|
UNMIK-u njofton reduktimin e personelit |
|
|
|
Monday, 11 August 2008 |
|
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë paralajmëron se brenda pak ditësh do të fillojë largimin e 70 përqind të personelit. Kjo masë është pjesë e planit për ristrukurimin e UNMIK-ut, pas shpalljes së pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës.
Kombet e Bashkuara po planifikojnë të mbajnë në Kosovë rreth 30 përqind të personelit ndërkombëtar dhe vendor, apo rreth 600 zyrtarë, të cilët do të jenë pjesë e misionit të rikonfiguruar të UNMIK-ut. Afër 1400 zyrtarë të tjerë do të humbin shumë shpejt vendet e punës. Zvogëlimi i personelit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë mund të fillojë këtë javë, ndonëse zyrtarë të UNMIK-ut nuk kanë konfirmuar ende datën e saktë. "Nuk mund t'ua them datën e saktë, por në ditët e ardhshme ne do të fillojmë zvogëlimin e personelit ndërkombëtar dhe atij vendor, siç parashihet me planin për rikonfigurimin e UNMIK-ut", tha për BBC-në zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko. Ai tha se shkurtime të vendeve të punës do të ketë në Departamentin e Administratës Civile, në Zyrën për Kthim dhe Komunitete dhe në disa departamente tjera, ku UNMIK-u nuk do të ketë rol në Kosovë. Por ende mbetet e paqartë nëse reduktimi i personelit të UNMIK-ut do të ndodhë edhe në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe. "Nuk mund të them ende asgjë për veriun, nuk kemi vendosur për këtë", tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko. Për shkak të kundërshtimit të fuqishëm serb, funksionalizimi i EULEX-it në rajonin e Mitrovicës po has në pengesa dhe po vonon. Zyrtarë të BE-së kanë thënë se megjithë vështirësitë me të cilat po përballet, EULEX-i do të shtrihet në tërë territorin e Kosovës. Shkurtimi i 70 përqind të vendeve të punës në UNMIK është pjesë e planit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon, i cili ka dhënë dritën jeshile për zvogëlimin e rolit të UNMIK-ut në Kosovë dhe vendosjen e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX. /bbc/
|