte të kishte fëmijë që të vuanin të njëjtën gjë. Ishte kaq i vetmuar edhe pse kishte shumë miq. Jetëshkrimi për të ka qenë vepra e jetës suaj? Jo tamam. Që fëmijë jam rritur me poemat e tij të ilustruara, “Nonsense”, ndërsa në moshën 20- vjeçare nisa të interesohesha më shumë për këtë piktor dhe udhëtar. Kam qenë lektore në Universitetin e Oksfordit, kam dhënë mësim aty, dhe jam marrë me studimin e poezisë angleze gjatë Luftës së Parë Botërore. Ne kemi një traditë të mirë të poezisë të shkruar gjatë viteve 1914-1918. Kam shkruar tri libra për këtë temë. Nga ana tjetër, bashkëshorti im është piktor, ai ka kaluar një vit në udhëtime me mbretëreshën dhe ka mbajtur shënime për aktivitetin e jetës së saj. Ai ka bërë vizatimet, ndërsa unë kam shkruar tekstin. Pra, është një gjë krejt e ndryshme nga puna me Edward Lear-in. Lear-i midis Greqisë dhe Shqipërisë, sikur shkakton një lloj xhelozie te ne fakti që ai është studiuar aq mirë nga grekët dhe është promovuar prej tyre. Po është e vërtetë dhe të mendosh se ai ka botuar një ditar për Shqipërinë. grekët janë krenarë për Learin dhe sipas tyre është piktori më i rëndësishëm i shekullit XIX për peizazhin gre. U ka lënë grekëve të dhëna për Greqinë e asaj kohe. Askush tjetër nuk ka lënë aq shumë tablo për Greqinë sa ai. Besoj se do ishte mirë të bëhej e njëjta gjë edhe nga studiuesit shqiptarë. Kjo mund të jetë e vështirë sepse shumica e veprave siç thashë janë në koleksione permanente. Megjithatë mund të shkruhet për të sepse Shqipëria kishte lënë kaq shumë gjurmë tek ai sa shkroi një ditar të tërë, për njerëzit, për ushqimin, për fshatin. Studiuesi Hudhri thotë se shqiptarët në ditarin e Learit janë krejt ndryshe se në tablotë e tij. Është e vërtetë? Po. Ditari është gjithë dramë, dhe tejet i ekzagjeruar, ndërsa kur shikon tablotë e tij gjen një qetësi. Lear-i kishte elementë të dramatikës gotike dhe ai e bën këtë për të krijuar përshtypje tek anglezët. Por kjo në vetvete është interesante. Piktura e tij është njohur tepër ngadalë tek ne. 23 vjet më parë, kur unë organizova një ekspozitë të tijën, shumë njerëz nuk e kishin idenë që Lear të ketë qenë piktor. E njihnin kyesisht me vargjet e ilustruara. Sot ai po konsiderohet si një nga piktorët kryesorë të shekullit XIX. Qëllon që me të shpejtë ndonjë tablo e tij kalon në ankand dhe shitet mirë. Por ajo që do doja me të vërtetë do ishte që shkrimtarët e rinj të shkruanin për Edward Learin. Duket sikur për t’i shpëtuar sëmundjes u dha shumë pas natyrës, zogjve dhe njerëzve. Ai kishte goditje të dhunshme epileptike. Gjithë jetës kishte kërkuar gjithçka që i sillte paqe, harmoni dhe mirësi, çka ishte e kundërta e goditjeve epileptike dhe vendet që ai pëlqeu më shumë ishin hapësirat dhe lartësitë gjithë paqe. Kjo mendoj se ka qenë arsyeja që ai jepej shumë pas udhëtimeve në kësi lloj vendesh ku realizoi vizatime gjithë dritë, kthjelltësi dhe ngjyrë dhe që reflektojnë atë që gjithë kohës ai përpiqej të gjente: paqen. Mali i Tomorrit, ju mendoni se kjo është vepra më e rëndësishme e bërë për Shqipërinë? Po, sepse është tablo kaq dramatike, është e përsosur. Ndodhet në një koleksion anglez dhe besoj se ajo mund të vijë në Shqipëri, sepse është fituar jo zyrtarisht. Është një tablo shumë e rëndësishme. E pashë dje atë mal por jo nga ajo anë prej ku Lear ka realizuar tablonë. I mrekullueshëm. Ju e quani Baba Tomori. Shekulli.
Powered by !JoomlaComment 3.21
3.21 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved." |
|||||||
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|



