|
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu e dënoi ashpër sulmin ndaj shtëpisë së Kryeministrit Thaçi, duke e cilësuar këtë akt si një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj z. Thaçi dhe familjes së tij, por edhe ndaj vetë institucioneve të Republikës. Përmes një deklarate për opinion sulmin e mbrëmshëm e ka dënuar edhe Qeveria e Kosovës.
Presidenti Sejdiu i ka telefonuar Thaçit me të marrë lajmin dhe i ka shprehur atij keqardhjen e thellë për këtë akt të pashembullt. Ai, po ashtu, ka kërkuar nga kryeministri që shqetësimin e tij t’ia përcjellë edhe familjes Thaçi. “Kërkojmë nga organet e rendit dhe të ligjit që t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme, me qëllim që ky rast të zbardhet sa më parë, kurse personat e përfshirë në këtë akt të shëmtuar të vihen para organeve drejtësisë”, theksoi presidenti Sejdiu, thuhet në kumtesën për opinion të lëshuar sot nga Zyra për informim publik pranë Presidentit të Kosovës. Përmes një deklarate për opinion sulmin e mbrëmshëm e ka dënuar edhe Qeveria e Kosovës. Më poshtë e japim deklaratën e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi. Ashtu siç jeni njoftuar nga Shërbimi Policor i Kosovës (SHPK), mbrëmë është sulmuar shtëpia e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, në lagjen “Arbëria” të Prishtinës. Ende nuk janë të njohura të gjitha detajet dhe kush është i përfshirë në sulmin kriminal. Në kohën e sulmit kryeministri nuk gjendej në shtëpi, por aty ishin bashkëshortja dhe djali i tij, të cilët nuk kanë pësuar lëndime, thuhet në deklaratën e zv/kryeministrit Hajredin Kuçi. Fakti se dikush ka dashur ta lëndojë kryeministrin dhe familjen e tij, për çfarëdo motivi, nuk është vetëm veprim kriminal që kalon çfarëdo kufiri të urrejtjeve, qoftë pa durimin apo urrejtjen politike. Si rrjedhojë e kësaj situate të rëndë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka urdhëruar ngritjen e masave të sigurisë për shumë nga zyrtarët e Qeverisë dhe bartësit e institucioneve të lira dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Kjo ngjarje është shumë serioze dhe dëshmon se ende ka të atillë të cilët nuk e duan shtetin tonë të ri, ndërtimin e një shoqërie të lirë moderne e demokratike në të cilën sundon rendi dhe ligji. Por askush mos të ketë iluzion se ne do të nënshtrohemi përballë kërcimeve dhe përpjekjeve të tilla kriminale. Në Kosovë nuk ka vend për dhunë dhe nxitje të dhunës. Ata që shkaktojnë dhunë do të përgjigjen para ligjit. Qeveria e Kosovës nuk do të lëkundet nga rruga e saj e drejtë. Do të punojë me përgjegjësi që të përmbush misionin e saj për çfarë është zgjedhur nga populli, për qeverisje të mirë për sundimin e rendit dhe ligjit, vazhdimin e pakompromis të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kudo dhe kurdo paraqitet ai. Kërkojmë nga qytetarët e Republikës së Kosovës të mos bien pre e thirrjeve dhe deklarimeve destabilizuese. Qeveria fton popullin e Republikës së Kosovës që ta ruajë unitetin dhe besimin në institucionet tona në kohën historike të shtet ndërtimit të vendit tonë, thuhet në deklaratën e zv/kryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi. /rtk/telegrafi/
|