TE BURIMET E GJUHĖS SHQIPE Printoni E-mail
Vlerėsimi nga pėrdoruesit: / 0
I dobėtMė i miri 
Saturday, 15 March 2008

100 vjetori i Eqrem Çabejt

Në "Vitin Çabej" i shpallur zyrtarisht nga Ministria e Kulturës në javën në lëmë pas, gazeta i ofron lexuesit mundësinë për të rilexuar veprën që i la kulturës kombëtare shkencëtari gjuhëtar. Çdo të shtunë, një artikull i shkëputur nga gjerdani i korpusit të Eqrem Çabejt. Të gjitha baticat e debateve të sotme për origjinën e gjuhës së shqiptarëve dhe vetë gjuhën, për etnogjenezën dhe mitet, përgjigjet për t'u kthyer në shtratin e vetë kanë për t'i gjetur në këtë cikël. Lexim të mbarë!

 

Në historinë e popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij ka një kundërshti në vetvete. Më një anë një nga popujt më të lashtë të Gadishullit ballkanik, i cili banon në këto vise që nga kohët e mugëta të parahistorisë dhe ka folur atë gjuhë që me ndryshimet që ka pësuar nëpër shekuj flasim ne sot. Më anë tjetër një popull, që nga mesjeta, gjuha e të cilit mezi fillon të njihet aty nga shekulli i XV. Si shpjegohet kjo kundërshti? Nuk ka dyshim se këtu kemi të bëjmë me të njëjtin popull, i cili me fate të ndryshme u përshkua nëpër shekuj gjersa arriti në gjendjen etnografike që përmblidhet me emrin "populli shqiptar". Spjegimi i kësaj kundërshtie qëndron në këtë, që për disa rrethana kulturale dhe disa procese historike që më fort mund të merren me mend sesa të konstatohen, nuk ka dëshmi dokumentare për historinë e popullit shqiptar gjatë periodës antike e për gjuhën e tij në atë kohë të lashtë. E vetmja e dhënë historike që ka një farë lidhje me kombësinë e sotme shqiptare, është emri i fisit (a popullit) Albanoi, me qytetin e tyre Albanopolis, që përmend Ptolemeu, astronomi e gjeografi i njohur i Aleksandrisë së Egjiptit në shekullin II të erës së re, duke e venduar atë në hartën e tij botërore në një trevë në lindje të Durrësit gjer andej nga malet e Kandavisë.


Qyteti Albanopolis, sikundër mendojnë shumë dijetarë që nga konsulli austriak Hahn i mesit të shekullit të kaluar e këtej, mund të ketë qenë aty ku gjinden sot gërmadhat e Zgërdheshit në rrethinat e Krujës. Ky emër vendi do të thotë "gardh, gardhiqe", ashtu si ai i Kardhiqit të Gjirokastrës e i disa katundeve Gardhiqi që gjinden në Greqi, të emërtuara ashtu prej shqiptarësh të atyre anëve. Ajo që ka rëndësi për historinë e popullit shqiptar, është që emri i Albanoive të periodës antike ka vazhduar nëpër shekuj dhe vazhdon të jetë i gjallë gjer më sot. Ai rron në emrin Arbër Arbën, Arbëresh Arbënesh, me të cilin shqiptarët kanë quajtur vendin dhe popullin e vet para se të quhen ato Shqipëri e shqiptarë. Këtë emër muarën me vete edhe ata shqiptarë që përpara dhe gjatë epokës kastriotiane u shkulën e vanë në Greqi e në Itali, të cilët nuk e njohin emrin Shqipëri e shqiptar, emër që zuri vend e u përhap më vonë. Ai emër ndërkaq vijon të rrojë vise-vise edhe në Shqipëri, më një anë në Jugun tonë në treva të ndryshme të Labërisë malore, më anë tjetër, përveç së tjerave, në një krahinë fushore ç'merr prej Kurbini e gjer në fushat e Durrësit e të Tiranës, pra jo larg nga viset e fisit Albanoi të kohës së lashtë.


Kishte kaluar një periodë e gjatë, gati njëmijëvjetshe, që nga koha e përmendjes së Albanoivet ilirë e gjersa shfaqen në histori Shqipëria dhe shqiptarët si një vend e një popull më vete në brigjet e Adriatikut. Ishte koha e luftrave të normanëve të Italisë jugore me Bizancin në Durrës e në trevat përreth; aty nga gjysma e dytë e shekullit XI dhe fillimet e XII. Në atë mes zihet ngoje dheu i Arbënit, i cili vazhdon të përmendet në shekujt e mëpastajmë nëpër burime lindore e perëndimore. Kjo heshtje gati njëmijëvjeçare që nga koha e Ptolemeut është historikisht e kuptueshme. Me mbarimin e Perandorisë romake dhe me dyndjet e popujve të ndryshëm në Gadishullin ballkanik, faqja etnike, shoqërore e kulturale e kësaj pjese të Europës kishte ndryshuar, gati një periodë e dytë parahistorike e mbuloi atë për disa shekuj me radhë. Pikërisht gjatë kësaj periode në viset perëndimore të Gadishullit u formua populli shqiptar nga popullsia vendëse që i pat shpëtuar romanizmit gjatë sundimit romak; e në viset lindore, në rrethana historike poaq të paqarta për ne, lindi populli rumun prej popullsisë së romanizuar të atyre anëve.

Gjuha shqipe si e tillë përmendet për herë të parë më 1285. Në një dokument të atij viti që gjindet në arkivat e Dubrovnikut (Raguzës) thuhet se "dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhë shqipe", latinisht "audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca", në lidhje sigurisht me thirmën e ndonjë njeriu të malësive tona të Veriut. Pak më vonë, më 1332, arqipeshkvi i Tivarit Guillelmus Adae (Brocardus), me burim prej Provence të Francës, duke folur për shqiptarët, thotë se "Et ja soit que les Albaniens ayant toute une autre langue diverse de celle des Latins toutefois ils ont en usage et en tous leurs livres la lettre latine". Kjo dëshmon më një anë që shkrimi i gjuhës amtare ka një traditë mjaft të vjetër në Shqipëri, më anë tjetër që gjuha ka qenë shkruar lashtërisht me shkronja latine.



Ka disa shekuj që dijetarë europianë të ndryshëm, filozofë, gjuhëtarë e historianë, janë përpjekur të dinë se shqiptarët stërnipët e cilit popull të lashtë janë, dhe gjuha shqipe bija e cilës gjuhë të moçme kryesisht të Europës juglindore është. Kjo çështje përbën një problem shkencor dhe sot e gjithë ditën, poashtu si çështja e prejardhjes së rumunëve, me gjuhën e të cilëve shqipja ka disa pika afrimi, që rrjedhin kryesisht nga mesjeta e hershme. Me problemin e burimit të shqiptarëve e të gjuhës së tyre ndërthuren një varg çështjesh të karakterit gjuhësor, etnografik, historik e arkeologjik, nga të cilat një pjesë e mirë kalojnë caqet e Shqipërisë dhe vijnë e përfshijnë mbarë popujt e Gadishullit të Ballkanit.

Në hetimin e këtij problemi, në përpjekjen për zgjidhjen e tij, dija qysh në fillim me të drejtë është nisur nga rrethanat historike, nga gjendja etnografike e Gadishullit ballkanik në kohët e lashta. Në ato kohë, te kjo trevë, poashtu si edhe sot, kanë jetuar disa popuj, janë folur disa gjuhë të ndryshme. Dihet se përveç helenëve (grekëve) të cilët kishin zënë vend në anën jugore të Gadishullit, në pjesën qendrore kanë banuar makedonët, në pjesën perëndimore– ilirët, në lindoren – trakasit: dy popuj të mëdhenj të ndarë në shumë popullsi edhe fise, raportet etnike e gjuhësore të të cilave me këto dy tërësi të mëdha nuk duket të kenë qenë të gjitha të njëllojta. Këtyre vinë e u shtohen disa popullsi kelte në anët veriperëndimore, e disa fise iranike në anët verilindore të kësaj zone. Kjo është në vija të përgjithshme gjendja etnografike e kësaj pjese të Europës jugore në epokën greko-romake, me sa mund të rindërtohet me anë të burimeve historike, me të dhënat kryesisht të autorëve të vjetër grekë edhe romakë. Kjo nuk përjashton që në kohë më të lashta, në periodën para e protohistorike, të kenë jetuar në këto vise edhe popuj të tjerë, me gjuhë të veta, të cilat në rrjedhë të shekujve u tretën në popujt e periodës historike pa lënë gjurmë, ose duke lënë ndonjë gjurmë në emër, e mbase edhe në gjuhët e popujve që mbetën fitimtarë në këtë simbiozë. Kështu, bie fjala, te Homeri, Hesiodi, Herodoti e të tjerë përmenden pellazgët, si një popull që në kohën historike më nuk ekzistonte e që për grekët e epokës klasike ishte bërë si të thuash një mit. Kështu edhe lelegët, eteokretët, eteokiprët, e ndonjë tjetër popull paragrek i kulturës "egjeike", i pellgut të Egjeut.



Problemi i burimit të popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe nuk është vetëm një problem gjuhësor, po njëkohësisht dhe një problem historik. Prandaj edhe rrugët për sqarimin e tij nuk do të nisen vetëm nga gjuhësia, po dhe nga historia, duke kombinuar të dhënat e këtyre disiplinave në një mënyrë racionale me ato të gjeografisë, të etnografisë e të arkeologjisë prehistorike. Duke u kufizuar këtu te gjuhësia, do të kihet parasysh që metoda e kërkimit në këtë fushë të dijes bazohet kryesisht në krahasim, të kuptuar në vështrimin më të gjerë të kësaj fjale. Dihet se çdo krahasim bëhet midis dy a më shumë madhësive. Kështu, në punën e hetimit të rrjedhës së shqipes, në parim duhej që kjo gjuhë në mbarë sistemin e saj të vihej në krahasim me gjuhët e lashta jogreke të Gadishullit ballkanik një nga një, për të parë se me cilën nga ato afrohet në mënyrë të veçantë, me cilën pra ka një afërsi birërie, ose – si thuhet – një lidhje filiacioni. Këtu ndërkaq metoda e krahasimit gjuhësor me pak përjashtime mund të thuhet se gjindet përpara dyerve të mbyllura. Si të tjerat gjuhë të shuara të Europës së lashtë, si iberishtja në Spanjë, gjuha e piktëve në Angli, galishtja në Francë, ligurishtja, retishtja, etruskishtja, pikenishtja, mesapishtja e të tjera idioma në Itali, ashtu edhe makedonishtja e vjetër, ilirishtja e trakishtja me degët e tyre nuk njihen në sistemin e tyre gjuhësor; nuk dihet ndërtimi i tyre fonetik, format gramatikore dhe fjalori i tyre. Romakët dhe helenët, ndonjë prej të cilëve edhe për nevojat praktike të jetës sigurisht ka zotëruar gjuhën e ndonjë populli fqinj, si etruskishten a mesapishten në Itali, makedonishten, ilirishten, trakishten a getishten në Ballkan, frigishten a lidishten në Azi të vogël, me ndonjë përjashtim të rrallë nuk duket të jenë përkujdesur dhe aq për t'i studiuar këto gjuhë e për të shkruar për to. Mundet ndërkaq që me djegien e bibliotekës së Aleksandrisë së Egjiptit, më e pasura bibliotekë e botës antike, ndër dorëshkrimet që u zhdukën në atë mes, të ketë pasur dhe ndonjë që të kishte të dhëna për gjuhët e vjetra fqinjë me greqishten.


Po të shikohet me një vështrim përmbledhës trashëgimia që ka mbetur prej këtyre gjuhëve, gjendja me pak fjalë paraqitet në këtë mënyrë. Prej gjuhës së makedonëve, të cilët nga perëndimi shtriheshin pjesërisht gjer në disa vise të Shqipërisë jugore, nuk ka asnjë mbishkrim. Nga dëshmia e autorëve të vjetër ndërkaq, si edhe nga disa glosa, d.m.th. fjalë të spjeguara prej këtyre autorëve me fjalët përgjegjëse greke, del se me gjithë afërinë që duket të ketë pasur me greqishten, dhe me gjithë ndikimin që pësoi prej kësaj ane, gjersa u tret nga kjo valë e u helenizua, makedonishtja ka qenë një gjuhë më vete, në disa tipare e afër me ilirishten.

Edhe trashëgimia gjuhësore e ilirëve të Ballkanit, këtij populli të madh që me degëzime të ndryshme shtrihej që prej Istrie në veri e gjer në kufitë e Greqisë, e që nga Adriatiku gjer në Vardar e Moravë, është shumë e pakët. Ajo përmblidhet në disa glosa që kanë lënë autorët e vjetër grekë e latinë, me përkthimin përkatës në gjuhën e vet. Këtyre u shtohet një sasi – mjaft e madhe – me emra visesh e personash. Këto emra gjinden nëpër shkrime të grekëve e të romakëve, e m'anë tjetër nëpër mbishkrime të hartuara greqisht e latinisht, me karakter privat, shtetëror a ushtarak, të zbuluara në rrjedhë të kohëve nëpër vise të ndryshme kryesisht të zonës mesdhetare, ndër to edhe vetë në Shqipëri, këtu dhe me ndonjë emër që nuk dihej më parë. Duke vështruar këtë material emrash nga pikëpamja e vlerës gjuhësore, do të pranohet që rëndësia e tij nuk është e dorës së parë, sa kohë që ai lë shteg për interpretime kuptimore të ndryshme. Nuk ka dyshim që emrat që një popull u vë personave ose viseve të territorit të tij, kanë një kuptim të vetin, si Agim, Drita, Lule, ose Bjeshkët e Nemuna, Lumë, Qafbuell, Shkozë, Shpat, Fier e të tjera si këto. Po ka edhe emra, sidomos toponime, me kuptim të paditur, si Lura, Dajti, Erzeni, Darsia, Vjosa, Labëria, Çamëria e plot të tjera. Në vijë të përgjithshme mund të thuhet se emrat sa më të reja të jenë, aq më të qarta paraqiten për nga ana e domethënies dhe e burimit të tyre; sa më të moçme, aq më të paqarta, më të errëta janë. Edhe më të errëta bëhen emrat vetjake, të personave a të viseve qofshin, kur gjuha e popullit që i pat vënë është zhdukur, në mënyrë që populli i gjuhës së re të vendit i merr trashëgim e i përdor, zakonisht pa ua rrokur kuptimin e hershëm. Kjo dukuri është e përgjithshme, si kudo dhe në Gadishull të Ballkanit, ku përdoren edhe sot me mijëra emra vendesh me kuptim të paditur.


Kështu ndodh edhe me emrat ilire. Vlera e tyre prandaj për gjuhësinë nuk qëndron dhe aq në kuptimin e tyre, i cili sikundër u tha më të shumtën mbetet i errët. Rëndësia e tyre qëndron më fort në këtë, që ato shërbejnë si çelës për të parë fjalëformimin e ilirishtes, mënyrën si i formonin ilirët fjalët e gjuhës së tyre me para- e prapashtesa e me anë kompozimesh; m'anë tjetër ato janë edhe një tregues i përhapjes gjeografike të këtij populli e të gjuhës së tij. Në këto rrethana rëndësi do të kishte të ishte gjetur ndonjë shkrim i hartuar në gjuhën ilire. Mirëpo asnjë shkrim, asnjë mbishkrim nuk ka prej ilirishtes ballkanike, i cili të tregonte karakterin e veçantë të kësaj gjuhe. Mbishkrimi i shkurtër i disa unazave prej bronxi, të gjetura prej vjetësh në Koman të Pukës, e prej të cilave njëra gjindet në Muzeun arkeologjik në Tiranë, nuk përmban fjalë ilire, po greke të kohës bizantine. Këtu ndërkaq do thënë se mungesa e mbishkrimeve për ilirishten duhet të merret me rezervë. Në territorin e Apulisë jugore, mu përballë bregdetit ilir, janë gjetur prej kohësh disa qindra mbishkrime të lexueshme, po të painterpretuara gjer sot nga ana e gjuhëtarëve. Në ato anë kanë jetuar japigët e mesapët, prandaj këto mbishkrime me të drejtë quhen mbishkrime mesapike. Të dhënat e autorëve të vjetër grekë e romakë këto fise i bien të ardhura prej Ilirie, e në këtë vështrim dëshmojnë dhe disa indice të tjera. Për këto arsye gjuhësia me mjaft të drejtë në mesapishten sheh një degë të ilirishtes të shpërngulur prej Gadishullit ballkanik në Itali. Ashtu edhe te mbishkrimet e mesapëve mund të shohim dokumente shkrimi të një dege të ilirëve, të cilët, në afërsi të pandërmjeme me botën greke e romake, përdorën me shkrim gjuhën e tyre, në kundërshtim nga sa duket me ilirët e Ballkanit.



Jo shumë ndryshe qëndron puna me burimet gjuhësore të trakasve, të atij populli të madh ballkanik, të cilin Herodoti e quan më të madhin pas indasve. Të ndarë edhe këta në popullsi a fise të ndryshme, si dakët, getët, mezët e të tjerë, lidhjet etnike e gjuhësore të të cilëve në mes tyre – ashtu si dhe tek ilirët – nuk dihen mirë, trakasit kanë lënë një numër të madh me emra personash e visesh, disa glosa, një sasi me emra bimësh mjekësore, si dhe disa mbishkrime të gjetura në vise të ndryshme kryesisht në pjesën lindore të Ballkanit, edhe këto të lexueshme, po të pazbërthyeshme gjer më sot për nga ana e kuptimit të tyre. Si ilirët, edhe trakasit, ndër ta sidomos dakët, patën luftra të ashpra e të gjata me pushtuesit romakë, gjersa trimëria e këtyre popujve luftarakë u shtrua nga armët e regjura të Romës. Me sundimin e gjatë të Perandorisë romake, vala e romanizimit, si zhduku në rrymë të shekujve shumë gjuhë të Europës perëndimore, ashtu përfshiu dhe gjuhët e popujve të lashtë të Ballkanit. Etapat e proceseve etnike e sociale që sollën si përfundim romanizimin nuk dihen, historiografia e ka shumë të vështirë t'i rindërtojë. Vetëm pak lajme ka nga faza e fundit e periodës antike e nga fillimi i mesjetës, si ai që një fis trakas kishte ruajtur gjuhën e vet gjer aty nga koha e perandorit Justinian të Bizancit. Ç'kishte lënë pa asimiluar vepra kolonizatore e romakëve, u tret pastaj prej valës sllave, që u dynd e zuri vend në këto anë.

Kështu paraqitet në vija të përgjithshme gjendja e dokumentimit shkrimor të gjuhëve të moçme ballkanike dhe me të bashkë edhe gjendja e njohurive tona për këto gjuhë. Nga materiali i gjymtë që ka mbetur prej sosh, nga thërrimet e asaj që mund të quhet ilirishte e trakishte, gjuhësia me një punë të palodhur, të gjatë prej më se një shekulli, është përpjekur të krahasojë gjendjen gjuhësore të sotmen të Gadishullit ballkanik me atë të kohës së lashtë, të gjejë fijet që mund të lidhin rrethanat emoçme me të rejat. Puna e gjuhëtarit në këtë lëmë kërkimesh është e krahasueshme me atë të një arkeologu, i cili nga cungjet e disa shtyllave, nga disa rrasa mermeri e ndonjë tjetër mbeturinë, mundohet të rindërtojë një pallat a një tempull të kohës së kaluar. Me një punë të tillë të pareshtur dija ka arritur të diktojë, në mos me siguri po me një gjasi mjaft të madhe, disa analogji që afrojnë ato gjuhë të vdekura me shqipen, trashëgimtare e vetme e kësaj situate gjuhësore të kohës së vjetër. Këto analogji, këto pika takimi përfshijnë si anën fonetike, si fjalëformimin me anë para-e prapashtesash, si disa elementë të leksikut, edhe disa emra visesh e personash. Nga një krahasim i përkimeve të shqipes me ilirishten e mesapishten më njërën, e me trakishten në tjetrën anë, shihet se kjo gjuhë e sotme paraqet afrime me të dyja këto grupe gjuhësore, po se afëria e saj me ilirishten është më e ngushtë se ajo me trakishten e degët e saj. Nuk është vendi këtu të jepen shembëj për këto afrime të dyanshme të shqipes. Gjithë kjo çështje do të sqarohej, do të kalohej nga gjendja e mundësive ose – në rasën më të mirë – e gjasive në atë të sigurisë, po të ish gjetur një e ashtuquajtur bilinguis, një mbishkrim i hartuar në dy gjuhë, në një nga këto gjuhë të moçme ballkanike dhe në një nga dy gjuhët e njohura t'asaj kohe, greqishtja a latinishtja.


Sikundër u tha edhe më lart, çështja e burimit të popullit shqiptar e të gjuhës së tij është mbi të gjitha edhe një problem historik. Duke e shikuar këtë problem nga pikëpamja historike, gjendja paraqitet shkurt në këtë mënyrë. Dihet se në trojet ku banon sot ky popull e ku flitet gjuha e tij, në kohën antike kanë banuar me shumicë popullsi ose fise ilire, të një grupi që mund të quhen ilirë të jugut, megjithëse për ndonjë trevë të vendit ka dëshmi të lashta që flasin për karakterin trakas të banorëve, të cilët ndërkaq për atë kohë nuk duket të kenë përbërë më shumë se enklava etnike përbrenda teritorit ilir. Dihet m'anë tjetër që nuk ka të dhëna që të thonë se shqiptarët të kenë ardhur në viset e tyre të sotmet në një periodë të mëpastajme të historisë. Këto dy komponente të karakterit historik: identiteti i teritorit të ilirëve jugorë me atë të popullit të sotëm shqiptar, dhe mungesa e ndonjë dëshmie për një imigrim më të vonë të këtij populli në truallin e sotëm të tij, po të shikohen së bashku, shpien me konsekuencë në një rezultante: në përmbylljen (konkluzionin) që ky popull është vendës, anas në viset që mban sot dhe që është pasardhës i banorëve të hershëm të vendit; me fjalë të tjera, që populli është i gurrës ilire dhe gjuha e tij vazhdim i njerit nga dialektet e ilirishtes.

Sikundër shihet, si kudo, edhe në problemin e burimeve shqiptare çështjet gjuhësore janë të lidhura ngushtë me çështjet e karakterit historik. Në këtë problem pyetja a janë shqiptarët autoktonë, d.m.th. anas, apo ardhës, si po shihet, ka një rëndësi të dorës së parë. Në qoftë se ata janë anas në atdheun e sotëm, mendimi i rrjedhës ilire bëhet historikisht më i besueshëm; në qoftë se vërtetohet përkundrazi që janë ardhës, treten mundësitë e një rrjedhe të tillë; fiton mjaft atëhere teoria që sheh në ta pasardhës të trakasve dhe në gjuhën shqipe bijën e trakishtes. Pa mundur të hyhet këtu në hollësira, do të thuhet shkurt se kjo çështje vazhdon të rrihet dhe sot e gjithë ditën, ajo përbën një nga problemet gjuhësore-historike më kryesore në fushën e studimeve ballkanistike. Dijetarët janë ndarë aty si të thuash në dy lagje, në to marrin pjesë gjuhëtarë e historianë nga vendet më të ndryshme. Të dyja palët mundohen secila t'i japin sa më vërtetësi teorisë së vet, duke luftuar me argumente shkencore e nganjëherë edhe jashtëshkencore, me kritere objektive e nganjëherë jo krejt të lira prej paragjykimesh të rrënjosura prej kohësh. Aty përzihen herë-herë interesat e një njohurie të pastër teorike me interesa të tjera.



Në këto rrethana çështja a ka vazhdimësi, etnike e gjuhësore, në truall të Shqipërisë nga koha antike e gjer më sot, përbën një nga çështjet kryesore në lëmin e studimeve shqiptare. Problemi i vazhdimësisë, i kontinuitetit, aq i rrahur, siç dihet, në historinë e rumanishtes, duhet të shtrohet dhe në fushë të shqipes, edhe mund të shtrohet. Një nga elementet që lozin një rol vendimtar në punë të autoktonisë e të kontinuitetit është të dihet nëse emrat e disa viseve të Shqipërisë që dihen që nga epoka antike, në format e tyre të sotmet paraqesin apo jo vijimin e formave të asaj epoke në pajtim me zhvillimin fonetik të shqipes. Me fjalë të tjera, shtrohet pyetja nëse ndër të tjera Shkodër, Drisht, Lesh, Shar, Ishm, Durrës, Shkumbin, Vlorë, Çam janë vazhdimet e të vjetrave përgjegjëse Scodra, Drivastum, Lissus, Scardus, Isamnus, Dyrrachium, Scampinus, Aulon, Thyamis pa ndërprerje nëpër gojën shqiptare; apo emrat e reja nuk spjegohen dot me këtë rrugë, ka pra një ndërprerje etnike gjatë periodës nga gjendja e vjetër në të renë, gjë që do të fliste për një ardhje të shqiptarëve më vonë në këto anë. Në kundërshtim me shumicën e dijetarëve të huaj, të cilët mohojnë një të tillë vazhdimësi emrash në pajtim me ligjet fonetike të shqipes, gjuhësia shqiptare ka vërtetuar prej vjetësh që trajtat e sotme të këtyre emrave nuk gjejnë shpjegim veçse nëpërmjet të zhvillimit historik të kësaj gjuhe. Prandaj edhe mendimit të tyre që populli shqiptar është i ardhur në këto anë prej trevash më lindore të Gadishullit ballkanik aty nga mbarimi i antikitetit ose gjatë mesjetës së hershme, gjuhësia vendëse i vë përballë teorinë e autoktonisë: Populli shqiptar është vendës në atdheun e tij historik të paktën që nga koha antike; dhe vendi i formimit të gjuhës shqipe është, me ndryshime të vogla, po trualli i sotëm i kësaj gjuhe në trevat e Adriatikut e të Detit Jon bashkë me hinterlandet e tyre. Në lidhje me këto rrethana merr një rëndësi të veçantë edhe fakti i përmendur më lart, që emri i moçëm i Albanoive mbijeton tek emri Arbën Arbër i tanishëm, si një emër i vjetër e i ri që jep dëshmi edhe ky për këtë vazhdimësi historike-gjuhësore. Gjuhësia shqiptare është shprehur për një rishqyrtim edhe të mendimit të shumë dijetarëve që disa nga qytetet kryesore të bregdetit shqiptar gjer aty nga shekulli XIII-XIV paskan qenë banuar prej "latinësh", pasardhës të provincialëve romakë e të afër me elementin roman të viseve bregdetare dalmatine, "inhabitant latini" në ndonjë dokument të asaj kohe. Sikundër del nga kjo skicë e shkurtër, me problemin e burimit të gjuhës shqipe e të popullit që e flet, lidhen shumë çështje të karakterit historik e gjuhësor, edhe me interes nacional, të cilat presin t'i afrohen zgjidhjes me frymë shkencore objektive.

Botuar së pari në gazetën Drita, 19 dhjetor 1971.

 

E vetmja e dhënë historike që ka një farë lidhje me kombësinë e sotme shqiptare, është emri i fisit (a popullit) Albanoi


Me djegien e bibliotekës së Aleksandrisë së Egjiptit, më e pasura bibliotekë e botës antike, ndër dorëshkrimet që u zhdukën në atë mes, të ketë pasur dhe ndonjë që të kishte të dhëna për gjuhët e vjetra fqinjë me greqishten.


Një nga elementet që lozin një rol vendimtar në punë të autoktonisë e të kontinuitetit është të dihet nëse emrat e disa viseve të Shqipërisë që dihen që nga epoka antike, në format e tyre të sotmet paraqesin apo jo vijimin e formave të asaj epoke në pajtim me zhvillimin fonetik të shqipes

 

Komente
Shto Koment Kerko Komentet
Shkruaj nje Koment
Emri Juaj:
Email(opsional):
 
Titulli:
Jepni kodin e sigurise qe shikoni ne imazh.

3.21 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."

 
< I mėparshmi   Tjetri >
Generated in 0.44352 Seconds