|
Protestė kundėr planit 6 pikėsh |
|
|
|
Wednesday, 19 November 2008 |
|
Me moton “Në mbrojtje të sovranitetit”, dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar sot në Prishtinë në shenjë kundërshtimi ndaj planit gjashtë-pikësh të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun. Protestuesit mbanin pankarta dhe flamuj kombëtar shqiptar duke brohoritur “jo ndarje", "sovranitet", referendum" etj.
Folësit e protestës thanë se plani i kreut të OKB-së është i papranueshëm për Kosovën, ngase zbatimi i tij do të thotë ndarje për Kosovën, e ndarja do të thotë luftë. Alban Bokshi, njëri nga organizatorët e kësaj proteste tha se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm. “Për secilën çështje kapitale për Kosovën duhet të vendosë populli i Kosovës, ndërsa referendumi është mekanizmi më i drejtë”, tha ai. Ndërkaq, Shpend Ahmeti nga Instituti për studime të avancuara , kërkoi që zëri i qytetarëve të mos ndihet vetëm një herë në katër vite, vetëm atëherë kur mbahen zgjedhjet, por edhe kur ata janë të pakënaqur me gjendjen aktuale politke në vend. Protesta është organizuar nga organizatat joqeveritare dhe është mbështetur nga disa parti politike në Kosovë. Protesta vjen një ditë pasi krerët e institucioneve të Kosovës, përfundimisht hodhën poshtë planin e OKB-së dhe propozuan një plan të ri për shtrirjen e misionit të EULEX-it në Kosovë, i cili ka për bazë Kushtetutën e Kosovës, Planin e Ahtisaari-t, ligjet e Kosovës dhe Planin e Veprimit Aksional, të miratuar nga Bashkimi Evropian pak ditë para shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të këtij vit. Po sot komuniteti Shqiptar në Amerikë do të protestoj para selisë së OKB-së në Nju Jork kundër planit gjashtë pikësh të sekretarit, Ban Ki Mun.
|