|
Gjatë qëndrimit të tij disaditor në New York, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni ka pasur një aktivitet të ngjeshur diplomatik, i cili ka rezultuar me një sërë takimesh të ndara me përfaqësuesit e përhershëm diplomatikë pranë OKB-së të një numri të vendeve anëtare të kësaj organizate.
Hyseni ka zhvilluar takime me përfaqësuesin e Malajzisë, Datuk Hamidon Ali, atë të Nigerit, Aboubacar Ibrahim Abani, pastaj të Arabisë Saudite, Abdullatef H. Sallam, të Gjeorgjisë, Irakli Alasania, Zelandës së Re, Rosemary Banks, Republikës së Panamasë, Ricardo Alberto Arias, Mbretërisë Hashemite të Jordanit, Mohammed F. Al-Allaf, Republikës së Pakistanit, Munir Akram dhe Republikës së Zambisë, Irene Tembo. Gjatë të gjitha takimeve, ministri Hyseni i njohu bashkëbiseduesit me zhvillimet e fundit në Kosovën e pas 17 shkurtit, me theks të veçantë te hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës dhe të ligjeve që rrjedhin nga pakoja e Ahtisarit, ka bërë të ditur Albana Beqiri, këshilltare për medie e ministrit Hyseni. Po ashtu, sipas saj, të gjitha takimet u fokusuan veçmas te procesi i njohjes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran si dhe te domosdoshmëria e këtij procesi. Në këtë kuadër, pasi i njohu bashkëbiseduesit me rrjedhën e procesit të njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, ministri Hyseni e ripërsëriti kërkesën për njohjen e shtetit të Kosovës nga vendet në fjalë. Ai theksoi se, njohja e shtetit të Kosovës do të ndihmonte në zhvillimin ekonomik të vendit si dhe do t’i kontribuonte stabilitetit politik jo vetëm në Kosovë, por edhe rajon. Diplomatët e vendeve në fjalë falënderuan ministrin për takimet si dhe për shpjegimet lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. Ata, po ashtu, shprehën një shkallë të lartë mirëkuptimi ndaj kërkesës së palës kosovare, të potencuar nga ministri Hyseni. Vizita e ministrit Hyseni në New York përfundon nesër mbrëma sipas kohës lokale. Gjatë ditës së nesërme ministri Hyseni do të ketë disa takime të tjera bilaterale me përfaqësues të përhershëm të vendeve të ndryshme në OKB-së. /Telegrafi/
|