|
Analisti Gabriel Partos ka vlerësuar se trazirat në Mitrovicë provuan vështirësitë që do të kenë autoritetet në Kosovë për ta zgjidhur çështjen e rajoneve me shumicë serbe, por ai thotë se nuk pret që në një të ardhme të afërt të ketë ndonjë ndarje de fakto të pjesës veriore të Kosovës.
Në një intervistë për BBC analisti Partos ka thënë se ndarja e Kosovës ka filluar qysh në vitin 1999, respektivisht kur serbët përzunë shqiptarët nga pjesa veriore e Mitrovicës. Ky proces, sipas tij, ka vazhduar, është konsoliduar, dhe atij i është dhënë një lloj nxitje shtesë nga shpallja e pavarësisë, që serbët e përdorën si justifikim për përforcimin e kontrollit të tyre mbi institucionet në Mitrovicën e veriut, dhe në pjesën veriore të vetë Kosovës. Megjithatë, në aspektin ligjor Partos nuk mendon se kjo do të çojë në ndarjen zyrtare të Kosovës – së paku jo në një të ardhme të afërt. “Nuk mendoj se kjo mund të çojë në ndarje zyrtarisht, të paktën jo në të ardhmen e afërt. Serbët e kanë thënë pak a shumë se nuk e duan këtë gjë, për arsye të ndryshme: ligjërisht ata nuk duan të pranojnë se Kosova nuk është pjesë e Serbisë, pra në një farë kuptimi ata nuk mund të shkëpusin një pjesë të Serbisë, nëse ata e shohin Kosovën si pjesë e Serbisë”. Problem tjetër, sipas tij, do të ishte se kjo gjë do të përkeqësonte gjërat për serbët që janë jashtë këtij rajoni. “Pra, për të gjitha këto arsye nuk ka mundësi që ata të kërkojnë ndarjen zyrtare. Por mendoj se duke fuqizuar bazën për këtë, ata mbajnë si kartë të mundshme në të ardhmen, nëse ata më në fund e pranojnë pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë si pjesë e një marrëveshjeje, e një pakete, sipas të cilës Serbia të marrë veriun e Kosovës”, tha ai. I pyetur nëse mendon se ideja e ndarjes mund të bëhet realitet dikur në të ardhmen, Partos është përgjigjur pozitivisht. “Ashtu siç po shkojnë gjerat, mendoj se po”. Sipas Partosit, ekziston mundësia që Serbisë t'i jepet një farë shkalle kontrolli të dyfishtë për Kosovën e veriut. “Pra, mendoj se ka një mundësi, jo në të ardhmen e afërt. Në të ardhmen e afërt do të shohim një ndarje të butë, jo ndarje formale, megjithatë në terren do të ngrihet një kuadër për këtë”. “Në një afat më të gjatë mund të ketë alternativa të ndryshme, mënyra të ndryshme se si mund t'u shitet të dyja palëve, veçanërisht nëse futen në BE në të njëjtën kohë, siç mendoj se do të ndodhë, dhe pastaj e gjithë çështja e kufijve, lëvizja e njerëzve midis kufijve, do të bëhet diçka e parëndësishme. Madje edhe kombësia, e shtetësia - ndoshta nuk do të zhduken - por do të bashkohen më shumë brenda një kuadri të BE-së”, ka thënë analisti Partos. /bbc/telegrafi/
|