|
Një djalosh i ri nga Kosova që kishte përjetuar djegie pothuajse vdekjeprurëse – është duke u shëruar për mrekulli në Spitalin Shriner, në Cincinnati të SHBA-ve. Mjekët në Spitalin e Shrinerit tashmë ia kanë “ripunuar” duart Ermalit dhe ai së shpejti pritet të kthehet në Kosovë.
Në saje të punës së mrekullueshme që kanë bërë mjekët në spitalin Shriner, Emrali i vogël, që ka vetëm 2 vjet e gjysmë, këto ditë ka filluar t’i përdorë sërish duar e tij. Shërimin e tij falas e kanë mundësuar misionarët amerikanë në Kosovë, respektivisht organizata Fëmijët pa Kufi, njofton ueb-faqja local12.com. Për Ermalin nuk jepen më shumë detaje, pos që përshkruhet fatkeqësia që i kishte ndodhur dhe se vjen nga Kosova. Ermali i kishte futur duart në një kazan përplot me ujë të nxehtë (për larjen e rrobave) dhe kishte përjetuar djegie të shkallës së tretë. E ëma e tij Xhezidja e kishte bartur atë deri në spitalin më të afërt, mirëpo plagët e Ermalit kanë qenë të mëdha – kështu atij i nevojitej një ndihmë më e madhe. Këtë ndihmë ia kishin ofruar misionarët amerikanë në Kosovë, të cilët e kishin vënë lidhjen në mes të Ermalit dhe grupit Fëmijët pa Kufi. Anëtarët e kësaj organizate ndihmuan që Ermali të shtrohet për shërim në Spitalin Shiner, ku edhe është bërë rikonstruktimi i duarve të tij të dëmtuara, njofton kjo ueb-faqe. Sonny dhe Sherry Rader, është çifti i cili ka hapur shtëpinë e tyre për t’i ndihmuar djaloshit në nevojë. "Ishte gjëja më mbresëlënëse që kemi bërë ndonjëherë”, ka thënë Sherry Rafer. “E dinim se ishte gjëja e duhur. E dinin se do të ishte vështirë, por sinqerisht, më shumë fituam se që mundem të ofronim në këtë rast”, ka thënë Sherry. "Shumë gjëra na shkuan mbarë", ka shtuar ndërkaq Sonny Rader. Dhe, përderisa mjekët në Shiners punonin në “riparimin” e duarve të Ermalit, e ëma e tij Xhezidja mësonte anglisht – e cila dëshiron që - para se të kthehet në shtëpi – së paku të mund t’u thotë atyre: “Zoti ju bekoftë”, Ermali deri më tash iu është nënshtruar shtatë operimeve. Operimi i tetë është caktuar për të premten, ndërsa pritet që ai të kthehet në Kosovë javën e ardhshme. Edhe kthimi i tij ishte vënë në pikëpyetje, për shkak të problemeve që kishte me pasaportë, megjithatë amerikanët sërish ofruan ndihmë. Madje, ndihmë në këtë drejtim ka ofruar kongresisti amerikan, Steve Chabot, dhe pasaportat e tyre tashmë janë në ardhje e sipër. Të shtunën ndërkaq, në Kishën e Krishtit në Western Hills, nikoqirët e Ermalit dhe ata që e kanë ndihmuar shërimin e tij, do të organizojnë një aheng për nder të djaloshit kosovar, i cili gjeti shërimin e tij në SHBA. /Telegrafi/
|