|
Topolanek kėrkon vendim pėr Kosovėn, Schwarzenberg nuk ngutet |
|
|
|
Sunday, 30 March 2008 |
|
Ministri çek i Punëve të Jashtme, Karel Schwarzenberg, do t’ia dorëzojë të mërkurën qeverisë propozimin për njohjen e Republikës së Kosovës, mirëpo ai ka deklaruar të dielën për televizionin çek (CT), se nuk do të insistojë që ky vendim të merret brenda së njëjtës ditë.
Ndërkaq kryeministri i Çekisë, Mirek Topolanek, ka thënë se ai do të kërkojë nga ministrat e tij që ta njohin pavarësinë e Kosovës qysh të mërkurën. Schwarzenberg i ka thënë televizionit CT se ka një ide se, kur qeveria çeke duhet të marrë vendimin për njohjen e Kosovës, mirëpo ka thënë se nuk dëshiron ta zbulojë atë për momentin. Kryeministri Topolanek nga ana tjetër ka thënë se, ai ka vërejtje të konsiderueshme ndaj njohjes së Kosovës, mirëpo ka shtuar se do të “ishte më pak tragjike” po që se do ta njihnin atë qysh tani - sesa të pritet edhe më tutje. "Nuk kemi mundësi tjetër, pos ta bëjmë këtë punë tani. Dhe do të ishte më mirë se të presim momentin në vigjilje të zgjedhjeve në Serbi”, kishte deklaruar Topolanek ditë më parë. Partia Demo-kristiane (KDU-CSL) që është pjesë e koalicionit qeveritar çek, është kundër njohjes së Kosovës, respektivisht mendon se Çekia ende nuk duhet ta njohë atë. Kjo parti madje ka kërkuar që njohja e Kosovës të diskutohet fillimisht brenda koalicionit qeveritar, mirëpo kjo ide është hedhur poshtë nga zv/kryeministri Martin Bursik. Ai ka kundërshtuar kritikat për gjoja se, nxitimin e qeverisë çeke për ta njohur Kosovën shumë shpejt. Ai ka thënë se Këshilli i Sigurisë i qeverisë tashmë tri herë ka diskutuar për Kosovën, përfshirë këtu edhe diskutimin për ushtarët çekë të vendosur në këtë zonë. Zv/kryeministri Alexandr Vondra ndërkaq ka thënë se Çekia sigurisht se do ta njohë pavarësinë e Kosovës. “Nuk do të vallëzojmë nga gëzimi, mirëpo duhet të jemi politikisht realist”, ka thënë ai. Ai po ashtu ka shpjeguar se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës do t’i kërcënonte ushtarët çekë në rajon dhe do ta dobësonte pozitën e Çekisë brenda Bashkimit Evropian. /Telegrafi/
|