| Drini Zeqo pas zgjedhjeve nis aventurën verore me Anjeza Majën |
|
|
| E Merkure, 01 Korrik 2009 10:05 | |||
|
Nesër të pret një ditë e gjatë nga studioja e Klan-it në Vlorë, ndërsa do transmetosh “live” ecurinë e zgjedhjeve. Si do ta përshkruaje një ditë të tillë? Eshtë një eksperiencë e cila nuk duhet kurrsesi të mungojë në CV-në e një gazetari. Raportimi “live” dhe përcjellja e lajmeve në kohë reale të jep një kënaqësi të pamatë. Sigurisht duhet të përballesh në çdo moment me të paparashikuara, por kur ke përgatitjen e duhur çdo gjë shkon mirë. Nesër në qarkun e Vlorës do ketë gjithashtu të ftuar në studio, reportazhe nga pikat më të nxehta. Unë kam raportuar live kur ndodhi tragjedia e Gërdecit, në disa zgjedhje të përgjithshme dhe lokale dhe në shumë raste të tjera ku vëmendja mediatike ka qenë tejet e madhe. Pas zgjedhjeve çfarë aventure televizive të pret? Këtë verë duke e konsideruar edhe si çlodhje do rinis prezantimin e “Maratonës së këngës popullore qytetare”. Do ndalojmë në 12 qytete të Shqipërisë duke prezantuar emrat më të mirë të kësaj lloj muzike. Nga eksperienca e vitit të kaluar sheshet kanë qenë të tejmbushur dhe publiku ka qenë shumë i mirë. Urojmë që e njëjta atmosfere feste dhe verore të na shoqërojë sërish. Meqë jemi tek Maratona e Këngës si mund ta përshkruanit Anjeza Majën në krahun tuaj? Anjeza është jo vetem kolege, por edhe mike shumë e mirë. Njihemi prej shumë vitesh tashmë. Puna me Anjezën është shumë komode. Ka zgjuarsinë dhe aftësinë të jetë gjithmonë mbi dallgën e radhës, pra edhe për mua është një plus të punoj me të. Nga spektaklet që kam prezantuar më parë kam kuptuar se është shumë e rëndësishme se me kë e ndan skenën. Drini je ndër të paktit gazetarë që kalojnë trampolinën nga një edicion lajmesh, në një spektakël. Ku ndihesh më mirë? Epo me sa duket duhet të jem një zhytës i mirë(qesh). Unë personalisht kam zgjedhur të punoj për të kënaqur ata që na ndjekin dhe së dyti veten time. Mendoj se teleshikuesit më shohin tek të dyja. Lajmet janë energji e papërsëritshme, ndërsa spektakli sjell aftësinë për të menaxhuar situatën në moment. Spektakli më tërheq sepse të lë hapësirë që lajmet i kanë të ngucura, mund të qeshësh më shumë, mund të bësh ndonjë shaka dhe mbi të gjitha raporti me teleshikuesit është i drejtpërdrejtë dhe nuk ndahet nga ai që përbën lajmin në rastin e edicioneve informative. Por unë mendoj se parësore padyshim do mbetet gjithnjë gazetaria dhe lajmi. Asgjë nuk mund të zëvendësojë emocionet e dhënies së lajmit. Kthehemi tek puna në backstage për “Opinion” me Blendi Fevziun. Çfarë esperience është kjo për ty? Me Blendi Fevziun ka qenë një sezon plot zhvillime, ndonëse nuk ka mbaruar ende, e mbyllim në fund të korrikut, kështu që kemi edhe pak kohë. Puna me “Opinion” më dha së pari mundësinë të mësoj si të ndërtosh panelin në emisionin më të ndjekur politik në Shqipëri. Dhe të ndërtosh panele me 6 apo 8 veta sidomos kur tema nuk është aktualitet dhe duhet të vrasësh mendjen për personazhe që janë në harmoni në formatin dhe të ftuarit e tjerë nuk është e lehtë. Shpesh ndodh që njëri apo njëra nga të gjashtë nuk duan të jenë në panel me të tjerë dhe të duhet të ndërtosh edhe njëherë disa prej të ftuarve. Blendi është një profesionit që di të kërkojë gjërat qartë, dhe ka saktësinë kompjuterike për të mbajtur mend. Nga puna që bëni aty duke organizuar panelin, je përballuar me personazhe të njohur. Cilat janë përshtypjet që të kanë lënë të njohurit? Duke qenë edhe vetë personazh i njohur, mendoj se e njoh këtë lloj steriotipi dhe jam munduar t’u përshtatem “tekave” të njërit apo tjetrit. Nuk është aspak e lehtë sidomos kur koha shtrëngon dhe duhet të mbyllësh panelin. Unë mendoj se çdo njeri dëshiron të trajtohet për atë që është. Kështu që për të kuptuar se kush janë njerëzit nuk ka qenë ndonjëherë e vështirë për mua. Disa prej emrave të njohur, ndonjëherë kalojnë në mani sa duan informacion për çdo gjë, por kjo është e vetëkuptueshme, sepse mundohen ta vënë në funksion të plotë të paraqitjes së tyre sa më të mirë në debat. Nga puna në Top Channel, Alsat dhe TV Klan, si mendon televizioni ta vjedh kohën apo ta dhuron atë? Tv të vjedh pafund kohë dhe më e keqja është se nuk e merr më asnjëherë mbrapsht. Por është kënaqësi pa fund. Ka shumë lodhje, ka momente nervozizmi, ka njohje të reja, miqësi. Eshtë një botë magjike. E meqë jemi te koha, si e kalon pjesën tjetër të saj, dhe kujt personi të veçantë po i dedikohesh së fundi? Familjes, miqve të ngushtë, dhe ndonjë mikeshe të ngushtë. Mundohem pra ta bëj funksionale, vetëm se mbetet shumë pak kohë e lirë aq sa nuk di ç’të bësh më përpara. Për të marrë përgjigjen që duam, për momentin a ke një person me të cilën shkëmben emocione? Shkëmbejmë gjithmonë emocione, nuk ndalojmë asnjëherë. Edhe nga ato të veçantat që po më ngacmon ti madje. Përmenda fjalën “emocion”, çfarë të emocionon më shumë; një moment para fillimit të lajmeve, një stand up në terren, apo një femër indiferente? Po këto janë tre lloje emocionesh të ndryshe, por meqë dhënia e lajmeve dhe stand up në terren nuk më emocionojnë më, le të themi që varianti tretë mbetet fitues i emocioneve më të mëdha. /panoramaplus /
|


0 Komente