Flasin ish-banorët: Përplasje mendimesh; "përzgjedhje perfekt...
surpriza të befasishme... erën e pleqërisë që po vjen aty... Seldi,
"Bjordi" i shtëpisë... Lidhja është strategjia më evidente dhe e lehtë
për të tërhequr vëmendjen e publikut" "Ata e kanë kaluar një herë këtë eksperiencë dhe tani flasin lirshëm.
Dukur kanë qenë vetë pjesë e lojës dhe nën vëzhgimin e kamerave për 4
muaj me radhë..., ndërsa tani shohin me kuriozitet lojtarët e radhës.
Ish-banorët e edicionit të parë dhe të dytë të "Big Brother Albania"
kanë dhënë për Sh2-in opinionet e tyre për Big Brother 3.
Të pyetur se
si i duket ky edicion, si e shohin përzgjedhjen e banorëve, kushtet e
shtëpisë, apo për ndonjë surprizë apo lidhje të mundshme mes lojtarëve,
secili është shprehur hapur për atë që ka parë deri më tani.
Eksperienca bën të vetën dhe ish-banorët arrijnë t'i kuptojnë "hilet",
apo objektivat që çdo kush nga ata që është futur në atë shtëpi i ka
vënë vetes. Strategjitë janë të qarta po kjo vlen për tu parë në ditët
në vazhdim. Në përgjithësi vlerësohet përzgjedhja e banorëve dhe askush
nuk e vë në dyshim që do të ketë shumë surpriza".
Elton Tozaj
"Normalisht është ende herët për të dhënë mendime, por duke pasur
parasysh se që në fillim i shoh shumë aktivë mendoj se përzgjedhja këtë
vit është cilësore. Megjithëse me thënë të drejtën me pëlqejnë më shumë
miqtë dhe mikeshat e mia të BB2. Duke filluar që nga shtëpia dhe deri
te hyrjet e reja, besoj se surprizat këtë vit do të jenë të mëdha, duke
pasur parasysh që edhe organizatorët këtë vit do të sjellin diçka
ndryshe nga vitet e kaluara. Lidhje do ketë...është më se normale dhe
besoj se do të ndodhin shumë shpejt. Mendoj se çifti i parë që do të
lidhet, do jetë ai që do të ketë më shumë vëmendjen e të gjithëve, por
mendoj se shumë shpejt aty brenda do të hyjë ndonjë personazh që do të
bëjë më shumë zhurmë se çdo njeri tjetër".
Romina Shkreli
"Më duket mjaft interesant të të them të drejtën. Fakti që shtëpia ka
të tjera dimensione, një strukturë shumë ndryshe nga vitet e kaluara,
pa luks, dhe e fundit përballimi i kushteve jo shumë komode. Për sa i
përket banorëve, personalisht kam përshtypjen që i është afruar
"perfektes", sidomos me thyerjen e rekordit të moshës me zonjën nga
Vlora. Surpriza sigurisht që do ketë, s'dyshoj për këtë... Për sa i
përket lidhjeve, mendoj që do të ketë, sepse në dy Big Brother-at që
kanë kaluar ka pasur, pse duhet të bëjë përjashtim i treti? Banorët që
mund të spikasin në vazhdim them se do jenë Jetmiri dhe Erioni, ndoshta
Pamela me Domenikën".
Zhuljeta Daci
"Big Brother këtë vit ka ardhur për të tërë teleshikuesit me një format
të ndryshëm nga ai i 2-viteve të tjera, i cili është sa interesant aq
dhe befasishëm për shqiptarët kudo që e ndjekin për këtë zgjedhje që
Big Brother ka bërë. Edhe pse është shumë herët për të dhënë një
opinion të mirëfilltë më duket mjaft i larmishëm. Jam e sigurt se BB do
të na befasojë me personazhet që ka zgjedhur dhe me surprizat që ky
show do të na ofrojë. Karakteret janë shumë interesant dhe
karakterizohen nga sjellje spontane. Ambienti popullor dhe paksa i
vështirë dhe deri diku i kushtëzuar, si nga hapësira dhe nga kushtet,
të cilat nuk janë shumë komode për kohën, në të cilën jetojmë i bën të
ndihen më të afërt me njëri - tjetrin dhe të jenë sa më real në sjellje
dhe qëndrim. Në një bashkëjetesë të atij formati, ku emocionet
shumëfishohen, besoj se lidhjet mes banorëve do të bëhen shumë të
ngushta, si ato miqësore dhe ato sentimentale, pasi ai është një
realitet, ku individi ka shumë nevojë për ngrohtësi dhe për një
përqafim dashamirës. Banorët, secili në vetvete, spikasin për
karakteret e tyre interesante, por mua më pëlqen që të jem më e
rezervuar për personin tim të preferuar, sepse po pres të krijoj ide të
qarta për gjithsecilin dhe të jap një mendim objektiv Jam shumë tifoze
dhe do të bëj tifo për të preferuarin tim. Ju uroj të gjithë banorëve
të shijojnë çdo moment që po përjetojnë brenda shtëpisë së BB3, pasi
është një eksperiencë që jo çdokush ka fatin ta përjetojë. Urime të
gjithëve!"
Lirita Halili
"Të them të drejtën nuk po i shikoj edhe aq, sepse kur e di se ca bëhet
në një reality show të tillë edhe kur e di se si sillen dallaveret aty,
nuk të tërheq as të diskutosh për ata e lëre me t'i shikosh. Kam takuar
shumë njerëz, edhe pyetja e parë që ma kanë bërë është kjo...a po e
shikon? Si po të duket? Dhe me kanë dhënë po të njëjtën përgjigje nuk
po i shikojmë, sepse prej daljes tënde vitin e kaluar e kemi kuptuar
çfarë loje e pisët është. Është një përzgjedhje e një moshe të caktuar,
moshe madhore...nuk di se ç'farë mund të presim nga ata, janë shumë të
rezervuar. Më mirë do ishte një miksim, sepse do ta thyente atë
seriozitetin edhe erën e pleqërisë që po vjen aty. Surpriza? Normale që
do ketë, së pari do ta kenë surprizë ndërrimin e shtëpisë, po e them e
para , pastaj nëse janë në sy të mirë të organizatorëve patjetër që do
kenë surpriza...nuk janë të gjithë Lirita që mos të ketë ndonjë
surprizë për ata. Aty, me sa e kuptova, shumica ishin beqare, po për
lidhje të mundshme nuk e di. Vitin e kaluar nuk ka pas edhe aq djem të
bukur, por sivjet ama vlerësoj me notën 0. Deri më sot asnjëri nuk më
ka rënë në sy, sepse sapo fillojnë të flasin po përzihet, po bëhet një
lëmsh saqë nuk merret me vesh gjë. Po ai djali i ri...ai këngëtari ma
merr mendja se do të jetë në qendër të vëmendjes, sepse është Bjordi i
shtëpisë, e ka mënyrën e njëjtë të lojës".
Arbër Çepani
"Faktikisht për momentin ndodhem jashtë Shqipërisë dhe nuk kam pasur
mundësinë ta ndjek aq sa duhet, por gjithsesi kam besim se për sa i
përket aspektit teknik dhe profesional të stafit, organizimi duhet të
jetë përmirësuar ndjeshëm, sepse në vitin e tretë të këtij spektakli të
gjithë kanë fituar më shumë eksperiencë.
Është akoma shumë shpejt për të dhënë gjykime reale, sepse javën e parë
me pak mundim edhe mund të arrish të maskosh personalitetin e vërtetë
që ke. Në javët dhe muajt në vazhdim do të shikojmë se kush janë në të
vërtetë banorët e rinj të këtij edicioni. Do shpresoja realisht që të
kishte surpriza, sepse një spektakël i këtij lloji po nuk pati
përbrenda faktorin surprizë, do të bëhej shumë i mërzitshëm për vetë
banoret dhe për të gjithë ata që i shikojnë nga jashtë. Lidhja është
strategjia më evidente dhe e lehtë për të tërhequr vëmendjen e
publikut, kështu që mendoj se me apo pa ndjenjë, lidhje do të ketë
patjetër edhe në këtë edicion. Nuk do të doja akoma të jap emra të
veçantë, por mendoj se në ditët në vazhdim do të spikasë ai lojtar që
do të arrijë të gjejë një ekuilibër midis të qenit serioz apo karagjoz,
Don Xhuan apo i tërhequr, i drejtë apo edhe intrigant në finesën e
duhur. Kush do të arrijë t'i ndërthuri me mjeshtëri këto aspekte ka
shanse të mira për të ecur përpara".
Pol Babi
"Të them të drejtën nuk kam pasur kohë ta shoh shumë, por deri tani
shikoj që konkurrentët nuk janë çliruar akoma nga emocionet dhe e kanë
mendjen te kamerat. Për këtë arsye deri në këtë moment pjesa më e madhe
ekzibicionon shumë në veprime dhe në komunikim. Por, kjo besoj se do të
zgjasë pak, dhe të gjithë do dalin në origjinë. Zgjedhja, me sa shoh,
është e mirë. Duket që janë karaktere shumë të kundërt nga
njeri-tjetri, gjë që do sjellë dhe shumë përplasje. As që e vë në
dyshim që do ketë surpriza. Big Brother gjithmonë na ka surprizuar.
Ndërsa për ndonjë lidhje të mundshme, është herët për ta thënë, por
besoj që po. Konkurrentët janë të përgatitur mirë, dhe e dinë shumë
mirë që krijimi i një lidhje brenda do t'i jepte shumë pluse atyre dhe
mund të evidentoheshin nga të tjerët. Unë nuk jam shumë tifoz i
individëve që nisen që ditët e para me shpatë në dorë dhe e teprojnë,
duke folur shumë thjeshtë për faktin se ia imponojnë vetes që të jenë
sa më aktivë. Deri tani me aq sa i kam parë them se do ecin gjatë
Bertina dhe Domenika, për mua, këto janë ok". /Shekulli/
|
0 Komente