|
Dy letra tė Ban Ki-Moonit |
|
|
|
Tuesday, 27 May 2008 |
|
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, sipas burimeve diplomatike perëndimore ka përgatitur tashmë një draft-letër, e cila do të duhej të rrumbullakohej deri në fund të këtij muaji, ku njëshi i OKB-së do të prezantonte qëndrimet dhe idetë e tij në lidhje me rikonfigurimin e UNMIK-ut pas 15 qershorit, kur duhet të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës, bën të ditur gazeta Zëri.
Pas kësaj date do të duhej të fillonte procesi i përmbylljes së misionit të administratës ndërkombëtare në Kosovë, të instaluar në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Bazuar në burimet e përmendura, del që Ban Ki-Moon do t’i dërgojë dy letra në dy adresa, për të njëjtën çështje: te kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe te kryetari i Serbisë, Boris Tadiq. Kjo letër, sipas kësaj gazete, do të duhej të ishte rezultat i konsultimeve intensive në mes të New Yorkut dhe Brukselit, të cilat janë bërë në javët e fundit në New York. Letra e Ban Ki-Moonit, pritet të ketë rëndësi vendimtare sa i përket mënyrës se si do të organizohet bashkësia ndërkombëtare pas 15 qershorit. /Telegrafi/
|