|
Takim historik mes Kinės dhe Tajvanit |
|
|
|
Sunday, 13 April 2008 |
|
Presidenti i Kinës, Hu Jintao ka zhvilluar një takim historik me personin e zgjedhur në postin e zëvendëspresidentit të Tajvanit, Vincent Siew. Takimi shënon kontaktin e parë në nivelin më të lartë mes dy qeverive që nga ndarja e tyre pas luftës civile në vitin 1949.
Takimi, që u zhvillua në ishullin Hainan, në Kinë, jashtë një konference biznesi atje, ishte i shkurtër. Por korrespondentët thonë se ai përfaqëson një sinjal të rëndësishëm se dy palët tani duan të përmirësojnë marrëdhëniet pas përkeqësimit të tyre gjatë viteve të fundit. Siew pritet të jetë zëvendësi i Ma Ying-jeou, që fitoi zgjedhjet presidenciale në Tajvan në muajin mars. Ai ka premtuar përmirësim të marrëdhënieve të ishullit me fqinjin e tij me të marrë postin në 20 maj. Tajvani dhe Kina qeverisen nga dy qeveri të ndryshme, por Kina e konsideron ishullin pjesë të territorit të saj. Pekini ka ofruar një rrugëzgjidhje për Tajvanin të ngjashme me atë të Hong-Kongut "një vend, dy sisteme". Por shumica e banorëve të Tajvanit preferojnë status-quo-në. Marrëdhëniet mes Tajvanit dhe Kinës u përkeqësuan gjatë qeverisjes tetëvjeçare të partisë pro-pavarësisë së presidentit që po i skadon mandati, Chen Shui-bian. Edhe pse lidhjet ekonomike e kanë mbajtur vazhdimisht Tajvanin pranë Kinës, Pekini ka drejtuar qindra raketa në drejtimin e tij. /bbc/telegrafi/
|