|
Njohja nga Mali i Zi dhe Maqedonia forcon paqen nė rajon |
|
|
|
Friday, 10 October 2008 |
|
Njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga dy vendet fqinje, Mali i Zi dhe Maqedonia, është një akt shumë i rëndësishëm, që do ta thellojë edhe më tepër bashkëpunimin tonë shumë të mirë me këto dy vende, si dhe do të ndikojë në forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës dhe të botës, ka vlerësuar nëpërmjet një deklarate presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
“Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës besojnë fuqishëm se njohja e pavarësisë sonë nga këto dy vende fqinje do të ndikojë drejtpërdrejt në përshpejtimin e procesit të integrimit të vendeve tona në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, ka thënë Sejdoi. Synimet e përbashkëta për punën e suksesshme të institucioneve demokratike, për fqinjësi të mirë dhe për integrimet euroatlantike, sipas Sejdiut, janë themelet më të shëndosha për marrëdhëniet tona në të ardhmen. “Republika e Kosovës është e përkushtuar t'i mbajë zotimet që ka dhënë për garantimin e plotë të të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve të saj. Në këtë kontekst, theksojmë se përvoja e Malit të Zi dhe e Maqedonisë për krijimin e institucioneve demokratike dhe për arritjen e standardeve ndërkombëtare do të jetë shumë e dobishme për ne”, ka potencuar ai. Sejdiu po ashtu ka bërë të ditur se ka pasur biseda të veçanta dhe shumë të përzemërta me presidentit e Malit të Zi, Filip Vujanoviq dhe me presidentin e Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, të cilëve në emrin e popullit të Kosovës, të institucioneve të saj dhe në emrin e tij u ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimin për njohjen e pavarësisë dhe të sovranitetit të Republikës së Kosovës. “Në këto biseda unë ua kam ripërsëritur atyre vullnetin tonë të plotë për marrëdhënie edhe më të gjithanshme të bashkëpunimit të mirë fqinjësor, sepse konsiderojmë se kjo është udha më e drejtë për t'i çuar përpara proceset demokratike në vendet tona dhe për ta shkurtuar rrugën tonë drejt integrimeve euroatlantike”, ka thënë presidenti Sejdiu. Ai po ashtu ka shprehur urime edhe për presidentin Marti Ahtisari, i cili të premten është nderuar me çmimin Nobel për paqe. /Telegrafi/
|