|
Një penalti e pjesës së parë e shndërruar në gol nga Franck Ribery i ka dhënë fitoren ekipit kombëtar të Francës, në ndeshjen miqësore përballë Anglisë, të luajtur në Stade de France.
Pas 30 minutash lojë, gjatë të cilave të dyja ekipet dështuan të krijonin shanse të pastra, u akordua penalti në favor të Francës, pasi që portieri i Anglisë, David James, shkaktoi faull ndaj sulmuesit të Chelseat, Nicolas Anelka. Ylli i Bayern Munichut, Ribery, dërgoi topin në rrjetë në anën e kundërt nga e cila u hodh portieri, duke çuar Francën në avantazh, gol i cili doli të ishte edhe i vetmi dhe vendimtari. Ribery më pastaj u ndëshkua me karton të verdhë, për shkak se hoqi fanellën e tij për të zbuluar mesazhin dedikuar një komentatori francez, Thierry Gilardi, i cili ka vdekur të martën. Në ekipin anglez, Steven Gerrard luajti prapa Wayne Rooneyt, derisa sulmi i Francës përbëhej nga Anelka dhe David Trezeguet, në mungesë të Thierry Henry, Karim Benzema dhe Louis Saha. Menaxheri i Anglisë, Fabio Capello, për të cilin kjo është humbja e parë, pas një fitoreje të kaluar (ndaj Zvicrës), nxori në fushë edhe mesfushorin e LA Galaxy, David Beckham, i cili bëri paraqitjen e 100-të me kombëtaren angleze. Beckham luajti deri në minutën e 62-të, kur u zëvendësua nga lojtari i Blackburnit, David Bentley. Peter Crouch dhe Michael Owen zëvendësuan Rooneyn dhe Gerrardin, por dështuan të kenë ndonjë ndikim të madh në lojë, dhe po thuajse nuk shqetësuan aspak portierin francez, Gregory Coupet. Ndryshe nga sulmi anglez, Ribery, Florent Malouda dhe Anelka, mbajtën mbrojtjen angleze nën presion të vazhdueshëm me lëvizje të shpejta, dhe kontroll të mirë të topit. Me Cisse dhe Trezeguet të përfshirë po ashtu në sulm, si dhe mungesat tjera, trajneri Raymond Domenech duket mjaft i përgatitur në aspektin e sulmit, para kampionatit evropian, Euro 2008.
|