|
Çifti i fejuar Nora Istrefi dhe Robert Berisha më në fund thyen akullin. Pas ftesave të shumta nga mediat elektronike e të shkruara për t’u paraqitur së bashku publikisht, çifti e bëri këtë ekskluzivisht për emisionin “Express Live” në Kosovë. Duke kujtuar takimin e tyre të parë, çifti ka bërë të ditur se kjo ka ndodhur në një turne në Gjermani, nga ku edhe ka nisur shoqërimi i tyre, për të kaluar më pas në një lidhje serioze. “Ne jemi njohur edhe më herët, kemi ditur për njëri-tjetrin që merremi me muzikë, por takimi ynë i parë ka qenë në një turne në Gjermani.
Nga aty kemi filluar të shoqërohemi si miq, e më pas kemi nisur lidhjen”, ka thënë Nora. Në anën tjetër, Roberti ka shtuar se Norën e ka njohur edhe përmes të së ëmës së saj, këngëtares Syzana Tahirsylaj. Sa i përket martesës, çifti ka thënë se nuk kanë vendosur asgjë. “Për martesë nuk kemi vendosur asgjë, nuk kemi ndonjë datë të caktuar, pasi kemi disa plane të tjera, unë rreth muzikës, ndërsa Roberti rreth studios së re”, ka thënë Nora. Në këtë intervistë të zhvilluar në një nga lokalet e Prishtinës ku çifti kalon kohën e lirë, ata kanë folur edhe për planet sa i përket anës profesionale.
Nora ka pohuar se është duke realizuar një këngë të re me kompozitorin Enis Presheva. Se kur do të jetë e përfunduar kjo këngë e re, ajo nuk ka vendosur ende. Nga ana tjetër, i fejuari i Norës, muzikanti Robert Berisha, aktualisht është duke punuar rreth një studioje të re. Duke shpresuar se puna për këtë studio do të përfundojë deri në fund të këtij viti, Roberti ka thënë se më pas do të fillojë të punojë këngë për të fejuarën e tij. Fakti se që të dy i lidhë profesioni, Nora e Roberti, kanë thënë se kjo është një përparësi për lidhjen e tyre. Ata thonë të kenë mbështetjen e vazhdueshme dhe i gëzohen sukseseve të njëri-tjetrit.
Gazeta: Bluetooth
|