|
Ekspertja e Institutit për studime të sigurisë në Paris, Judy Batt, ka thënë në Podgoricë se Mali i Zi e ka sjellë vendimin e duhur kur e ka njohur Kosovën, sidomos për shkak të rajonit dhe stabilitetit të tij.
E pyetur nëse pushteti në Mal të Zi e ka zgjedhur momentin e duhur për ta njohur pavarësinë e Kosovës, Batt ka thënë se, nëse vendimi është i drejtë, në kontekstin e stabilizimit të rajonit, atëherë nuk duhet pritur. “Tajmingu çdoherë është problematik, sepse nuk ekziston koha e duhur kur Serbia do të mund të pranonte lehtë një vendim të tillë. Nuk mund ta komentoj taktikën e zgjedhjes së momentit të duhur për njohje, mirëpo mendoj se vendimi ishte strategjik, në kuptimin - sa me herët aq më mirë”, ka thënë ajo. Batt konsideron se Mali i Zi e ka sjellë vendimin e duhur, sidomos për shkak të rajonit dhe stabilitetit të tij. Madje ajo ka thënë se ky vendim mund të jetë i dobishëm edhe për vet Serbinë - për ç’gjë ajo është e sigurt - mirëpo ka shtuar se “Serbia tash nuk e sheh këtë punë në këtë mënyrë”. Ajo ka thënë po ashtu se njohja e Kosovës është hap i rëndësishëm përpara për Malin e Zi, në mbylljen e çështjeve të hapura nga fillimi i viteve të 90-ta, kur është shpërbërë ish-Jugosllavia. Batt ka vlerësuar se Mali i Zi ka bërë një përzgjedhje të vështirë, ngase Serbia është shtet i rëndësishëm në rajon. Mirëpo, ajo ka shtuar se, nëse Serbia dëshiron ta mbajë atë pozitë, duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme, sepse shtetet të tjera të rajonit do ta vazhdojnë rrugëtimin tutje edhe pa të. Baat është e bindur se pavarësia e Kosovës, në aspektin afatgjatë, do të ndikojë në stabilizimin e situatës në rajon – ndërsa ka shfaqur shpresën se Mali i Zi do të aplikojë për anëtarësim në BE, gjatë kësaj vjeshte. /Telegrafi/
|