|
Misioni i EULEX-it mund tė shtyhet |
|
|
|
Sunday, 18 May 2008 |
|
Plani i Bashkimit Evropian që kah mesi i qershorit të marrë përsipër çështjet politike në Kosovë nga Kombet e Bashkuara, si duket do të shtyhen, për shkak të mungesës së marrëveshjes për tranzicion formal të pushtetit, kanë bërë të ditur të premten për agjencinë Reuters burimet evropiane.
"Ne ende po vendosemi - mirëpo plani që çdo gjë të jetë në vendin e vet deri atëherë, tash po duket i vështirë”, ka thënë një zyrtar i BE-së. Sipas këtij burimi ka pak gjasa që deri më 15 qershor në Kosovë të vendosen 2.200 trupa policorë dhe zyrtarë të BE-së. Diplomatët thonë se Rusia, e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, është duke e shfrytëzuar fuqinë e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të parandaluar dorëzimin e pushtetit nga KB-ja në duart e misionit të BE-së, EULEX. BE-ja momentalisht ka të vendosur në Kosovë rreth 300 shërbyes të saj, shumica prej të cilëve tashmë janë duke iu nënshtruar trajnimeve në Prishtinë, ndërsa gjatë javëve të ardhshme pritet ardhja e të tjerëve, ka thënë ky zyrtar. Mirëpo, fakti se nuk ekziston ndonjë datë e saktë për largimin e personelit të misionit të KB-së (UNMIK-ut) nga Kosova, ka ngritur pyetjen se kur mund të zëvendësohet personeli dhe makinat e UNMIK-ut me ato të BE-së. "Po zhvillohet një diskutim për mundësinë e shtyrjes për së paku një muaj”, ka thënë ky burim për Reuters. Zyrtarët e BE-së thonë se asgjë nuk ka ndryshuar në objektivat e misionit të BE-së që duhet të mbikëqyr dhe drejtoj policinë lokale përgjatë territorit të Kosovës si dhe të zotëroj njësitë për intervenim të shpejt. Mirëpo diplomatët thonë se nëse UNMIK-u mbetet në terren edhe pas qershorit, mund të ndodhë de fakto një “ndarje e lehtë” e Kosovës – në "UNMIKland" që do të ishte në zonat veriore të Kosovës ku jetojnë serbët, dhe "EULEXland", në pjesën tjetër më të madhe të shtetit të banuar me shqiptarë. /Telegrafi/
|