|
KFOR-i do tė reagojė me forcė sa herė qė ndaj ushtarėve tė misionit tė ketė sulme |
|
|
|
Thursday, 27 March 2008 |
|
Administrata e UNMIK-ut ende nuk ka ndonjë përgjigje se sa kohë do të marrë finalizimi i hetimit për vrasjen e një polici dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve që ndodhën më 17 mars në pjesën veriore të Mitrovicës ku protestuesit serbë kishin sulmuar policinë dhe KFOR-in pas operacionit për marrjen nën kontroll të gjykatës.
Zëdhënësi i UNMIK-ut Alexander Ivanko theksoi vetëm se "hetimet janë duke vazhduar". Ai konfirmoi se UNMIK-u ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë se në ndërtesën e gjykatës atë ditë ka pasur pjesëtarë të Ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë dhe pasi që të kryhen hetimet do të merren hapa konkretë. Gjithashtu Ivanko tha se UNMIK-u i ka emrat e personave që janë punëtorë të MUP-it që atë ditë kanë qëndruar në ndërtesën e gjykatës në Mitrovicë, por nuk ka dhënë detaje tjera për shkak të procesit të hetimeve. Ndërkaq, zëdhënësi i KFOR-it, Jean Luc Cotard ka sqaruar aksionin e trupave të KFOR-it që janë detyruar ta ndërmarrin atë ditë. Ai theksoi se KFOR-i do të reagojë me forcë sa herë që ndaj ushtarëve të misionit të ketë sulme. Zëdhënësi Cotard vlerësoi se më 17 mars ushtarët e KFOR-it janë përballur me protestues të dhunshëm dhe vrasës. Ai tha se KFOR-i e bën dallim e qartë ndërmjet qytetarëve dhe vrasësve. "Ne kemi qenë të sulmuar dhe prova më e mirë për këtë është se kemi qenë të sulmuar me granata dore. Fatmirësisht njëra nuk ka eksploduar. E dimë se ajo ka qenë prodhim jugosllav e tipit M75 me përbërës plastikë të rrezikshëm dhe që konsiderohet armë vdekjeprurëse. Është e dedikuar për vrasjen e njerëzve gjatë sulmeve", u shpreh Cotard. Zëdhënësi i UNMIK ut Ivanko tha ende nuk kanë marrë përgjigje nga propozimi i Samarxhiqit, i cili i është dërguar Kombeve të Bashkuara në New York. "Ne marrim udhëzime siç e dini nga selia e OKB-së në New York dhe për çështjet e ndjeshme ne gjithmonë ne referohemi nga New York. Propozimi i Samarxhiqit ka pjesë që nuk janë në harmoni me rezolutën 1244, mirëpo kjo do të varet nga njerëzit në New York se çfarë udhëzimi do të japin për këtë çështje", tha Ivanko. /qik/
|